Firma shqiptare punon natë e ditë që të prodhojë ambulanca për Ukrainën

Firma shqiptare punon natë e ditë që të prodhojë ambulanca për Ukrainën

09:04, 18/05/2022
A+ Aa A-

Një kompani e vogël në Shqipëri po përpiqet të plotësojë kërkesën dhe të prodhojë grupin e parë prej rreth 500 ambulancash që qeveritë dhe agjencitë po planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë, shkruan Reuters.

"Na u dhanë vetëm dy javë kohë për të prodhuar 11 ambulanca dhe për t'i dërguar ato në Ukrainë," një punë që zakonisht zgjat dy muaj, tha biznesmenia Arjeta Puca.

Kompanisë që punëson 14 persona, mes të cilëve tre nga Turqia, i është kërkuar të prodhojë qindra autoambulanca, por e ka të vështirë të marrë automjetet në Shqipëri.

“Ne kemi kërkesa për të bërë deri në 500 autoambulanca, përfshirë autoambulanca të blinduara, por problemi mbetet se nuk mund të gjejmë furgonat,” tha Puca të martën në punishten e saj jashtë kryeqytetit Tiranë.

Punëtorët po marrin furgona të rinj Ford ku po instalojnë bombola oksigjeni, drita blu, sirena dhe mjete të tjera. 11 ambulancat e para u porositën nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara dhe pasi të përfundojnë ato do të transportohen në Poloni dhe në Ukrainë.

Puca, kompania e së cilës “Timak” ka prodhuar ambulanca për Shqipërinë dhe Libinë, thotë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka treguar gjithashtu interes për 50 ambulanca.

Marrëveshja e parë me Ukrainën mund të mos ketë qenë më e favorshme nga pikëpamja tregtare, veçanërisht për një njoftim kaq të shpejtër, por Puca u ndje e gatshme për ta pranuar.  “Dëshira jonë ishte të jepnim kontributin tonë për Ukrainën … në këto kohë nuk duhet të mendoni vetëm për paratë,” tha ajo.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, Shqipëria anëtare e NATO-s i është bashkuar vendeve të tjera evropiane në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe ndalimin e avionëve rusë nga hapësira e saj ajrore.

Në fillim të marsit, bashkia e Tiranës riemëroi një rrugë ku ndodhen ambasadat ruse dhe ukrainase si Ukraina e Lirë për të nderuar rezistencën e Ukrainës.

Lufta në Ukrainë është një temë kryesore e bisedës kur punëtorët pushojnë duke pirë një cigare në punishten Timak.

“Nga ajo që kemi parë ditët e kaluara, ne ndiejmë dhimbje për atë që po ndodh atje dhe punojmë me shumë pasion këtu për t'i bërë gati ambulancat për në Ukrainë,” tha Izet Bytyci, një marangoz.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco