VIDEO/ Kreu i KMSH-së uron besimtarët: Lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë

13:14, 01/05/2022
A+ Aa A-

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në ‘Sheshin Skënderbej’, Tiranë.

Pas një muaji agjërim besimtarët myslimanë do të festohet Bajrami i Madh dhe kreu i Kominiteti Mysliman Bujar Spahiu ka drejtuar një urim për të gjithë këta besimtarë, ndërsa përcolli mesazhin e paqes dhe stabilitetit për vendin tonë.

Mesazhi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër!

Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.

Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.

Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!

Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.

Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.

I Lartmadhëruari ka thënë: ‘Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.’ (El-Bekare).

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: ‘Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.’

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.

E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.

E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.

Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.

E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.

Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!

Programi i KMSH për Bajramin e Madh

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në ‘Sheshin Skënderbej’, Tiranë.

Programi fillon në orën 05:50 dhe mbaron në orën 06:30.

Programi i plotë i Fitër Bajramit:

05:50-Hapja

05:55-Lexim Kurani nga Besmir Krruta

06:00-Fjala përshëndetëse e kryetarit të KMSh-së, h. Bujar Spahiu

06:10-Ligjëratë nga nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica

06:20-Falja e Namazit të Bajramit, prin kryetari i KMSh-së, z. Spahiu

06:25-Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

TALLJA E MADHE DHE ENSURA MEDIATIKE01/05/2022 19:16

A mund të quhet Bajrami - Bajrama? Sepse në Shqipëri dihet që gjërat bëhet se thotë Rama dhe jo se thotë Zoti. Zoti nuk është gjëkundi. Zoti iu duhet vetëm fetarëve për të jetuar si pashallarë me gënjeshtra. Mjafton kujtoni Elvis Naçin, bosin fetar. Shqiptarët e shkretë kanë emigruar me qindra mijëra jashtë shtetit për një jetë më të mirë. Ndoshta do vijë një ditë që në Shqipëri do ketë vetëm ca pensionista, e ca skllevër dhe fetarët që luten si gjithmonë për ta. Sigurisht që media nuk ia plas gënjeshtrat në fytyrë këtyre fetarëve, por rri urtë duke i shërbyer pushtetarëve, sepse populli duhet për vota, qoftë edhe populli që beson akoma përrallat nga feja.

Shto koment

Denonco