'Përleshja e vajzave në 'Përputhen', AMA dhe shoqëria'

'Përleshja e vajzave në 'Përputhen', AMA dhe shoqëria'

13:05, 17/12/2022
A+ Aa A-

Nga Marjola Bejkollari.

Refleksione nga Nju Jorku, dhjetor 2022 - “Përputhen” është një program televiziv që dhe pa e ndjekur nuk i shpëton dot episodeve tek-tuk të shkëputura si pasojë e marketingut të skajshëm në mediet sociale.

Një program të tillë televiziv edhe personazhet e Shekspirit, Romeo e Zhulieta do t’ia kishin zili shikueshmërinë. Ky model, por edhe të tjerë syresh të ngjashëm të japin perceptimin se janë të ideuara të përcjellin mesazhe dashurie.

Por, përcjellin vërtetë mesazhe dashurie, a janë vërtet të tilla? A është ky qëllimi i këtyre shfaqjeve në ekrane? Sigurisht ne investojmë dhe shpenzojmë kohë përpara ekranit për shfaqje të tilla. Por a ia vlen vërtetë të shpenzosh sado pak nga kohë nga jeta jote me transmetime të tilla? A janë modele për t’i pëlqyer, ndjekur e që përcjellin vlera?

Kirurgjia plastike marketohet me tepri në këto emisione, nuk do mend, por tjetër çfarë transmetohet tek shoqëria shqiptare? Po. Transmetohet dhe frymëzohet dhuna fizike e verbale nga vajzat, personazhet e këtij të ashtuquajtuari spektakël.

“Kurioze” po ndiqja këtë situatë “dramatike” ku vajzat model “telenovelash” që çirren, fyejnë shoqja-shoqen duke vijuar me shuplaka.

Nuk do shumë inteligjencë se kushdo që shikon këtë mizeri skenike, përfshihet dhe transmeton energji negative. E duke bërë analizën e këtij brezi rinie, që shesin luksin dhe shfrenimin drejt marrëzisë, por aspak thjeshtësinë dhe natyralitetin njerëzor, të vjen instiktivisht një pyetje: Po ku është fshehur ajo rini që ka çfarë të japë dhe të frymëzojë pjesën tjetër të gjeneratës së saj?!

Mungojnë modelet, mungon frymëzimi shekspirian i dashurisë, frymëzimi hygoist i dhembshurisë? Nuk ka vërtetë frymëzim, apo modelet tipi Kardashian dhe luksi të TikTok- ut i ka transformuar neuronet kësaj rinie, e ka bërë sipërfaqësore?

Sa promovohen modelet qe paraqesin vlera apo përpiqen të ngrihen profesionalisht me mundin e tyre?!

Është kjo shoqëri që i ka shtypur apo tranzicioni 32-vjeçar që nga një anë e do Shqipërinë si Europa dhe nga ana tjetër e kthen në primitivizëm, ka çoroditur një brez që mendon se çka fluturon, hahet?!

Këto mendime dhe shumë të tjera më tirren skutave të mendjes time, me dhimbjen tek shoh këtë brez rinie në venitje. Që një fenomen të mos ndodhë, merren masa te modelet që duhet të ushqejnë shoqërinë.

Sociologet dhe psikologet në Shqipëri nuk do të shpiknin rrotën, pasi ajo është shpikur të tjerët mijëra vite të shkuara, por ama zërin mund dhe duhet ta ngrenë për greminën drejt së cilës po shkon shoqëria jonë.

Ku janë ata? A reagojnë ndaj këtyre fenomeneve? Ç’nisma shoqërore marrin ? Përse nuk venë kujën për emisione që e nxjerrin njeriun jashtë binarëve, jashtë formatit natyral, të bukur dhe e shndërrojnë në qenie apo një kafshë laboratorike?! Ky është emancipimi që marketojnë në rrjetet sociale nga këto produksione?

Ja pra, lajmi i keq shet.

Para pak kohësh nisma “S’ka ma turp”, si një revoltë për papranueshmërinë mbi këto modele vulgare e aspak me vlera denoncoi me forcë këto modele. E si u trajtua reagimi i shumë njerëzve që i kundërshtojnë këto emisione?

Te gjithë pyesin: Pse ikin shqiptarët? E unë në këtë moment reflektimi, përvec modeleve aspak inkurajuese të suksesit, do t’u tregoja këtë episod të shëmtuar të marketuar nga media.

Kush nga ne do të donte të rriste fëmijët në shoqëri që përcjell dhunë e modele artificiale ku vlerat i lënë vendin vulgaritetit?! Cili nga prindërit nuk do të shqetësohej për ambientin që do rrethonte fëmijën e tij?!

E si arsye madhore unë pranoj të rifilloj jetën në një kontinent tjetër mes shumë sakrificash, duke djegur si një letër, një investim prej vitesh të tëra, vetëm që im bir të shohë të ardhmen tek frymëzimet dhe dashuria e vërtetë për njeriun natyral.

Por kush fiton pas gjithë kësaj? Këta “yje”, e ardhmja do t’i bëjë nëna dhe ndoshta edukatore, mësuese, kujdestare për kategori të miturish, të moshuar, personel spitalor e institucione. Ky do jetë formati i tyre i sjelljes, këtë model do të përcjellin?!

Më në fund, të premten, më 16 dhjetor reagoi edhe AMA, autoriteti i Mediave Audiovizive. Por sipas mendimit tim ky reagim qe i vonuar dhe pjesor dhe erdhi vetëm si shkak i reagimit të opinionit publik. E them të vonuar dhe pjesor, pasi AMA nuk duhet të merret me individët, por të godasë dhe të ndëshkojë fenomenet dhe sigurisht krijuesit e këtyre eksperimenteve.

AMA që në momentet e para duhej të kishte marrë hapa të ashpër ligjorë e ndëshkime si parapritë e formateve të ardhshme që mund të na zënë sytë në ekranet e shtëpive. Hapa të tillë duhen ndërmarrë sot që nesër të mos jetë vonë. Çfarë mbjell sot, sigurisht do ta korrësh mot!

 

*Marjola Bejkollari, Msc. Marketing & Management, Bank, N. York

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco