Diplomohen 30 studentët e parë të Kriminologjisë

Diplomohen 30 studentët e parë të Kriminologjisë

19:07, 27/09/2023
A+ Aa A-

Një ceremoni për të diplomuar 30 studentët e parë që përfunduan programin Master në Kriminologji dhe për të falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë program u zhvillua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, më 27 shtator 2023.

Programi Master-i themeluar në dhjetor 2020 me nismën dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE-së – ka për qëllim të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve të drejtësisë penale, akademikëve dhe hartuesve të politikave në parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri, në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe me angazhimet e OSBE-së. Ai është Masteri i parë Ekzekutiv në Shqipëri i përfshirë në ciklin e tretë të studimeve, që e bën atë të barabartë me një doktoraturë.

‘Sot, ne po korrim rezultatet e përpjekjeve tona, pas më shumë se pesë vitesh pune intensive. Masteri në Kriminologji ka dëshmuar tashmë potencialin e tij për të sjellë risi për vendin: duke u larguar nga një qasje klasike ndaj kriminalitetit, mbështetur te hetimi dhe ndëshkimi, dhe duke e zhvendosur fokusin te një qasje më gjithëpërfshirëse, restauruese dhe empirike’, tha ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, tha: ‘Masteri ekzekutiv ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e kriminologjisë dhe kjo do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të stafit akademik dhe të studentëve. Në zbatim të projektit të Prezencës së OSBE-së për krijimin e programit master, është përmirësuar infrastruktura akademike duke zhvilluar më tej përfshirjen e studentëve në kërkim shkencor’.

Prej vitit 2019, Prezenca e OSBE-së dhe Fakulteti i Drejtësisë kanë punuar intensivisht për të zhvilluar strukturën dhe kurrikulën e programit, dhe për të ndërtuar kapacitetet dhe burimet e Universitetit të Tiranës për të ofruar dhe menaxhuar atë. Nëntëdhjetë studentët e regjistruar që prej fillimit në këtë program vijnë nga profesione të ndryshme. Ata janë kryesisht oficerë të policisë gjyqësore, avokatë mbrojtës, pedagogë të Akademisë së Sigurisë, punonjës të administratës së Kuvendit, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të drejtësisë penale. Programi Master ofron një kurrikulë të integruar dhe gjithëpërfshirëse, e cila është e dobishme për ndjekjen e karrierave të ndryshme në sistemin e drejtësisë.

Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Prezencës së OSBE-së ‘Për ngritjen e programit master në kriminologji’, i cili financohet nga Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, në Departamentin Amerikan të Shtetit, nga Misioni i SHBA-së në OSBE, nga ambasada britanike në Tiranë dhe nga qeveria e Italisë. Prezenca e OSBE-së e zbaton projektin në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco