VIDEO/ 'Shkoni tek ky vend ku gjendet Guri i Mëngjesit, pyjet me mështekna, Zambaku i Poetit ...'

VIDEO/ 'Shkoni tek ky vend ku gjendet Guri i Mëngjesit, pyjet me mështekna, Zambaku i Poetit ...'

19:59, 07/06/2023
A+ Aa A-

Nga Prof. Abdulla Diku, inxhinier pyjesh, natyralist.

Shishtaveci. Është një zonë shumë e bukur natyrore, rreth 30 km larg qytetit të Kukësit. Rruga për të vajtur atje është shumë e mirë (e asfaltuar) dhe shumë panoramike. Kalohet përmes grykës së Vanave dhe më pas ngjitet nëpër një faqe pothuajse vertikale, duke përshkuar kthesa të forta. Vetë rruga ka elementë sigurie ndaj mos u trembni nga kthesat.

Pavarësisht rrugës dhe grykës së Vanave ku të krijohet përshtypja se po shkon në ndonje majë mali, vetë Shishtavesi është një pllajë e madhe, e cila kur e sheh nga larg duket si rrafshnaltë e vendosur mes maleve në lartësinë 1200-1300 metra.

Përveçse është një ndër zonat më të bukura natyrore që kemi, ka edhe disa monumente natyrore që ja vlen të vizitohen. Ndër to përmendim;

Guri i Mëngjesit. Është një masiv shkëmbor shumë interesant, që ngrihet në horizont, dhe ka qenë një shenjë orientuese përgjatë rrugëve që kanë lidhur qytetërimet e hershme të ngulitura në kërthizën e vargmaleve të Sharrit.

Pyjet me Mështekna. Një lloj shumë i rrallë ky (Betula pendula Roth) për dendroflorën e Shqipërisë, dhe ku në Shishtavec formon një masiv pyjor me rreth 30 ha. Mështekna është një ndër drurët më të bukur që kemi.

Guri i Shqipes. Gjendet afër fshatit Borje, në lartësinë 1580 m mbi nivelin e detit. Ai përbëhet nga një shkëmb konglomerat me gjatësi 100 m, gjerësi 80 dhe lartësi 27 m. Është shumë panoramik, shumë i fotografuar.

Plloça e Zhifkeve. Është një shkëmb që duket sikur është shtypur (rrasë) që gjendet në kufirin midis bjeshkëve të Shishtavecit dhe Bjeshkët e Sharrit. Nga shikimi në distancë ky gur të ngjason me fytyrën e një njeriu.

Lëndinat me zambakun e poetit. Zambaku i poetit (Narcissus poeticus) njihet edhe si Lulezoja, Luleshelgji etj. në Shishtavec formon tapetin më të dendur në Shqipëri, duke ju dhënë livadheve me gjelbërim ngjyrën e bardhë të luleve. Askund tjetër nuk ka si këtu!

Shishtaveci bëhet vendi i dytë në Shqipëri ku gjendet lulja shumë e bukur; lulebardha trigjethëshe (Menyanthes trifoliata L.). Shihni foton e sajë këtu.

Përveç monumenteve natyrore, ushqimi dhe gatimi janë të mrekullueshëm. Ka edhe bujtina për të kaluar natën.
Ka edhe histori e ngjarje shumë interesante se si janë arratisur persona të ndryshëm nga zona, apo se si banorët e zonës arrinin të komunikonin me të afërmit e tyre matanë kufirit. Duken gjëra të pabesueshme tani, por janë krejt të vërteta.

Banorët janë shumë punëtorë, mikpritës dhe të zgjuar.

Shishtaveci është brenda zonës së mbrojtur “ Korab- Koritnik”, park natyror.

Ia vlen të vizitohet pasi ka plot gjëra të cilat ju tërheqin e ju bëjnë të kaloni kohën pa e ndjerë fare.

Image

Zambaku i poetit, Lulezoja, Luleshelgji, Lulebatre (Narcissus poeticus L.) në Shishtavec formon një tapet të bardhë si askund tjetër në Shqipëri.

Image

Image

Mështekna – ‘druri i shenjtë’ në Shishtavec

Image

Image

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco