Revolucion te kuqezinjtë/ Drejtori i ekipeve kombëtare shpjegon projektin

Revolucion te kuqezinjtë/ Drejtori i ekipeve kombëtare shpjegon projektin

15:46, 25/01/2019

Përfaqësueset e grupmoshave i janë nënshtruar një revolucioni me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe zbulimin e sa më shumë talentëve.

Xhemal Mustedanagic vendosi të linte mënjanë kostumin sportiv për të veshur atë të zyrtarit dhe në rolin e shefit të sektorit të ekipeve kombëtare ka marrë përsipër të ndryshojë të ardhmen e kuqezinjve, madje së fundmi është marrë një vendim: krah përfaqësueseve kryesore do të ketë edhe një skuadër B për grupmoshat. Qëllimin e zbulon vetë Mustedanagic.

“Qëllimi kryesor është të shohim sa më shumë lojtarë që luajnë brenda Shqipërisë, të kenë mundësinë të aktivizohen dhe t’i vëzhgojmë nga pranë. Ekipi B te të gjitha grupmoshat do të ketë lojtarë që luajnë në Shqipëri, do të zhvillojnë ndeshje të forta për t’i testuar. Ekipin B do ta shfrytëzojmë edhe për lojtarë që dëshirojnë të provohen. Do të kemi mundësinë që provat të zhvillohen pikërisht tek ky ekip, duke mos e prekur skuadrën kryesore. Duhet që fillimisht lojtarët të kalojnë nga përfaqësueset B”, shpjegon Mustedanagic.

Drejtori boshnjak i kuqezinjve e ka ndarë sistemin në tre faza, ku synimi kryesor është instalimi i idesë se kombëtarja është një kult dhe që duhet një punë e jashtëzakonshme për ta veshur fanellën kuqezi.

“Gjithçka do të ndahet në tri faza. E para, duhet të formojmë kultin e kombëtares, jo çdo njeri mund të luajë me përfaqësuesen. Faza e dytë është të përparojmë dhe të instalojmë rregullat dhe të zhvillojmë në çdo pikë ekipet kombëtare dhe e treta është faza që unë e quaj atë të përsosmërisë. Në mënyrë të vazhdueshme duhet të zhvillojmë talente për kombëtaren e madhe”, tha ish-tekniku i U-17.

Gjithçka funksionon me një qëllim madhor, që është ndërtimi i një kombëtareje të madhe sa më cilësore. Objektivi i Mustedanagicit mbetet për t’u parë nëse është i realizueshëm, teksa shefi i sektorit të ekipeve kombëtare prek edhe temën që lidhet me talentët shqiptarë që luajnë jashtë vendit.

“Ne synojmë që çdo vit të dërgojmë te Kombëtarja e Panuccit 3 lojtarë, është shumë mirë sikur të shkojë edhe vetëm një. Unë jam shumë optimist, sepse Shqipëria ka shumë talente dhe potencial. Fëmijët shqiptarë janë shumë të lidhur me fanellën. Duhet pak kohë dhe durim, por besoj se një ditë Shqipëria do të jetë në nivele të larta. Më pëlqen fakti që shumë shqiptarë që aktivizohen jashtë kanë shprehur gatishmërinë të vishen kuqezi. Natyrisht, nga jashtë do të marrim vetëm ata që janë “top player”, nëse kanë të njëjtin nivel me ata që luajnë në kampionatin vendas, atëherë do të kenë prioritet futbollistët që aktivizohen në Shqipëri”, deklaroi ai.

Përfaqësueset U-17 dhe U-19 kanë një detyrë, të shkojnë në “Elite Round”, Mustedanagic beson tek ëndrrat që nuk lidhen vetëm me kombëtaret e moshave, por edhe me atë të drejtuar nga Christian Panucci.

“Jam optimist, por U-17 dhe U-19 kanë në grup skuadra të vështira, megjithatë kam besim që mund të shkojmë deri në “Elite Round”. Kombëtarja mendoj se do të jetë pjesë e rëndësishme e futbollit europian, dua me zemër që skuadra e Panuccit të shkojë në Europian”, përfundoi drejtuesi i FSHF-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco