Simulimet e Neymar, shpërthen babai i tij

Simulimet e Neymar, shpërthen babai i tij

14:46, 26/01/2019

Babai i Neymar ka reaguar ndaj trajtimit të ashpër, që djali i tij ka marrë në fushë dhe jashtë saj, pas dëmtimit të fundit të yllit të PSG-së. Sulmuesi brazilian doli nga fusha i përlotur në ndeshjen e së mërkurës për “Coupe de France”, i dëmtuar nga përplasja e fortë me Moataz Zemzemi.

Më vonë u konfirmua se Neymar kishte pësuar një përsëritje të dhimbshme të lëndimit të këmbës, që e la atë gati tre muaj pushim, vitin e kaluar. Ish-sulmuesi i Barcelonës shpesh ishte kritikuar për simulim në fushën e blertë, se rrëzohej fare lehtë në raste dyluftimesh. Madje, edhe legjenda Pele pretendoi se 26-vjeçari bën një teatër të dukshëm për t'u mbrojtur.

Në një postim të gjatë në Instagram, Neymar Santos Sr (babai i futbollistit), ka reaguar fort ndaj të gjithë atyre, që thanë se djali i tij ishte fajtor në nxitjen e lojtarëve, për ta lënduar atë. Përmes fotove, ai tregoi dyluftimin e të birit me mbrojtësin e Kolumbisë, Juan Zuniga, që e la Neymar me një kockë të thyer në shpinë, duke e përjashtuar atë nga gjysmëfinalet e Kupës së Botës të vitit 2014, si dhe një tjetër në Botërorin e Rusisë.

Për këtë të fundit, babai-menaxher nënvizon: "Një shkelje në kyçin e këmbës nga meksikani Miguel Layun, kur ai ishte jashtë loje”. Dhe vazhdon më tej: “Ishte thënë se nuk kishte asgjë dhe se, në të kundërt, ai simulonte. Ai kishte VAR, kishte gjithë botën të shikuar, por gjithsesi, u konsiderua fajtor".

Neymar Santos Sr, gjithashtu, përmendi incidentin e fundit kundër Strasburgut për të forcuar reagimin dhe tha se sa herë që djali i tij bie në tokë, konsiderohet si një simulues, edhe pse trajtohet ashpër nga kundërshtarët.

Ja reagimi i plotë i babait të Neymar:

“Një ndërhyrje joproporcionale dhe e pakuptimtë. Në rregull, ne pranojmë fatin, nuk kemi asgjë për të bërë kundër kësaj. Ne menduam, u lutëm dhe erdhëm në përfundimin se djali im kishte edhe fat, sepse ai mund të ishte në karrocë. Falënderoj Zotin që kjo nuk ndodhi dhe vazhduam.

2018, Kupa e Botës.

Shkelet në kyçin e këmbës, kur ishte jashtë loje. Ata thanë se nuk kishte asgjë dhe se, përkundrazi, simuloi. Aty kishte VAR, e pa gjithë bota, por në fund ai u konsiderua fajtor.

Kupa Franceze, 2019.

4 shkelje të njëpasnjëshme, në të njëjtën hedhje (!!), derisa të mund të provokojnë mosbalancimin e tij dhe më vonë moskthimin në lojë. Nëse bie, djali im është simulues. Nëse mbron veten, duke u larguar nga ndërhyrjet e ashpra, po i bën bisht angazhimit. O Zoti im, pse është kaq shumë i kontestuar!

Unë e kam shoqëruar djalin në ndeshje për shumë vite, pa humbur asnjë prej tyre. Kur ishte fëmijë, duke parë se ishte më i mprehtë se kundërshtarët e tij, gjithmonë e paralajmëronin: Asnjëherë mos u ballafaqo me ligjet e fizikës, sepse do të humbësh. Duhet t’i shmangësh kontaktet e forta, ndryshe përfundon në ajër. Dhe pas ajrit, kur të biesh në tokë, mund të kesh thyer ndonjë kockë a brinjë. 

Këshilla nga një baba.

 Një goditje nga prapa, në vitin 2014, tregon se nuk ka këshilla për ta mbrojtur atë. Kjo mbrojtje duhet të bëhet me anë të arbitrave. Gabimet e njëpasnjëshme, tipike për një ndeshje kundër, nuk na lënë asnjë mënyrë për t’u mbrojtur. Kjo duhet të bëhet nga gjyqtarët!

Nuk është babai që qan, është lodhje e këtij sistemi socialist në futboll, "të gjithë njëlloj". Nuk mund të driblosh, sado talent që të kesh, sepse “të gjithë janë njëlloj”. 

Nuk na lodhin disa media, më të shqetësuarat me çështjet "simuluese". Ju e dini..., si gjithmonë, jeta vazhdon, edhe futbolli. Ata njerëz, të cilët e quajnë veten ekspertë të futbollit, do të vazhdojnë të mbajnë sondazhe, duke pyetur nëse Neymar meriton të rrihet. Fatkeqesisht! 

Djali im, si gjithmonë, u ngrit dhe filloi përsëri. Kapeni tani dhe hidhjani helmin. Por, të jeni të përgatitur, sepse, si gjithmonë, ai do të kthehet më i fortë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco