SYRI TV/ Në fuqi ndryshimet ligjore për ‘Urdhrin e Mjekëve’

16:02, 08/08/2024
A+ Aa A-

Publikohen në Fletore Zyrtare ndryshimet e reja në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, pas skandaleve të shumta të ndodhura në sistemin shëndetësor. Ndryshimet kryesisht konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të informacionit për profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre dhe në privat. Gjithashtu është vendosur që drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore të mos drejtojnë klinika private. Gjithashtu janë ashpërsuar edhe masat ndëshkimore dhe penalitetet.

SYRI TV

Pas skandaleve të shumta në sistemin shëndetësor dhe problematikat e pacientëve për shkak se mjekët e punësuar në shtet i drejtonin në klinikat e tyre private, më 1 gusht qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të cilat këtë të mërkurë kanë hyrë në fuqi duke u publikuar në fletoren zyrtare.

Ndryshimet konsistojnë veçanërisht në rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe në ato private, por pa cënuar aktivitetin profesional në spitalet shtetërore.

Në Urdhrin e ri të Mjekëve specifikohet se një mjek nuk mund të punojë në spitale apo klinika private më shumë se 30 % të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik. Pra nëse marzhi maksimal i punës me ligj në shtet parashikohet 174 orë në muaj, në privat mjeku nuk mund të punojnë më shumë se 50 orë në muaj. Gjithashtu sipas ndryshimeve ligjore, në pikën D që i shtohet nenit 8 të Urdhrit, i ndalohet mjekut t’i sugjerojë pacientit që ka shkuar për trajtim në spitalin publik, ta orientojë drejt spitalit jo publik ku ai ushtron profesionin.

Nga ana tjetër, është shtuar një nen totalisht i ri, neni 8/a që përcakton kriteret që duhet të plotësohen për të pasur dypunësim në shtet e privat dhe kush përjashtohet. Sipas ndryshimeve, në pikën 3 të këtij neni, përcaktohet se nuk mund të punojnë në privat mjekët që janë të punësuar në spitale publike të cilat kanë përfituar statusin e autonomisë spitalore. Përveç spitalit Memorial të Fierit, në janar të këtij viti iu dha karta e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, edhe Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Spitalit rajonal Durrës, Spitalit rajonal Vlorë, Spitalit rajonal Lezhë dhe Spitalit rajonal Shkodër.

Ndërkaq, nëse një mjek kërkon të ushtrojë profesionin tek privati duhet t’i bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ai është i punësuar. Për të dhënë lejen ose jo titullari duhet të ketë parasysh tre kritere: Ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në spitalin publik, mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në spital si dhe mundësinë e konfliktit të interesi. Në rast se titullari vlerëson se puna e dytë mund të pengojë kryerjen e detyrës në spitalin shtetëror apo ka konflikt interesi, atëherë e refuzon, por nëse nuk ka pengesa, miraton kërkesën dhe njofton ministrinë e Shëndetësisë, e cila bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik. Gjithashtu ligji i ndryshuar bën të qartë se mjekët që mbajnë funksione drejtuese në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, e kanë të ndaluar kategorikisht të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.

Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe masa disiplinore të ashpërsuara dhe penalitete. Nga vërejtje, tek pezullimi i shërbimeve mjekësore, pezullimi i licencës, gjoba 100 mijë deri në 1 milionë lekë të reja. Ndërsa penaliteti më i rëndë është heqja e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut. Këto masa janë të përcaktuara në nenin 17 të Urdhrit të Mjekut, ku sqarohet se masa disiplinore vërejtje shuhet 3 vjet pas dhënies apo përfundimit të saj, masa e pezullimit shuhet pas 5 viteve të përfundimit të periudhës së pezullimit apo të pagimit të gjobës, ndërsa nëse një mjeku i hiqet licenca, nuk i kthehet më.

Me hyrjen në fuqi të aktit normativ, brenda 6 muajve Urdhri i Mjekëve duhet të hartojë Kodin e ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, përmes Këshillit Kombëtar që më pas ia paraqet për miratim Ministrit të Shëndetësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco