Shuhet nëna 29-vjeçare në maternitet/ Familjarët akuzojnë: Duan lekë...

Shuhet nëna 29-vjeçare në maternitet/ Familjarët akuzojnë: Duan lekë...

08:56, 02/02/2023
A+ Aa A-

Kur ende nuk është zbardhur asnjë detaj nga komplikacionet pas abortit që i morën jetën së resë në Elbasan, një tjetër vdekje nëne trondit vendin. Në Tiranë një 29-vjeçare ndërron jetë pasi kishte kryer lindjen dhe kishte dalë nga spitali bashkë me djalin e saj. Sipas të dhënave, gruaja ka pësuar komplikacione paslindjeje që i kanë sjellë edhe vdekjen, ndonëse ajo ka ardhur sërish e gjallë në spital, por që mjekët nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë.

E nëse për rastin e Elbasanit, Policia dhe Prokuroria janë paraqitur për të kryer sekuestrimin e të gjithë praktikës mjekësore ndjekur me rastin e ndërhyrjes për abort dhe më pas edhe te ndihma që i duhej dhënë pacientes, në rastin e Tiranës nuk ka ende asnjë njoftim që Prokuroria të ketë nisur hetime. Ajo çka u mësua pas vdekjes së nënës së re, që ka lënë djalin e saj vetëm 4 ditësh është akuza e familjarëve, të cilët hedhin mbi mjekët e Maternitetit “Kiço Glozheni”, të cilët ditën e djeshme kanë zënë derën e spitalit për të komunikuar me mjekun që e ka marrë përsipër.

Mimoza Veizaj vetëm 29 vjeç ka ndërruar jetë ditën e djeshme në ambientet spitalore, në vendin ku ajo me datë 28 janar kishte lindur në mënyrë natyrale fëmijën e saj të parë, një djalë me peshë 5 kilogram. Por, ajo pasi ka lënë spitalin dhe ka shkuar në shtëpi, lënie spitali që sipas mjekëve e ka kërkuar vetë, ka pësuar komplikacione dhe është kthyer sërish në spital, shkruan Panorama.

Mjekët në reagimet e tyre të së djeshmes kanë treguar se gjendja e saj ka qenë e rënduar dhe e kanë pasur të pamundur ta shpëtojnë. Familjarët e saj të bashkuar para portës së maternitetit kanë akuzuar mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” për mosdhënien e mjekimit me pasojë vdekjen e vajzës dhe nuses së tyre. Sipas të dhënave, mësohet se më 28 janar ajo kishte lindur pa probleme, por katër ditë më vonë pati shqetësime dhe humbi jetën.

Të afërmit protestuan te spitali, ndërsa trupi i pajetë iu dorëzuar mjekësisë ligjore për zbardhjen e shkakut të vdekjes. Ngjarja u bë e ditur pas protestës së familjarëve, pasi nga stafi i maternitetit ka pasur një telefonatë në Policinë e Tiranës ku është pretenduar se një nga familjarët e gruas kishte goditur xhamat e spitalit. Mësohet se ka qenë pikërisht një person i afërt i së ndjerës, i cili ka tentuar të hyjë në spital të gjejë mjekun, pasi askush nuk iu ka dhënë përgjigje.

Ai është penguar e për pasojë edhe ka reaguar në atë mënyrë. Ata thanë për mediat se “nuses edhe në spital i kishte rënë të fikët. Fajin e ka doktori. Duhet të flasim me të e ta gjejmë nga se i ka ardhur. Nga gjilpëra e tepërt që i ka bërë ai apo nga dikush tjetër. Duan lekë këta qen se asgjë tjetër nuk ka këtu. Lindja shkoi shumë mirë. Faji është i doktorit. Fëmija ka lindur 5 kg, sipas atyre. Këtu loz leku, po dhe lekë shpëton kokën, po nuk dhe nuk shpëton i gjallë”, kanë thënë familjarët.

Sipas të dhënave të pakta që kanë dalë nga spitali është bërë me dije se lindja ka qenë normale, vetëm me një episod kalimtar temperature. Por, familjarët pretendojnë se gruaja ka shkuar në spital në 3 të natës dhe ka lindur 12 orë më vonë. Sipas tyre, 29-vjeçarja nuk ka pasur probleme shëndetësore më parë. Në reagimin e spitalit thuhet se pas 48 orësh ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga materniteti me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar.

Por disa ditë pas lindjes, nëna e re është paraqitur sërish në spital me dobësi trupore dhe është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku gjendja është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë. Burime spitalore thanë se 29- vjeçarja dyshohet se ka pësuar tromboemboli pulmonare të shoqëruar me arrest kardiak, megjithatë pritet që ekspertiza mjekoligjore të zbardhë shkakun e vdekjes. Nga ana tjetër, familjarët kanë thënë se pas lindjes në spital dhe kthimit në banesë, gruaja ka pasur dhimbje në pjesën e brinjëve dhe mpirje të këmbës si pasojë e shërbimit të munguar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco