126 mijë euro rroga të papaguara, Lilaj gjyq me Skënderbeun

126 mijë euro rroga të papaguara, Lilaj gjyq me Skënderbeun

10:10, 23/08/2018

Sabien Lilaj çon në gjyq Skënderbeun! Lojtari zyrtarisht është ankuar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve dhe pretendon se ka plot 1 vit pa u paguar te Skënderbeu, duke pretenduar 126 mijë euro.

Shumë kjo, e cila mohohet nga klubi korçar, që në anën tjetër shprehet se zotëron dokumentet e duhura dhe borderotë se duhet t’i shlyejë Lilajt 97 mijë euro.

Sabien Lilaj ishte ndër emrat e parë që i kanë dhënë lamtumirën Skënderbeut, pak ditë pasi u bë publik vendimi nga KAS i Lozanës për të lënë korçarët jashtë Europës.

Palët u ndanë mes pakënaqësish, të cilat me sa duket kanë rrënjët te mosshlyerja e disa borxheve që klubi i ka futbollistit.

Që në momentin e largimit, Lilaj në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” bëri publik faktin se kishte disa muaj që nuk ishte shlyer nga ana e presidentit Ardjan Takaj. “Unë e kam mbyllur me Skënderbeun, pasi më ka skaduar kontrata dhe klubi më ka disa detyrime.

Ndoshta presidenti ka pritur këtë vendim, pasi unë jam lojtar i lirë. I kam thënë presidentit që të më likuidojë financiarisht dhe ma ka shtyrë. Shpresoj të ndodhë shpejt, në të kundërt i çoj në gjyq”, tha Lilaj dy muaj më parë. Një histori që deri diku u harrua, por ishte Lilaj ai, i cili e kujtoi sërish.

Çështja ka përfunduar në dyert e FSHF-së, ku Lilaj dhe përfaqësuesit e tij kanë shkuar me kërkesën për t’u paguar nga Skënderbeu për një shumë prej 126 mijë eurosh. Me sa duket, lojtari ka qenë një vit pa rrogë atje. Kurse korçarët argumentojë se lojtari po e ekzagjeron, pasi i detyrohen 97 mijë euro.

Në një situatë të tillë, do të jetë FSHF që do t’i japë zgjidhje, por lajmet se Skënderbeu nuk ka paguar një vit radhazi një prej futbollistëve më përfaqësues të klubit korçar shpjegojnë disi largimin e ngutur të Lilajt, si dhe hedhin hijet e dyshimit mbi garancitë financiare për të ardhmen e bardhekuqve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco