Orët e fundit disa nga qytetet e vendit janë përfshirë nga moti i keq dhe me reshje të dendura shiu.
Sipas informacioneve mësohet se qyteti i Pogradecit ka qenë dhe zona më e goditur nga reshjet ku si pasojë më shumë se 40 fshatra të juglindjes janë pa energji elektrike.
Shkak janë bërë kushtet e vështira atmosferike me reshje të shumta shiu shoqëruar me erë të fortë në zonat malore.
Dhe për të na dhënë një situatë më të qartë në lidhje me motin për ditët e mbetura të shtatorit dhe fillimin e muajit tetor, ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe shqeto’ në SYRI.TV, Anira Gjoni, zëdhënëse e IGJEUM.
Kafe shqeto: Reshje të dendura shiu dhe përmbytje në disa nga qytetet e kryesore në vend. Mund të themi se zyrtarisht ka nisur vjeshta dhe a është momenti që qytetarët të pajisen me çadra kur dalin nga shtëpitë e tyre?
Gjoni: 24 orët e fundit kemi qenë të shoqëruar me një mot të paqëndrueshëm me reshje intensive kryesisht në qarqet e jugut dhe atë të juglindjes. Për ditën e sotme presim që situata të qetësohet, do të ketë reshje edhe ditën e sotme por do të jenë më të dobta kryesisht në jug të vendit, por jo më problematike siç ishin ditën e djeshme.
Kafe shqeto: Temperaturat do të vijojnë të jenë siç kanë qënë këto ditët e fundit?
Gjoni: Dita e djeshme u shoqërua me një ulje të temperaturave por gradualisht gjatë ditës së sotme dhe ditës së nesërme do të kemi sërish deri në fundjavë rikthimin e temperaturave deri në 30 gradë Celsius, kryesisht në perëndim të vendit, pra në zonat e ulta dhe në ato bregdetare.
Kafe shqeto: Cilat janë zonat më të rrezikuar në vend, ato që duhet të kenë kujdes më të shtuar në momentin kur ato do të fillojnë reshjet e shiut sërish?
Gjoni: Muaji shtator ka qenë i ngrohtë me temperatura 3-6 gradë mbi mesataren që duhet të jetë muaji shtator. Edhe përgjatë dy javë të para të tetorit presim që të jenë të ngrohta. Reshjet që na shoqëruan gjatë këtyre 24 orëve do të pushojnë gjatë kësaj jave, vetëm nga enjta dhe e premtja do të kemi sërish reshje të dobta në jug të vendit. Nuk presim të kemi reshje në ditët në vijim.
Kafe shqeto: Pra kjo koha e ngrohtë që na ka shoqëruar gjatë gjithë muajit shtator do të vijojë deri në fund të kësaj jave, pastaj do të rikthehen reshjet e shiut dhe pastaj zyrtarisht kemi hyrë në vjeshtë?
Gjoni: Po
Kafe shqeto: Ndonjë këshillë për qytetarët?
Gjoni: Përveç faktit që muaji u mbyll i ngrohtë dhe presim që dhe fillimi i tetorit të jetë i ngrohtë, pastaj në vazhdim do të duhet që të përditësohemi me anë të inforamcioneve të përditshme që ne japim. Ndërkohë që dimri është ende larg.
© SYRI.net