Iniesta la Barcelonën, Xavi e përlot me letrën emocionuese

Iniesta la Barcelonën, Xavi e përlot me letrën emocionuese

08:04, 21/05/2018

Xavi Hernandez ka shkruar një letër emocionuese për ish-shokun e ekipit te Barcelona, Andres Iniesta, teksa lojtari katalanas luajti mbrëmë ndeshjen e fundit për blaugranat.

Një letër e hapur për mikun tim, Andres Iniesta

“Herën e parë që pashë Andres duke luajtur do ta mbaj mend përgjithmonë. Dikush nga klubi më tha: ‘Xavi, tek ekipi i moshave është një lojtar që do të bëhet i mrekullueshëm. Ata thonë se është i paparë, dhe shumë i ngjashëm me ty.’ Më pas, e pashë duke luajtur, dhe i thashë vetes: ai është ndryshe. Ai mund të driblojë, mund të luajë në shumë pozicione. Që i vogël kishte pamjen e një artisti për mënyrën sesi përdorte trupin përpara se të merrte topin, duke përdorur të dyja këmbët njësoj mirë.

Ta shihje duke luajtur ishte spektakolare. Ato që imagjinoje jashtë fushës, ai i bënte brenda saj. Kishte momente që dukej sikur të lexonte mendjen. Andres gjithmonë lidhet mirë me lojtarët e tjerë, luante me kokën lart dhe nuk e humbiste asnjëherë topin.

Për mendimin tim Andres është lojtari më i talentuar i historisë së Spanjës. Ai ka një talent të madh. Nëse flasim për personin, nuk do të dija ku të filloja.

Ai është i admirueshëm në çdo këndvështrim. Një shembull për të tjerët dhe personifikimi i një lojtari. Ai është një lider në fushë, i cili kërkon gjithmonë topin. E dini rëndësinë e kësaj gjëje? Kur shumë nuk duan topin pasi nuk kanë asnjë rrugëdalje, ai e kërkon. Ai gjithmonë do topin.

Ai është një bekim për shokët e ekipit. Ai është një lider i heshtur, por autentik. Si një pasues natyral gjatë gjithë jetës sime, kisha nevojë për lojtarë si Andres, si Leo, si Busquets. Ata kanë qenë partnerët më të mirë që mund të imagjinosh, duke më dhënë gjithmonë mundësi edhe kur situata dukej keq. Nuk e di, por Andres gjithmonë shfaqej për mua në momentin e duhur. Shiko jam këtu! Por asnjëherë nuk e thoshte duke folur.

Asnjëherë nuk kemi folur shumë në fushë në 10 vitet që luajtëm bashkë. Nuk ishte e nevojshme. E kuptonim njëri-tjetrin me një shikim. Ndonjëherë në ndeshje të caktuara ne e shihnim me mahnitje – si dreqin ia arriti të dilte nga ajo situatë e vështirë? Ishte e pamundur. Kishte përshtypjen se asgjë nuk ishte e pamundur për të. Driblim, pasimi fundit, shpejtësi, pasime me një takim, ai është i lumtur të luajë në mesfushë ashtu siç është kur luan në krah. Një maestro i vërtetë.

Njerëzit mendonin se Andres nuk ishte i fortë. Por kur kërkonte t’ia merrte topin dikujt, nuk e ndalonte njeri. Ai ka qenë edhe i fortë mendërisht, sidomos në ato momente që jo të gjithë i dinë. Ai kaloi një periudhë të vështirë larg familjes, dhe po ta pyesësh jam i sigurt që do të thotë se ia vlejti. Ishte mentaliteti i tij i fortë që e solli kaq larg.

Në fund, Andres është një djalë me një engjëll mbrojtës. Ai është si Iker Casillas. Të tjerët nuk e kanë atë gjënë e veçantë, por këta të dy e kanë. Kemi jetuar me Andres te Barcelona dhe te përfaqësuesja. Në ‘Stamford Bridge’, në Johannesburg. Nëse e shihni me vëmendje finalen e Afrikës së Jugut, ishte vetëm një person që logjikisht mund të shënonte golin e fitores: Andres.

Ndonjëherë kam përshtypjen se nuk mund ta përshkruash me fjalë se çfarë përfaqëson Andres si lojtar. Ai i bën të gjitha me një lehtësi të paimagjinueshme. Askush nuk mund ta bëjë si ai. Në fushë, ai transformohet.

Aty shfaqet personaliteti i tij i vërtetë. Aty ai është në habitatin e tij natyral. Nëse nuk e prek topin, nuk është i lumtur. tani që jam pak i shkëputur nga futbolli i nivelit të lartë, kuptoj se çfarë përfaqëson Iniesta.

Kur të largohet nga Barcelona, do ta kuptojë se për çfarë e kam fjalën. Ai i ka fituar të gjitha, duke luajtur në një mënyrë të mrekullueshme, dhe respektohet në botë. Ai po largohet ashtu siç e meriton, pasi nuk ka thënë asnjëherë diçka të keqe për askënd. Shikoni sesi duhet në botë.

Shumë shpejt do ta kuptosh dhe vlerësosh se çfarë ke bërë për futbollin, miku im, Andres”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco