Bierhof tregon synimin e Gjermanisë në Botëror: Duam të mbrojmë titullin

Bierhof tregon synimin e Gjermanisë në Botëror: Duam të mbrojmë titullin

13:10, 24/05/2018

Faza e nxehtë e përgatitjeve për Botërorin sapo ka nisur në shtëpinë e kampionëve të botës.

Mesditën e së mërkurës, “pancerat” e Joackhim Low mbërritën në Epan/Tirolin e Jugut dhe u akomoduan në hotelin me 5 yje “Weinegg” për të nisur misionin e qepjes së yllit të pestë në fanellë.

Dhe menaxheri i kombëtares, Oliver Bierhof, ka lëshuar përshtypjet e para pas mbërritjes në Bolzano.

“Si kampionë në fuqi duam natyrisht që të mbrojmë titullin. Do të jetë një detyrë e vështirë. E dimë sesa vështirësi kanë pasur në të shkuarën kampionet e edicioneve të fundit të Kupës së Botës. Ne jemi të paralajmëruar dhe prandaj duhet të jemi të kujdesshëm”, tha 50-vjeçari.

Bierhof nënkuptonte Spanjën (2014), Italinë (2010) dhe Francën (2002) që vinin si kampione në turneun e radhës, por eliminoheshin që në fazën e grupeve.

Edhe Gjermanisë i ka ndodhur në historinë e saj që të zhgënjejë.

Pas triumfit në Itali 1990, “pancerat” u eliminuan në çerekfinale nga Bullgaria në “SHBA 1994”.

Megjithatë, Bierhof është optimist: “Ne synojmë që të shpallemi kampionë bote”.

Menaxheri ka komentuar edhe situatën e Manuel Neuerit, kapitenit që po lufton me kohën për të shkuar në Rusi pas dëmtimit të rëndë që pësoi këtë sezon.

“Jogi e ka thënë që ai do të marrë në Botëror vetëm një Manuel Neuer që është në 100%”.

Gardiani i Bayernit është me skuadrën në Epan dhe do të bëjë të pamundurën që të shkojë në Rusi.

Përgatitjet e Low kanë nisur fillimisht me 19 nga 27 lojtarët e grumbulluar në skuadrën provizore.

Hummels, Kimmich, Boateng, Sule dhe Muller, do të mbërrijnë të premten në kamp, ashtu si Ter Stegen dhe Rudiger. Ndërsa Kroos do t’i bashkohet skuadrës pas finales së Championsit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco