SYRI TV/ Emigrantët lënë Shqipërinë, radhë të gjata në pikat kufitare

14:39, 02/01/2023
A+ Aa A-

Përfundimi i festave të fundvitit ka bërë që shumë emigrantë të lënë atdheun dhe të rikthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Këtë të hënë ka pasur radhë të gjata dhe fluks të shtuar në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës

SYRI TV

Përfundimi i festimeve për vitin e ri ka shkaktuar radhë të gjata në pikat kufitare të vendit për shkak të rikthimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Fluks i shtuar është krijuar në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët po rikthehen në vendin fqinj Greqi, pasi kaluan festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre.

Për të përballuar fluksin e lartë pala shqiptare po punon me 5 sportele, 1 në hyrje dhe 4 në dalje. Sipas të dhënave rezulton se në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri 1247 persona dhe kanë dalë 2201 persona. Ndërsa prej orës 24:00 dhe deri paraditen e së hënës kanë hyrë në territorin tonë 682 persona dhe 157 mjete, ndërsa kanë dalë 1885 persona dhe 548 mjete. Ndërkohë mësohet se ka pasur probleme edhe me sistemin në pikat kufitare.

Edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës këtë të hënë vihet re një fluks i shtuar i automjeteve, të cilat i drejtohen Greqisë. Sipas të dhënave rezulton se përgjatë 1 janarit në Kapshticë kanë dalë 2617 persona, e ndërsa gati gjysma kanë hyrë në Shqipëri, më konkretisht 1343 shtetas. Ndërsa në Qafë Thanë, kanë hyrë 1492 dhe kanë dalë 1904 shtetas. Në këtë pikë kufitare autoritetet shqiptare po punojnë me kapacitete të plota 4 në dalje dhe 3 në hyrje. Fluksi i krijuar ka shkaktuar radhë dhe pritje të gjata, ndërsa në ditët vijuese pritet që numri i automjeteve të rritet ndjeshëm.

Kjo panoramë tashmë është kthyer në diçka të zakonshme, veçanërisht në rastet e festave dhe pushimeve verore, periudha kur emigrantët frekuentojnë më shumë atdheun.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco