Rezultatet e dobëta, ish-kapiteni Altin Lala: Ju tregoj ku gaboi Panucci

Rezultatet e dobëta, ish-kapiteni Altin Lala: Ju tregoj ku gaboi Panucci

21:32, 22/11/2018

Ish-kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala ka folur për gjendjen aktuale te Kombëtarja kuqezi.

Në një intervistë pë "Panorama sport", Lala, i cili numëron 79 ndeshje me fanellën e Shqipërisë komentoi vendimet dhe gabimet e Panuccit.

Gjithashtu Lala tregon edhe mënyrën mbi të cilën bazohet presidenti Duka për të marrë një vendim.

“Kam luajtur gjatë me Kombëtaren dhe ka ndodhur që të mos fitojmë ato pikët e mundshme, por së fundmi, Shqipëria nuk ka treguar asgjë. As si ndeshje miqësore. Kombëtarja, për momentin, nuk ka pasur një fazë të mirë. Duke parë edhe ndeshjet e fundit, pavarësisht asaj ndaj Uellsit, e cila të paktën ishte pozitive, gjërat nuk kanë ecur jo vetëm siç duhet të ecin, por as sipas pritshmërisë që kanë pasur tifozët dhe vetë lojtarët. Duket që ka njëfarë ngërçi", tha ai.

Ngërç, e keni fjalën për çfarë?  Lojtarët, grupin aktual të futbollistëve apo ngërç për raportin lojtarë-trajner?

Mendoj se është e përgjithshme në futboll. Që të kesh sukses, duhet të jenë shumë gjëra bashkë, edhe trajneri me skuadrën.

Çfarë i ka munguar Shqipërisë?

Më tepër i ka munguar shpirti luftarak. Edhe në ndeshje miqësore ka më shumë grintë. E kam të vështirë ta shpjegoj… Një pjesë e ndeshjeve janë luajtur thjesht si ndeshje e radhës dhe hajt mo… Ndeshje sa për të kaluar radhën. Kjo nuk shkon. Nuk kemi parë një shpirt të skuadrës, ajo që na karakterizon, që të japësh shpirtin në fushë, një impenjim akoma më të madh. Mund të jetë edhe kjo. Dëgjojmë zëra që kanë të bëjnë me trajnerin, që e sulmojnë atë dhe kur nuk vijnë rezultatet, atëherë ndikon. Nëse nuk është situata siç duhet, ndikon për të mos e bërë edhe frymën e ekipit në formën e duhur.

Ka ndodhur sepse trajneri është ai që merr përgjegjësitë apo jo?

Po.

Atëherë, sipas jush, sa faj ka Panuçi që s’është parë shpirti i garës?

Trajneri është dirigjenti i orkestrës. Në fund fare, mund të kesh edhe lojtarë të mirë dhe në këtë aspekt duhet të jemi me këmbë në tokë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Ne shkuam një herë në Europian dhe nuk është e thënë që automatikisht çdo edicion do jemi atje, pasi nuk është aq e lehtë. Por, unë shoh se mundësitë mund të jenë edhe më të mëdha për të arritur diçka më tepër. Prandaj thashë edhe ngërçin. Edhe nga jashtë, duket se gjërat nuk janë aq optimale. Natyrisht për këtë, trajneri ka përgjegjësinë e vet. Gjithashtu, nuk pretendojmë që ne të bëjmë mrekulli.

Por, disa herë ka qenë gati e papranueshme paraqitja…

Po, këtë doja të thosha që edhe mund të humbësh ndeshje, por të paktën luan dhe tregon diçka.

Liga e Kombeve u trumbetua nga trajneri që Shqipëria të arrijë Europianin meqenëse përballë ishin ekipe të nivelit tonë. Por, nuk tregoi asgjë dhe humbi gjithçka nga identiteti…

Kam luajtur vite me Kombëtaren dhe ka pasur raste kur ne nuk kemi marrë pikët e mundshme. Nga çdo fazë e keqe mund të marrësh dhe të mësosh. Pavarësisht se kemi pasur një rezultat jo të kënaqshëm, ku edhe loja nuk ka qenë e tillë, atëherë nga kjo mund të marrësh vetëm mësimet në lidhje me gjërat që duhet të përmirësosh dhe t’i bësh më mirë për kualifikueset e radhës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco