VIDEO-SYRI TV/ Mijëra dokumente të çerdheve e kopshteve hidhen në rrugë, shumica nga viti 2011-2019

16:55, 28/02/2024
A+ Aa A-

Një skandal me publikimin e të dhënave personale ka ndodhur në Tiranë. Mijëra dokumente personale të të miturve janë shpërndarë në rrugë në zonën e Alliasit dhe i përkasin çerdheve, kopshteve e shkollave publike. Kjo ekspozon të miturit në keqpërdorim të të dhënave, pasi me vërtetimet nga këto institucione, janë bashkangjitur edhe certifikata personale e familjare, shoqëruar me numrat e identifikimit dhe foto të fëmijëve. Nga ana e institucioneve përgjegjëse ende nuk ka asnjë reagim mbi këtë skandal.

Nga Fjona Çela-SYRI TV

‘Në rrugën midis shkollës 9-vjeçare ‘Ramazan Jarani’ dhe kopshtit nr. 25 A, në zonën e Alliasit, janë hedhur një tufë më dokumente personale. Këto dokumente i përkasin fëmijëve të çerdheve, kopshteve e shkollave të ndryshme në vite të ndryshëm dhe përmbajnë të dhëna personale të regjistrimit të tyre.’

Mijëra dokumente personale të fëmijëve janë hedhur pranë koshave të mbeturinave dhe janë shpërndarë nëpër rrugë në Allias. Pjesa dërrmuese e tyre i përkasin çerdheve dhe kopshteve publike nën varësinë e Bashkisë Tiranë dhe një pjesë tjetër shkollave 9-vjeçare publike.

Dokumentet janë vërtetime regjistrimi e frekuentimi në këto institucione, fatura arkëtimi të pagesave në posta, lista me emrat e fëmijëve të regjistruar, vërtetime noteriale, dëftesa me notat e fëmijëve, si dhe certifikata familjare e personale shoqëruar edhe me fotot e të miturve dhe numrat e identitetit të tyre dhe të familjarëve. Pjesa më e madhe datojnë nga viti 2011 deri në 2019-ën.

Në lidhje me këtë skandal ku të dhënat e fëmijëve të regjistruar në institucione parashkollore e shkollore publike janë shpërndarë në rrugë, Syri Tv kontaktoi  me Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, por ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete mbi situatën.

Ndërkohë as nga institucionet ligjore ende nuk ka një reagim mbi skandalin e hedhjes së rrugë të të dhënave personale të mijëra fëmijëve ndër vite, të cilat lehtësisht mund të merren nga çdokush dhe të keqpërdoren.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco