VIDEO-SYRI TV/ Urdhri i Ballukut zhyt në errësirë 'njollat e rrezikshme'

12:28, 22/03/2022
A+ Aa A-

Akset kombëtare në të gjithë vendin, përfshirë zonat problematike për aksidente rrugore apo dhe lagjet me kriminalitet të lartë në qytete të ndryshme, mbetën në errësirë të plotë, për shkak të urdhrit të ministres Balluku për kursimin e energjisë elektrike. Syri televizion bëri një vëzhgim në disa qytete duke konstatuar ndërprerjen e energjisë, pavarësisht se ekspertët ngritën alarmin se ky vendim do të sjellë pasoja në rritjen e aksidenteve apo dhe të kriminalitetit

SYRI TV

Akset kombëtare, por dhe institucionet publike apo rrugë të brendshme të qyteteve, prej mbrëmjes së djeshme kanë qenë në errësirë të plotë, për shkak të urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës për kursimin e energjisë elektrike.

Pjesa e ndriçuar e aksit kombëtar, Tiranë-Durrës, nga sheshi “Shqiponja” deri te mbikalimi i Rinasit, ishin në errësirë të plotë pas orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme deri në mëngjes.

Hyrja e unazës jugore të qytetit të Durrësit mbeti pa energji prej orës 24:00, ndërsa akset e tjera si: Shkozet-Durrës, Shenavlash-Durrës apo Plepa-Durrës, energjia nuk u ndërpre.

Aksi prej 22 kilometrash, Lin-Pogradec, segmenti prej 18 km i aksit Korçë-Ersekë, si dhe unaza e qytetit të Korçës, gjithashtu mbetën pa energji.

Një nga akset problematike ku regjistrohen numër i lartë aksidentesh rrugore gjatë vitit, ai Milot-Lezhë, nga mbrëmja e djeshme shton rrezikun për drejtuesit e mjeteve, pasi do të jetë në errësirë të plotë. Energjia u ndërpre dhe në aksin Lezhë-Shëngjin, në disa lagje të qytetit si dhe gjithë shëtitorja e Lumit Drin.

Ndryshe nga qytetet e tjera të vendit, në Fier, mbrëmjen e djeshme nuk pati ndërprerje të energjisë elektrike, siç pritej. Burime nga OSHEE thanë se ndërprerja do të bëhet në mënyrë të alternuar, në ditët në vijim.

Disa lagje në Elbasan mbetën në errësirë të plotë, përfshirë dhe hyrjet apo daljet e qytetit. por burime nga policia e këtij qyteti thanë për Syri Televizion, se do të kërkohet rishikim i zonave ku ndërpritet energjia, pasi disa lagje janë me kriminalitet të lartë dhe përdorues droge gjatë natës.

Në Vlorë mbeti pa energji rruga Trans-Ballkanike që lidhet me autostradën Vlorë-Levan, ndërsa në pjesë të tjera të qytetit nuk pati kufizime.

Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës dhe të transportit rrugor, një ditë më parë ngritën shqetësimin në Syri Televizion, se kufizimi i energjisë elektrike në akset kombëtare apo në brendësi të qyteteve, do të rrisë rrezikun për aksidente rrugore apo për shtimin e kriminalitetit. Megjithatë, ky shqetësim i ekspertëve, duket se nuk është marrë parasysh nga qeveria, e cila kërkon të kursejë energji duke lënë në errësirë zonat publike në qytetet e vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco