Prishtinë, shugurohet me ceremoni  Katedralja e Nënë Terezës

Prishtinë, shugurohet me ceremoni Katedralja e Nënë Terezës

13:58, 05/09/2017
A+ Aa A-

Në Prishtinë është shuguruar me ceremoni, Katedralja e Nënë Terezës.

Shugurimi i shenjtërores kushtuar Shën Nënë Terezës, në Prishtinë, filloi sot, në orën 11:00, me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve të kishës, njotoi Vatikani. Prinë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues, pas të cilëve ecnin i Deleguari i posaçëm i Vatikanit, kardinali shqiptar Ernest Simoni (Troshani), shoqëruar nga ipeshkvi i vendit imzot Dodë Gjergji bashkë me kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë e tjerë të ftuar.

Në hyrje të kishës u bekua uji për ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Kisha dhe hapësira e saj u spërkatën me ujë të bekuar. Kori i kishës përcolli ceremoninë gjatë gjithë kohës. Pas Ungjillit dhe predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi, i cili filloi me litanitë, gjatë të cilave thirren në ndihmë shenjtorët e Kishës katolike. Më pas, vendosja e relikeve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezës, në vendin e përgatitur enkas – pranë shtatores së saj, anash altarit kryesor. Altari u pastrua me ujë të bekuar dhe u lye me bagmin apo vajin e shenjtë, sipas ritit të shugurimit. Me këtë bagëm u vajuan edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar u dogj kemi, shoqëruar nga kënga e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. Mesha vijoi si zakonisht me Eukaristinë e përkujtimin e Darkës së mbrame të Krishtit.

Në mbyllje të gjithë besimtarët kënduan lutjen “Lavd e nder të qoftë, o Zot” në shenjë mirënjohjeje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit u shpërndanë pas marrjes së bekimit solemn të kardinalit Ernest Simoni.

Në ceremoni merrnin pjesë: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi; i nominuari për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj; Kryeministri në largim, Isa Mustafa; ish-Presidentja Atifete Jahjaga' përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari dhe zyrtarë të lartë e përfaqësues të institucioneve fetare e partive politike. 

VATIKANI: JA ÇFARE DO TE THOTE "SHUGURIM"

Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me ç’është e shenjtë”. Mund të shugurohen njerëz, vende, ose sende e, termi përdoret në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme.

Në Kishën Katolike, termi “shugurim” përdoret për të treguar se njerëz, ose objekte janë në shërbim të Zotit.  Për shembull, gjatë meshës, shugurohet buka dhe vera. Pra, duke shqiptuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, me hirin e Tënzot, buka dhe vera shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. Në liturgjinë katolike, termi “shugurim” u rezervohet vetëm disa riteve si: bekimi i Bagmit, shugurimi i ipeshkvit dhe kushtimi i një kishe.   

Në kuadrin e përshpirtërisë katolike, përdoret termi “shugurim” edhe në rastin kur një person ia kushton jetën krejtësisht Zotit, duke u bërë meshtar, rregulltar, ose murgeshë. Shugurimi i një meshtari bëhet përmes shtrirjes së duarve sipër kokës së tij nga ana e ipeshkvit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco