Rënia e lindjeve, 30% e bashkive rrezik shuarje

19:13, 17/12/2023
A+ Aa A-

Gati një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros, ndërsa në vitin 2021 shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive.

Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 më 2021.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt.

Syri Tv

Rreth një e treta e bashkive të vendit rrezikojnë të zhduken nga harta demografike, pasi numri i lindjeve po shkon në rënie drasike, ndërsa në vitin 2021 shtesa natyrore ishte negative në 82% të bashkive të vendit. Vitin e kaluar, numri i lindjeve për 100 gra në moshë riprodhimi arriti në 121 fëmijë nga 132 që ishte në vitin 2021, ndërsa në vitin 1990 për 100 gra numri i lindjeve ishte 300 fëmijë.

Braktisja e vendit nga të rinjtë për rreth tre dekada me radhë, po jep efektet kaskadë në rënien e numrit të lindjeve dhe normave të fertilitetit. Rënia e popullsisë në moshat e reja është më e forta që nga viti 2015 kur vendi u përfshi nga një valë e lartë e azilkërkuesve në vendet e BE. Të dhënat për vitin 2021, i cili ishte një vit i pazakontë për nga mortaliteti që shkaktoi pandemia, tregojnë se  vdekjet ishin rreth 30% më të larta se mesatarja e viteve 2016-2019. Sipas Monitor edhe pas pandemisë, të dhënat mbi shtesën natyrore mbetën shqetësuese.

Në tremujorin e dytë të vitit 2023 qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça me 184 vdekje më shumë se lindje.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se disa bashki, kryesisht në Jug, rrezikojnë të shpopullohen, teksa mbyllja e shkollave është e sigurt. Që nga Censi i vitit 2011, gjatë një dekade, në vendin tonë, numri i lindjeve në rang kombëtar ra me 20%, por në 35 bashki nga 62 gjithsej, rënia e lindjeve ishte nga 30-70%.

Rënia më e madhe e lindjeve rezultoi në Bashkinë e Pustecit, e cila nuk pati asnjë lindje më 2021, nga rreth 23 të tilla në vitin 2011. Bashkia e Tropojës u rendit e dyta për rënien e lindjeve gjatë dekadës, me 62%. Në qytetin verilindor lindën vetëm 115 foshnja, nga 303 në vitin 2011. Në bashkinë e Dropullit në 2021-shin kanë lindur vetëm 4 bebe, në Bashkinë e Libohovës vetëm 21 foshnja, në Bashkinë e Finiqit për vitin 2021 kanë lindur vetëm 23 bebe, 74% më pak se në vitin 2011.

Për shkak të normës së ulët të fertilitetit, në shumicën e bashkive në vend, shtesa natyrore e popullsisë është negative, ku vdekjet janë shumë më të larta se lindjet. Pothuajse në të gjitha bashkitë, ritmet e lindshmërisë ranë me ritme dyshifrore, përveç Tiranës, e cila në vitin 2021 kishte 6.7% lindje më shumë se më 2011.

Të dhëna krahasuese nga Kombet e Bashkuara tregojnë se rënia e fertilitetit në Shqipëri nga 1990–2021 ishte tre herë më e lartë se në 52 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore. Por teksa shtetet e tjera i paraprinë situatës, duke ofruar paketa sociale për të ngadalësuar rënien, Shqipëria ende nuk e ka qartë të problemin. Politika e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për nxitjen e lindjeve dështoi. Bonusi i bebeve që nga viti 2019 kur nisi aplikimin e deri më 2022, reflektoi një pakësim të numrit ët bebeve me 13.5%.  Masat financiare që jepen vetëm një herë, siç është në rastin kur lind fëmija, nuk janë efikase, ndaj ekspertët bëjnë thirrje për një paketë masash që të ulë kostot për rritjen e fëmijëve dhe të mbështesë familjet e reja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco