Renditja: Hysaj është shqiptari 'i artë', por vlera e tij pëson rënie

Renditja: Hysaj është shqiptari 'i artë', por vlera e tij pëson rënie

11:20, 29/12/2018

Është ende Elseid Hysaj shqiptari më i shtrenjtë në qarkullim, ndër gjithë futbollistët anembanë botës. Faqja e specializuar e vlerësimit të lojtarëve në treg, transfermarkt.de, përditëson çdo 3-6 muaj vlerën e çdo futbollisti në treg, duke u bazuar te kritere të ndryshëm: mosha, ecuria, kampionati ku luan, minutazhi, rëndësia e lojtarit për ekipin e vet, etj. Natyrisht, vlerat nuk janë 100% korrekte, sepse shpesh çmimi i një futbollisti ndryshon në mënyrë drastike krahasuar me vlerësimin online, por gjithsesi çmimi i caktuar nga transfermarkt.de është një tregues i mirë mbi vlerën e lojtarëve dhe shumë klube janë mjaft të kujdesshëm, duke bërë një kërkim edhe në këtë drejtim.

Hysaj, pas vlerësimit të pak ditëve më parë, vlen 23 milionë euro, duke humbur 2 milionë euro në krahasim me vlerësimin e mëparshëm. Këtu ndikon natyrisht rendimenti me luhatje i mbrojtësit kuqezi, i cili te Napoli nuk është më një pikë kyçe, si në të shkuarën. Në rang global Hysaj është lojtari i 312-të më i shtrenjtë, ndërsa i 59-ti në Serinë A.

 

Gjithsesi, Hysaj mbetet "mbreti" i gjithë futbollistëve shqiptarë, sepse i vetmi futbollist që e konkurron, Thomas Strakosha, është "betonuar" te shifra e 20 milionë eurove. Portieri kuqezi është në një moshë mjaft të re dhe kjo përbën avantazh të madh, me vlerën që mund të rritet në të ardhmen. Strakosha është aktualisht i 16-ti në renditjen e portierëve më të shtrenjtë në planet.

ImageTë tjerët janë shumë larg, sepse Etrit Berisha kompleton podiumin me 5 milionë euro, ndërsa Taulant Xhaka e ndjek me 3 milionë euro. Berat Gjimshiti ka pasur një ecuri të mirë këtë sezon dhe vlera e tij ka shkuar në 1.5 milionë euro, ndërsa vijon rënia konstante e Bekim Balajt, i cili prej një viti e gjysmë ka humbur vlerë në treg, për shkak të dëmtimeve të shumta. 

Nga të rinjtë, në vlerësimin e radhës pritet të pësojnë rritje të jashtëzakonshme Uzuni dhe Ndoj, protagonistë të mëdhenj me ekipet përkatës në pjesën e parë të sezonit. Uzuni vlente 450 mijë euro në fillim të sezonit dhe Ndoj 600 mijë euro: nuk është çudi që çmimi i tyre të dyfishohet.

KOSOVA - Për sa u përket futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës, futbollisti më i shtrenjtë mbetet Valon Berisha. Mesfushori i Lazio-s vlen 7.5 milionë euro, por vlera e tij është në rënie, për shkak se ka luajtur shumë pak te Lazio.

Rritje fantastike për Arbër Zenelin, i cili tashmë vlen 6 milionë euro, duke qenë i dyti në renditjen e Kosovës, me Milot Rashicën pas tij. Ky i fundit ka zbritur në renditje dhe në vlerë, sepse në verë vlente 7 milionë euro, ndërsa tani vlen vetëm 4.5 milionë, natyrisht për faktin se nuk po arrin të bëhet lojtar i rëndësishëm te Werder. /TS/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco