SYRI TV/ Raporti i BERZH: 40% e burrave shqiptarë vuajnë nga simptomat e shëndetit mendor

14:38, 30/11/2023
A+ Aa A-

Raporti i Tranzicionit të BERZH për vitin 2023, nxjerr në pah se më tepër se gjysma e popullsisë së Shqipërisë ka vuajtur nga një lloj simptome e shëndetit mendor. Në raport, Shqipëria renditet në mesin e vendeve me nivele më të larta të problemeve me shëndetin mendor, ku nga 38 vendet në tranzicion të BERZH, zë vendin e 18-të.

Nga SYRI TV

Problemet e shëndetit mendor në vendin tonë janë përhapur në mënyrë masive. Kjo konstatohet edhe nga Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për vitin 2023, ku evidentohet se më tepër se gjysma e popullsisë së Shqipërisë ka vuajtur nga një lloj simptome e shëndetit mendor. Raporti nxjerr në pah se në Shqipëri në vitin 2023, 40% e burrave dhe 58% e grave kanë vuajtur nga një simptomë e shëndetit mendor. Në grafikun e paraqitur Shqipëria renditet në mesin e vendeve me nivele më të larta të problemeve me shëndetin mendor dhe nga 38 vendet në tranzicion të BERZH, zë vendin e 18-të.

Në aspektin gjinor vihet re se në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, janë femrat ato që vuajnë më shumë nga shëndeti mendor, në krahasim me meshkujt. Megjithatë tek meshkujt reflektohen më tepër shenja të tjera të shqetësimeve mendore, si abuzimi me substancat narkotike, por edhe simptoma që mund të tregojnë dobësi, si humor të ulët ose sëmundje, sepse u përmbahen më shumë normave tradicionale që lidhen me maskilitetin.

Nga ana tjetër, të rinjtë dhe të moshuarit kanë prevalenca më të larta të problemeve me shëndetin mendor, pasi 40% e tyre në rang global raportojnë çrregullime të paktën një herë në javë. Në aspektin e moshës, prevalenca e problemeve mendore vlerësohet se arrin kulmin në mesin e të tridhjetave.

Shkaqet kryesore që kufizojnë aftësitë e njerëzve janë çrregullimet mendore si depresioni, ankthi dhe çrregullimet e personalitetit. Të anketuarit raportuan se si pasojë e çrregullimeve emocionale nga stresi dhe depresioni, kanë aftësi të dobëta në ushtrimin e detyrave ditore.

Në anketën e BERZH u përfshinë edhe pyetje nëse njerëzit përjetojnë trishtim, depresion, ankth, apati dhe sa shpesh i kanë këto ndjesi. Teksa shëndeti i fortë mendor lidhet me nivelet e larta të optimizmit për jetën, raporti vëren se edhe në këtë tregues, popullsia e Shqipërisë që prej vitit 2016 nuk ka bërë asnjë përmirësim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco