VIDEO/ Po e humbim Kepin e Rodonit! - Nga Prof. Abdulla Diku

VIDEO/ Po e humbim Kepin e Rodonit! - Nga Prof. Abdulla Diku

13:21, 02/12/2022
A+ Aa A-

Nga Prof. Abdulla Diku

Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Kepi i Rodonit është një monument shumë i rëndësishëm natyror por edhe kulturor për Shqipërinë. Pavarësisht rëndësisë së madhe që ka si zonë (vend i shenjtë, kalaja e Skënderbeut, monunent natyre), erozioni po ja shkurton jetën me ritme shumë të shpejta asaj zone të bukur natyrore.

Erozioni është një problem i madh botërorë por veçanërisht për Kepin e Rodonit është gangrena që po i shkurton jetën me shpejtësi marramendëse.

Arsyet më kryesore janë;

1. Gjeologjia. Shkëmbinjtë e ndryshëm kanë fortësi të ndryshme e për pasojë dhe rezistencë të ndryshme ndaj ujit. Shkëmbinjtë e fortë pësojnë dëme minimale nga energjia kinetike me të cilën dallgët e detit përplasen me to. Në Kepin e Rodonit shkëmbinjtë e mirëfilltë mungojnë ose ka në pak raste vetëm shkëmbinj të butë ranorë, të cilat janë njëkohësisht edhe më të dobëtit që ekzistojnë. Në fare pak raste, në nivelin e detit shfaqen fragmente horizontale shkëmbinjsh sedimentarë të cilët luajnë një rol modest në mbrojtjen e pjesës së sipërme të shpateve.

2. Morfologjia e terrenit. Sa më i pjerrët të jetë terreni aq shumë favorizohet erozioni si fenomen dhe për rrjedhojë më i madh është dëmi që shkakton ai. Kjo pasi toka e ngopur me ujë nga reshjet, rrëshqet lehtë nëse shpatet janë të pjerrëta. Në Kepin e Rodonit shpatet kanë pjerrësi shumë të madhe. Në çdo anë të tijë vërehen rrëshqitje të vazhdueshme toke e cila përpihet më pas nga deti. Ca tufa me shkurre përpiqen të mbajnë me rrënjët e tyre disa pjesë nga shpatet, por graviteti po dominon dukshëm në këtë luftë mijëra vjeçare.

3. Veshja e shpateve me bimësi. Pjerrësia e madhe e shpateve e bën thuajse të pamundur instalimin e bimësisë atje. Rrëshqitja e vazhdueshme dhe pjerrësia e madhe bën që asnjë lloj bime të mund të mbijë e të zhvillohet atje.

4. Rritja e nivelit të detit. Është një problem i madh për zonën pasi sa më shumë që rritet niveli i detit, aq më shumë tokë përmbyt dhe gërryen deti nga shpatet.

5. Intensiteti i reshjeve që bien. Sezonet me thatesirë të tejzgjatur dhe më pas të shoqëruar me reshje intensive shiu bëjnë që sasia e tokës që gërryhet nga uji të jetë gjithnjë e më e madhe. Veçanërisht kur toka si në rastin e Kepit të Rodonit është e shkrifët dhe e shtresëzuar me breza argjilorë të cilët lehtësojnë më tej rrëshqitjen e shpateve drejt detit.

Të gjithë faktorët e përmendur më sipër, bëjnë që shkalla e ekspozimit ndaj erozionit në Kepin e Rodonit të jetë shumë e lartë. Kjo e bën këtë zonë unike për Shqipërinë, kandidate shumë serioze për tu zhdukur njëherë e përgjithmonë nga trojet tona si sipërfaqe tokësore.

A ka zgjidhje?!

Menaxhimi i erozionit është ndër proçeset më të kushtueshme. Gjithsesi, në raste si Kepi i Rodonit duhen ndërmarrë domosdoshmërisht masa bio-inxhinierike. Pra, masa që konsistojnë në stabilizimin e shpateve si fillim, dhe më tej përdorimin e bimësisë për të mbuluar sipërfaqen e tokës dhe për ta mbrojtur atë nga erozioni në vijim. Përreth bazës së shpateve duhen vendosur dallgëthyes për të ulur energjinë e përplasjes së dallgëve me shpatet.

Shpatet e pjerrëta dhe me lartësi rreth 30 metra kërkojnë shumë punë, kohë dhe investime. Por, në fund të fundit zgjidhja varet vetëm nga ne.

Nëse duam ta shohim dhe ta kemi Kepin e Rodonit, duhet të fillojmë e të investojmë për ta mbrojtur atë.

Nëse rrimë vetëm duke bërë shqiponjën në FB, Rodonin do e kemi vetem në letra. Vetë jam shumë optimist se do të ndodhë e dyta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco