SYRI TV/ Rruga në fshatrat e Poliçanit e amortizuar, banorët: Zbresim në qytet me gomarë, zetorë

12:47, 02/03/2024
A+ Aa A-

Prej 30 vitesh, banorët e 3 fshatrave në Poliçan, vuajnë mungesën e investimeve në infrastrukturë, duke bërë që banorët e fshatrave Zhitom, Zhitom i Madh dhe Terpran të shkojnë drejt izolimit nga qyteti. Rruga në këto e fshatra është shkatërruar dhe qarkullimi në të, sipas banorëve të zonës bëhet me kafshë apo mjete të larta. Ata shprehen se bashkia është në dijeni të gjendjes së rrugës, por kujtohet për ta vetëm për premtime boshe gjate fushatave elektorale.

Nga SYRI TV

Kjo është gjendja e rrugëve në 3 fshatrat e ish-komunës Tërpan në Poliçan.

Rruga tejet e amortizuar e bën të vështirë qarkullimin e automjeteve në këto rrugë e për pasojë e fshatrat, Zhitom, Zhitom i Madh dhe Tërpan janë drejt izolimit me qëndrën e qytetit dhe rrugën nacionale.

Situata bëhet edhe më e vështirë kur ka reshje pasi gropat mbushen me ujë e baltë.

Për shkak të rrugës totalisht të shkatërruar, banorët dalin nga fshati i  tyre vetëm me kafshë, zetorë apo mjete të tjera të larta, ndërsa qarkullimi me mjetet e vogla është i pamundur. Për t’u furnizuar me ushqime, zbresin në qytet me një mjet transporti që vjen vetëm tre herë në javë në këto zona.

Banorët tregojnë vështirësitë që shkaktohen nga mungesa e rrugës duke i detyruar të izolohen në fshat ndërsa theksojnë se prej 30 vitesh bashkia nuk ka marrë asnjë masë edhe pse është në dijeni të gjendjes së rrugëve.

Ata thonë se kryebashkiakët bëjnë vetëm premtime gjatë fushatës dhe me pas harrohen.

Pengesat që sjell mungesa e rrugës në përditshmërinë e tyre ka bërë që fshatrat të boshatisen. Nga 1300 banorë, 40% e tyre janë larguar drejt zonave urbane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco