Nuk paraqitet në gjyq, gjobitet Christian Panucci

Nuk paraqitet në gjyq, gjobitet Christian Panucci

18:02, 19/10/2018

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Christian Panucci, pak ditë më parë nuk është paraqitur në një gjyq në Itali, ku i ishte kërkuar të bëhej dëshmitar.

Gjyqi është hapur ndaj një shtetasi italian, Alesio Çicero, i cili në vitin 2011 në Maldive, vodhi disa foto të Françesko Totit dhe Ilari Blazit të shkrepura ndërsa ishin me pushime dhe më pas ua shiti gazetave të gossip në Itali.

Personit të cilit ai ia kishte marrë pa leje fotot, ishte një regjisor i njohur italian, Mauricio Katalani, i cili ishte mik me çiftin dhe ua kishte shkrepur për t’i pasur si personale.

Panucci, i cili kishte qenë asokohe me pushime në të njëjtin lokalitet turistik, kishte qenë në dijeni të fakteve pasi i njihte të gjithë palët e përfshira.

Regjisori italian është ai i cili ka hedhur në gjyq Çicero, i cili i kishte marrë aparatin fotografik për të tërhequr disa foto që i kishte bërë edhe atij dhe kishte shfrytëzuar rastin për të vjedhur fotot e Totit dhe bashkëshortes së tij.

Kësisoj, Panucci ishte ftuar që të dëshmonte në gjyq, por nuk është paraqitur në sallën e gjykatës në Trapani.

Kjo ka bërë që gjykatësi Fabio Oreste Marroko të gjobitë me 250 euro trajnerin e Shqipërisë dhe të kërkojë që të paraqitet në seancën e radhës për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve si dëshmitar para drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco