VIDEO-SYRI TV/ Nafta rikthen parmendën në Elbasan, fermerët punojnë tokën me kafshë pune

12:55, 16/05/2022
A+ Aa A-

Rritja e çmimit të naftës, rikthen përdorimin e mjeteve primitive në punimin e tokës në zonat e Elbasanit. Fermerët e Funarit kanë rikthyer parmendat dhe kafshët në punimin e tokës për të mbjellat e stinës, pasi nuk përballojnë dot kostot e përdorimit të mekanikës bujqësore. Nga ana tjetër, prodhimet e tyre mbeten pa shitur për shkak të rrugës së amortizuar

SYRI TV

Deri para disa dekadash këto pamje ishin të zakonshme në zonat rurale të Shqipërisë, ku bujqësia vijonte të ishte primitive për shkak të mungesës së mekanikës. Por, sot në vitin 2022, këto pamje janë rikthyer të shpeshta në zonat rurale shqiptare, ku për shkak të rritjes së çmimeve, fermerët po ripërdorin parmendat dhe kafshët për të punuar tokën.

Të tillë janë fermerët e zonës turistike të Funarit, të cilët nuk mund të përballojnë dot kostot e punimit të tokës me mjete bujqësore, ndaj kanë nxjerrë nga magazinat parmendat e dikurshme, për të përgatitur arën për të mbjellat e stinës.

Në këto kushte, të rinjtë kanë braktisur fshatin, pasi ndonëse pjesë e zonave turistike, Funari është lënë në mëshirë të fatit dhe pa investime nga pushteti lokal dhe ai qendror, ku problem kryesor për banorët dhe jo vetëm, është amortizimi i rrugës.

Rruga penalizon sipërmarrësit të investojnë në zonë, ndërsa fermerët e kanë të pamundur të nxjerrin prodhimet e tyre në tregjet e qytetit. Premtimet për rikonstruksionin e rrugës kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme nga pushteti lokal, por deri më sot, gjithçka ka mbetur në letër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco