Bie turizmi 'patriotik'/ Vendin e shqiptarëve të Kosovës e zënë nordikët apo francezët

Bie turizmi 'patriotik'/ Vendin e shqiptarëve të Kosovës e zënë nordikët apo francezët

23:00, 23/06/2024
A+ Aa A-

Shëngjini dhe Durrësi historikisht kanë mbajtur peshën më të madhe të turistëve nga Kosova. Por sikundër pritej, këtë vit turoperatorët konfirmojnë një reduktim të numrit të vizitorëve gjatë muajve të parë të pranverës, duke konfirmuar se turizmi patriotik po jep sinjalet e para të rënies.

“Situata duke filluar që nga janari i këtij viti ka pësuar një ndryshim drastik nga turistët që kanë pushtuar Durrësin prej vitesh, që ne i kemi quajtur turistë patriotik. është ndjerë një mungesë në rreth 80 përqind, thuajse në të gjithë hotelet e Durrësit. Nuk ndikojnë çmimet, ato  janë njësoj, por liberalizimi i vizave ka dhënë efekt, sepse shtetasit kosovar kanë qenë për një kohë të gjatë të mbyllur dhe nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë vendet e Evropës”, shprehet Blerim Norja, turoperator nga Durrësi.

“Nga Kosova kemi patur reduktim të numrit, por pritshmëritë tona janë aty ku kemi menduar, sepse janë shtuar turistët nga vendet e Evropës lindore dhe po ashtu nga vendet baltike dhe nordike”, tha  Albulen Nderpepaj, turoperator nga Durrësi për Vizion Plus

Por bizneset turistike ndajnë mendime të ndryshme lidhur me faktin nëse turizmi patriotik do të vijojë të mbajë flamurin e turistëve të huaj.

“Unë mendoj që kjo do zgjasë të paktën një dy vjeçar derisa situata të stabilizohet, derisa ata individë të shuajnë kuriozitetin. Por në çdo rast Durrësi do të mbetet sërish destinacioni i tyre i preferuar, pasi është më afër dhe mbetet konkurrues me çmimet që ofron Evropa dhe rajoni”, u shpreh Norja.

“Unë mendoj që është përkohshme kjo tendencë. Pak më vonë turistët do t'i kthehen vendit mëmë”, tha Nderpepaj.

Nga ana tjetër duket se tkurrja e vizitorëve nuk pritet të ketë ndonjë efekt negative tek tregu jonë, pasi bumi i turistëve të huaj do të kompensojë mungesën e tyre.  Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë në Durrës është vënë re një risi, rritja e turistëve francezë.

“Turizmi në Durrës  është zgjeruar shumë, duke përfshirë vendet nordike, Poloni Ukrainë, Hungari. Gjithashtu këtë vit një bum i madh është me turizmin nga Franca. Kemi shumë turistë që vijnë na vizojnë nga ky shtet  Është surprizë për hotelerinë dhe turizmin në Shqipëri”, tha Julian Meta turoperator.

Ndërkohë turoperatorët vënë në dukje edhe një ndryshim pozitiv që ka ndodhur me sezonin veror. Ata thonë se jo vetëm ka një rritje të numrit të turistëve, por është zgjatur në kohë edhe periudha sezonit. Tani turistët e parë fillojnë që nga prilli dhe deri në fund tetori apo ditët e para të nëntorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco