SYRI TV/ Zgjedhje pa garë për drejtuesit në universitete! Në Vlorë votojnë në dhoma me simbolet e PS

18:24, 21/06/2024
A+ Aa A-

Universitetet në të gjithë vendin zgjedhin këtë të premte rektorët e rinj si dhe dekanët për çdo fakultet dhe shefat e departamenteve. Ndërsa niveli i arsimit ka rënë ndjeshëm, procesi zgjedhor është kontestuar për shkak të mungesës së garës dhe manipulimit të rezultateve. Situatë skandaloze në Univestitetin e Vlorës, ku pedagogët duhet të votojnë në dhoma të fshehta me simbole të Partisë Socialiste.

SYRI TV

Këtë të premte të 21 qershorit në Universitetet dhe fakultetet e të gjithë vendit po zhvillohen zgjedhjet për organet drejtuese, për postet: rektor, dekan, përfaqësues të stafit akademik në senatin akademik si dhe përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

Këto zgjedhje nuk pritet të kenë surpriza, pasi në 14 institucionet publike pjesa më e madhe e drejtuesve nuk kanë kundërshtarë ose rikandidojnë të vetëm.

Kështu, në Universitetin e Tiranës, më i madhi në vend me 6 fakultete, kandidati i vetëm në garë për rektor është Artan Hoxha, i cili ka të drejtën e rikandidimit pas katër vitesh drejtim në këtë universitet. Ndërsa nga 6 Fakultete që përmban ky universitet, vetëm në tre prej tyre janë nga dy kandidatë për postin e dekanit.

Kandidatët për dekan në 6 fakultetet e UT:

Fakulteti i Ekonomisë-Bernard Dosti, kandidat i vetëm.

Fakulteti i Drejtësisë-Dorina Hoxha, kandidate e vetme

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja-Esmeralda Kromidha, kandidate e vetme

Fakulteti i Histori-Filologjisë-Mark Marku dhe Dhimitër Doka

Fakulteti i Shkencave të Natyrës-Eglantina Kalluçi dhe Endrit Xhina

Fakulteti i Shkencave Sociale-Edvin Lame dhe Eliona Kulluri.

Syri TV u interesua për të ndjekur nga afër procesin e votimit, por ndryshe nga sa predikohet në leksione, mediat nuk u lejuan të përcillnin procesin.

Në 6 universitet publike në Tiranë, vetëm tek artet ka garë për rektor mes Artan Peqinit dhe Erald Bakallit, ndërsa në 5 universitetet e tjera është vendosur “de facto” drejtuesi i radhës, pasi në garë është vetëm një kandidat. Në Universitetin Bujqësor do të jetë rektor edhe për 4 vite të tjera Fatbardh Sallaku, pasi nuk ka kandidaturë tjetër. E njëjta situatë edhe tek Universiteti i Sporteve, ku kandidon për rektor vetëm Agron Kasa, po ashtu edhe tek Universiteti Politeknik që ka kandidaturë të vetme Akli Fundon.

Ndërsa tek Universiteti i Mjekësisë Arben Gjata nuk ka të drejtë rikandidimi, ndaj postin e rektorit e siguron Xheladin Draçini, i cili është kandidat i vetëm.

Zgjedhje janë mbajtur edhe në rrethe, ku ndryshe nga kryeqyteti nga ka pasur interes për 2 deri në 4 kandidatë për rektor në një universitet.

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë 4 kandidatura për rektor, Shkëlqim Fortuzi, Osman Metalla, Andon Kume dhe Lindita Mukli. Në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër garojnë për postin e rektorit Tonin Gjuraj, Rajmonda Këçira dhe Nertila Ljarja. Në Universitetin “Fan Noli” në Korçë gara është gjithashtu mes 3 kandidatëve, Irena Nikaj, Lorenc Ekonomi dhe Robert Damo.

Ndërsa në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” kandidon vetëm Elvira Fetahu, po ashtu edhe në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokaster kandidat i vetëm është Jaho Canaj.

Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë garojnë për rektorë 3 kandidatë, Evelina Bazini, Kreshnik Bello dhe Aurela Saliu. Por ndryshe nga çfarë është parë në qendrat e tjera të votimit, në Vlorë kutitë mbajnë logon e PS-së, ngjarje e cila ka shkaktuar pakënaqësi tek votuesit.

Zgjedhjet me një kandidaturë të vetme si apo rikandidimi për një mandat të dytë si në rastin e rektorit të UT Artan Hoxha apo dekanes së Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha, nxitën reagime në opinionin publik, sidomos pasi studiuesi Taulant Muka, në prag të zgjedhjeve në universitete, publikoi dy kallëzime ndaj tyre duke i akuzuar për plagjiaturë me temat e doktoraturës.

Në këto zgjedhje pesha më e madhe e votës i takon stafit akademik me 90% dhe vetëm 10% studentëve.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco