‘Sytë t’i jepen ministrisë për punë shkencore’, akti mizor i dhunimit të kufomave të Sokol Sokolit e Tom Ndojës!

‘Sytë t’i jepen ministrisë për punë shkencore’, akti mizor i dhunimit të kufomave të Sokol Sokolit e Tom Ndojës!

20:19, 23/05/2024
A+ Aa A-

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje revoltën e Qafë Barit. Në burgun e Qafë Barit ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.

Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Ishte mëngjes dhe të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana.

Qindra forca të armatosura, morën urdhrin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit, si Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu. Dhuna, trajtimet çnjerëzore, orët e tejzgjatura të punës së detyruar, mungesa e ushqimit dhe torturat psikologjike dhe fizike sollën revoltën e të burgosurve politikë. Por revolta nuk synonte vetëm zgjidhjen e kushteve të jetesës në burg, ajo ishte një qëndresë kundër regjimit, pasi të burgosurit morën kontrollin e plotë të burgut dhe bënë thirrjet e tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike. Regjimi nuk kishte ndërmend të negocionte me ta dhe kjo solli edhe shtypjen me dhunë të revoltës.

SITUATA

Në burgun e Qafë Barit ndodheshin rreth 500 të burgosur politikë, të dënuar me mbi 25 vite burg. Si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984. 24 të burgosur politikë në burgun komunist, u ngritën në një protestë të pazakontë dhe luftuan me gardianët kundër barbarisë së tyre. Ata u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku shpërthyen kërkesa të ngjashme për liri.

Revolta nisi në formë rezistence kundër punës së detyruar, mbëngjesin e 22 majit. Në orën 7.30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën e punës, ndërkohë që të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progri porositën të dënuarit e tjerë të mos shkonin në punë. Policën u përpoqën të marrin situatën në kontroll. Një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e togës Edmond Caja, urdhëruan reshtimin e të dënuarve në mencë, ku do bëhej apeli dhe ato që refuzonin të ktheheshin në punë, do dërgoheshin në birucë.

Rreth 20-24 të dënuar duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej, qëndruan te sheshi mbi fjetore duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë dhe të dënuarit morën në dorë situatën për disa orë. Ata i vunë përpara policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit për të shpëtuar lëkurën. Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, kryengritësit nisën tërheqjen nga kërkesat e tyre.

Sipas burimeve të shumta dhe kujtimeve të ish-të dënuarve, gjatë kryengritjes u njoftua jo vetëm Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, por u kërkuan dhe përforcime nga Tirana. Nga kujtimet e Bedri Blloshmit, ish i burgosur, rezulton se banorët e Barit dhe civilë nga fshatrat përreth, ishin nga të parët që ndërhynë dhe i erdhën në ndihmë Policisë për shtypjen e revoltës. Sipas kujtimeve të Blloshmit:’ …mbërritën një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit. Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit.’. Brenda në kamp kishte më shumë civilë se policë të cilët filluan të rrihnin të dënuarit. Policët e civilët filluan të na rrihnin. Qëllonin me shkelma e grushte se drunjtë ishin bërë të gjithë me gjak.

REVOLTA

‘Më 22.5.1984, ora 7.30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën. Komanda urdhëroi kthimin e tyre në galeri për të realizuar normën e punës. Të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progri porositën të dënuarit të mos shkonin në punë. Policët Islam Doga dhe Fiqri Çakalli thërrasin të dënuarit që do shkonin në punë në zyrat e këshillit të riedukimit. Këta i thanë dy të dënuarve që duhet të plotësonin normën ose duhej të shkonin në birucë, të izoloheshin.

I dënuari Tom Ndoja ua merr nga duart policëve Ndue Pishën dhe e largon. Policën orvaten ta marrin, por me Tomën bashkohen edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progri dhe u kundërvihen policëve me gurë e tulla që kishin ndër duar. Në këto kushte ndërhyn një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e togës Edmond Caja, por këta thyhen nga një grup të dënuarish ku bënin pjesë: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, Kostandin Gjordeni. Komandanti i togës së policisë Edmond Caja urdhëroi rreshtimin e të dënuarve në mence. Komandanti i repartit ndodhej me shërbim në Rrëshen. U njoftua kryetari DPB Edmond Çifligu.

Nisi apeli emër për emër. Ata që kundërshtonin kërcënoheshin se do futeshin në birucë. Kostandin Gjordeni refuzoi të dalë nga menca. Po kështu refuzoi edhe Sokol Sokoli i cili bashkë me grupin e tij çau rrethimin e policëve. Rreth 20-24 të dënuar duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej qëndruan te sheshi mbi fjetore duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit. Pas kësaj të burgosurit hyjnë në mencë sërish, pikërisht në kohën kur vijnë komandanti i repartit dhe kryetar i DPB. Thirrën emrat e të dënuarve për të dalë jashtë.

I pari ishte Kostandin Gjordeni. Në raportin zyrtar pretendohet se i dënuari ka goditur murin me kokë, e pas këtij veprimi ka filluar përleshja midis të dënuarve e policëve, ndërsa në të vërtetë ai është goditur. Policët kanë marrë Gjordenin për ta çuar në izolim, por të dënuarit, nisur nga solidariteti ndaj njëri-tjetrit i kanë sulmuar me çdo mjet. Pas daljes nga menca, të dënuarit kanë sulmuar policët me mjetet që kishin duke iu afruar derës kryesore. Në këtë çast, kryetari i Degës së Punë të Brendshme Pukë urdhëroi të qëllohej. Këtu plagoset Gjordeni. Në kamp erdhën zëvendësministri i Punëve të Brendshme (nuk specifikohet qartë në është Agron Tafa apo Zylyftar Ramiz Mahmutaj) dhe drejtori i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale Kasem Kaçi. Pas dorëzimit është përdorur dhuna në mënyrë masive’, shkruan Kastriot Dervishi.

SHTYPJA E REVOLTËS

Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit shkruhet:

Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…’

‘Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal… …i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo. …Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

FAKTET

Shkrimtari Visar Zhiti, vetë i dënuar që vuajti në burgun e Qafë Barit, përshkruan pasojat e revoltës, e cila u mori jetën disa të burgosurve. Autoritetet e burgut, nisën me dënimet dhe mizoritë menjëherë pas shtypjes së revoltës. Disa prej të burgosurve u morën që atë natë nga qelitë, dhe u ekzekutuan pa urdhër gjykate. Organizuesit e revoltës u dënuan me pushkatim, midis tyre Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Në procesverbalin e pushkatimit, shënohen dhe fjalët e fundit të Sokolit dhe Ndojës. Fjalët e fundit të Sokolit ishin: ‘Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt’, ndërsa të Tomë Ndojës: ‘Të rrojë drejtësia!’.

Të dënuarit u lidhën me duar prapa e me zinxhirë në duar e këmbë. Në gojë iu vendosën lecka për t’i ndaluar të bërtiturat. Të lidhur ngado e me gojë të mbyllur, të dënuarit janë çuar drejt gropës së antenave në formën më të poshtër të mundshme. Ekzekutimi u krye nga nënoficerët Myftar Rama dhe Petrit Gjini. Ndryshe nga rastet e tjera, ata u ekzekutuan në gjoks e jo në kokë. Një tjetër fakt tronditës është urdhri i Hekuran Isait, që vendosi që sytë e dy të dënuarve me pushkatim, t’i jepeshin Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore.

Eshtrat e Sokol Sokolit dhe Tomë Ndojas u gjetën në vitin 2011, në kohën kur u inventarizua skema e varrimit, ndër të rrallat e trashëguara në arkivat e kohës. Pas shumë kërkimesh nga familjarët, trupat e tyre u gjetën të groposura në mjediset e ish antenave të Radio Shkodrës, rreth 4 kilometra nga qyteti, që dyshohet se është një nga vendekzekutimet e shumta, ku fshiheshin gjurmët e krimeve të komunizmit. Pas gjetjes së eshtrave në vitin 2011, Presidenti i atëhershëm i Republikës Bamir Topi, dekoroi pas vdekjes Sokol Sokolin dhe Tomë Ndojan me Medaljen e Artë të Shqiponjës si Martirë të Demokracisë. Familjarë të viktimave dhe ish-të burgosur Qafë Brarit përkujtojnë çdo vit revoltën.

PROCESVERBALI

Shkrimtari Visar Zhiti, vetë i dënuar që vuajti në Qafë Bari shkruan për këtë ngjarje të rëndë: ‘…të dy të rinj… moshatar me ta jam… nuk flas dot… s’më lënë lotët… i morën nga qelia, natën, të lidhur… Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë… Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë: Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën.

Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën… Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja: Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: ‘Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt’. I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: ‘Të rrojë drejtësia!’. Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

MASAKRA E SYVE

Visar Zhiti shkruan edhe për aktin mizor të dhunimit të kufomave: ‘…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: ‘Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore’. Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar një herë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!’

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco