Kushi: Ulet mesatarja e pranimit në disa programe bachelor, për mësuesinë nga 7.5 shkon në 6.5

Kushi: Ulet mesatarja e pranimit në disa programe bachelor, për mësuesinë nga 7.5 shkon në 6.5

13:10, 26/05/2022
A+ Aa A-

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim,  i cili përcakton notën mesatare për maturantët, që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitete.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha pas mbledhjes së qeverisë se “se me reformën e mësuesisë të vitit 2017 sot të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë për mësuesi, duhet të kenë minimumin e mesatares 7.5, por ndërkohë që shqetësimet që kemi pasur nga universitetet lidhen me faktin se në këto programe jo të gjithë maturantët që regjistrohen duan të bëhen mësues, njofton ATSH.

“Jemi të gjithë dakord që mësuesit duhet të jenë më të mirët dhe kemi dakordësi edhe me universitetet që kriteri për ata që duan të bëhen mësues duhet të jetë 7.5, por në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të vazhdojnë edhe një profesion tjetër. Pra jo të gjithë ata që vazhdojnë për gjuhë të huaj duan të bëhen mësues, për të vazhduar masterin në mësuesi, ka nga ata që duan të vazhdojnë masterin për përkthyes. E njëjta gjë është edhe me programet gjuhë letërsi, jo të gjithë ata që shkojnë për gjuhë letërsi duan të behën mësues, ka nga ata që janë të apasionuar pas letërsisë dhe duan të punojnë në një shtëpi botuese, të shkruajnë apo diçka tjetër”, theksoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “prandaj me vendimin e sotëm ne i japim mundësinë edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikulimit, që më pas të mos vazhdojnë për mësuesi, por të vazhdojnë për programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione tjera. Është një ndryshim që e kemi dakordësuar edhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve që regjistrohen në këto programe, të jetë më i lartë, sepse në këto vite ka qenë shqetësim nga universitetet që numri i regjistrimeve ka qenë shumë i ulët pikërisht për shkak të këtij kufizimi të mesatares.

Kushi tha se “për sa i takon mësuesve, ne përsëri jemi shumë rigorozë dhe kërkojmë që mësues të bëhen më të mirët. Mësues do të vazhdojnë të jenë maturantët që kanë mesatare minimumi 7.5. Ndërkohë që në këto programe ne do t’i hapim edhe për të tjerët që duan të marrin profesione të tjera, por të studiojnë për gjuhë të huaj, për bio-kimi, matematikë, fizikë etj”.

Ministrja Kushi bëri të ditur se jemi duke konkluduar një paketë për të mbështetur programet e mësuesisë si programe prioritare, edhe me reduktim tarifash, me përjashtim nga tarifat apo mbështetje studentore. Javën e ardhshme, besoj do të jetë gati dhe do ta prezantojmë si paketë të plotë për të nxitur sa më shumë të rinj e të reja të vazhdojnë për mësuesi, por edhe programe të tjera që janë prioritare për zhvillimin e vendit”.

E pyetur nga gazetarët se përse vjen ky vendim Kushi tha se “sistemi nuk është në krizë për mësues, por vjen për shkak se universitetet janë të shqetësuara se në këto programe ka shumë pak regjistrime për shkak të kriterin e notës mesatare.”

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nisur nga shqetësimet e ardhura nga institucione të arsimit të lartë për kriteret e pranimit në këto programe, me propozim të Ministrisë së Arsimit, sot u sollën disa ndryshime.

Për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj. kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.

Ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk lejon ndjekjen më pas të programeve të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.

Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues. Krahas ruajtjes së nivelit të cilësisë në profesionin e mësuesit, synohet edhe plotësimi i nevojave reale të tregut të punës, si dhe mospenalizimi i nxënësve apo studentëve të cilët synojnë profesione të tjera.

Ky vendim pritet që të rrisë numrin e studentëve në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në disa programe të tjera studimi që mundësojnë profesione të ndryshme përveç mësuesisë.

Ky vendim siguron trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe megjithëse nuk zgjedhin të bëhen mësues, duan të ndjekin programe të tjera studimi.

Qendra e Shërbimeve Arsimore do të ofrojë kode të veçanta matrikullimi për studentët që nuk vijojnë studimet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Alqi26/05/2022 14:46

Pika qe s'u bie ! Cfare lloj mesuesash do dalin keta me 6.5 ?

Shto koment

Denonco