Këto janë fjalët e Gegës pas triumfit ndaj Tiranës

Këto janë fjalët e Gegës pas triumfit ndaj Tiranës

20:48, 30/11/2018

Partizani triumfoi sërish në derbi, këtë herë falë një dopjete të Rubin Hebajt, ndërsa trajneri Gega nuk e fshehu kënaqësinë për triumfin, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

Sot treguan se Partizani di të reagojë, di të fitojë edhe me përmbysje…

Fillimisht dua të shpreh keqardhje për trajnerin e Tiranës, Mema, i cili është një njeri që e do me shpirt skuadrën e tij, ndonëse për 90 minuta ishim rivalë në fushë. Sot ne bëmë një ndeshje të mirë dhe nuk rrezikuam aspak. Edhe në rastin e golit, mund ta kishim shmangur, pasi disa lojtarë mund ta kishin larguar atë top. Më pas reaguam mirë, e zhvendosëm lojën dhe gjetëm me meritë dy herë golin. Mendoj se është një fitore tërësisht e merituar, për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës.

Fituat me golat e Hebajt. A është ky një lojtar i fituar?

Kam dëgjuar diskutime të ndryshme në lidhje me këtë futbollist, por unë jam bazuar në atë që kam parë në stërvitje dhe kam vënë re se ka reaguar kohët e fundit, duke u përpjekur shumë më tepër dhe për mirë. Golat e tij na gëzuan shumë të gjithëve, jo vetëm për fitoren dhe shpresoj që të vijojë këtë punë që ka nisur, për të bërë edhe më mirë në të ardhmen.

Pse vendosët të hidhnit Hoxhën titullar, pasi kishit thënë të kundërtën në konferencë për shtyp?

Ajo që ndodhi me Albanin, nuk është aspak profesionale, por është jeta e tij personale. Të gjithë e kemi shkelur ndonjëherë, por fati i tij i keq ishte që e kapën. Dy ditët e fundit, fizio-terapistët dhe trajneri i tij më dhanë garanci që ka gjendje mjaft të mirë dhe unë bëra zgjedhjen e duhur, duke e hedhur në fushë dhe duke marrë maksimumin. Ai sot nuk ishte kapiten dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë as për ne, as për të. Vendimin për ta hedhur në fushë e mora unë, pa ndikim nga klubi.

A rrezikohet që të krijohet një precedent, me rastin e Alban Hoxhës?

Unë jam përgjegjësi i vendimit dhe sot vendosa që kjo ishte zgjedhja më e mirë për familjen e Partizanit. Ajo që ndodhi me Hoxhën, ishte jashtë fushës së lojës, pasi në stërvitje ai është shumë profesionist dhe kokë-ulur. Klubi më pas ka masat e tij, sipas rregullores.

Sot ndeshjen e vendosët ju, me zëvendësimet tuaja…

Unë, bashkë me liderët e skuadrës, vendosëm të presim Tiranën dhe të shfrytëzojmë hapësirat që ata do linin. Po e kontrollonim mirë ndeshjen, por u ndëshkuam në një rast sporadik. Më pas aktivizimi i Hebajt solli rritjen e forcës në qendër të sulmit, ndaj edhe shkuam dy herë te goli.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco