SYRI TV/ Arinjtë mësyjnë në fshatrat e Korçës, sulmojnë kosheret e bletëve

19:04, 03/06/2023
A+ Aa A-

Bletërritësit në fshatin Damjanec të Korçës po përballen me humbje të mëdha, pasi gjatë natës arinjtë i sulmojnë kosheret e bletëve. Të gjendur në këtë situatë ata janë detyruar të zhvendosin kosheret në zona të tjera. Dëmtime nga arinjtë në ferma bletësh ka pasur edhe në fshatra të tjerë të njësive administrative Voskop dhe Voskopojë.

Nga SYRI TV

Fshati Damjanec nuk është më shumë se 11 km larg nga qyteti i Korçës. Përpara 20 vitesh në zonë ka pasur rreth 110 shtëpi, ndërsa tani nuk numërohen më shumë se 10 të tilla. Aktiviteti ekonomik i banorëve të zonës përbëhet nga bletaria, blegtoria dhe më pak nga bujqësia.

Mehdi Horanlli ka më shumë se 300 koshere të vendosura në disa zona te fshatit, i cili në total ka më shumë se 700 koshere.

Horanlli tregon për Syri TV se ditët e fundit janë përballur me një fenomen që nuk e kanë hasur më parë. Arinjtë sipas tij mësyjnë natën kosheret e bleteve duke sjellë dëmtime të mëdha.

E gjithë kjo sipas bletërritësve ka ardhur edhe për shkak të largimit të banorëve nga fshati duke mos pasur persona që të kujdesen natën për fermat e bletëve. E vetmja mundësi sipas tyre është vrasja e arinjve, por këtë nuk mund ta bëjnë për sa kohë nuk e kanë lejen e duhur.

Një tjetër bletërritës, Shpëtim Hoxhalli, për shkak të dëmtimeve që i kanë bërë arinjtë në fermën e bletëve, ka parë si rrugëzgjidhje heqjen e të gjitha koshereve nga kjo zonë për t'i vendosur në një lagje periferike të qytetit të Korçës.

Dëmtime nga arinjtë në ferma bletësh ka pasur edhe në fshatra të tjerë të njësive administrative Voskop dhe Voskopojë, por tashmë arinjtë po rrezikojnë edhe jetën e atyre pak banorëve që jetojnë në fshatrat e shpopulluar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco