Thertorja nuk do të ndërtohet - Fitojnë gjyqin banorët e Laknasit, shpëtojnë pyllin breglumor 'Plepat e Brukës'

Thertorja nuk do të ndërtohet - Fitojnë gjyqin banorët e Laknasit, shpëtojnë pyllin breglumor 'Plepat e Brukës'

12:40, 16/03/2022
A+ Aa A-

Banorët e Laknasit kanë fituar gjyqin për moslejimin e ndërtimit të thertores pranë banesave të tyre. Pas tre vjetësh përpjekje nëpër gjyqe, Gjykata Administrative e dha vendimin sot pro banorëve dhe kundër bashkisë së Kamzës, që i dha 12,400 m2 sipërfaqe tek Plepat e Brukës, kompanisë "Bioproducts" për ngritjen e thertores.

Ambientalisti Sazan Guri u shpreh se kjo është një fitore e madhe për të gjithë komunitetin, duke dëshmuar edhe për qytetarë të tjerë se bashkimi dhe rezistenca, mund të sjellin fitoren e kauzave.

Po ashtu, veprimtari i njohur Lavdosh Ferruni theksoi se “reagimi e çon edhe drejtësinë në hullinë  e duhur, nuk mund të spekulojë më, kur evidenca është e qartë se kauza e komunitetit nuk mund të rrëzohet. Reforma po jep disa shenja pozitive, të jetë kjo një referencë për komunitetet e tjera  që janë në situata të ngjashme. Komuniteti arriti të përballojë çdo mësymje, të palës agresore, ky është një mesazh për të gjitha komunitetet”.

Në mbështetje të banorëve, në vitet e protestës, doli edhe  Dr. Abdulla Diku, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili bëri thirrje që shteti nuk duhet t’iu tregonte dhëmbët banorëve, por prangat shkelësve të ligjeve.

Dr. Diku argumentoi:

“Plepat e Brukës” janë një pyll breg-lumor i krijuar nga natyra nën kujdesin e banorëve vendas në Laknas. Bashkia Kamëz paska dhënë një leje për ndërtim thertoreje aty, mu në shtratin e lumit.

Pylli, rreth 1.5 ha, është mbrojtur deri tani nga banorët. Ne kemi fare pak raste në Shqipëri kur detyrën që duhet ta bëjë shteti (të mbrojë territorin), e bëjnë vetë banorët.

Shteti, përveçse tërësisht i paaftë të bëjë detyrën minimale ndaj ligjit dhe vetes, iu del kundër edhe banorëve duke mbështetur paligjshmërinë.

Me ligj, ndërtimet nuk lejohen të bëhen në shtratin e lumit, dhe shtrati i lumit nuk është vendi ku është i mbuluar me ujë tani. Me ligj, nuk lejohet të ndërtohet thertore në një sipërfaqe pyjore, dhe aty është pyll sipas përkufizimeve ligjore, teknike, por edhe ndërkombëtare.

Është gjithçka e paligjshme te lejet që janë dhënë në këtë rast dhe shteti ka në dorë ta shohë me vëmendje dhe të ndëshkojë shkelësit.

Përse një thertore do të ndërtohet buzë lumi?!

Shumë e thjeshtë. Të gjitha mbetjet e thertores do të derdhen në lumë, për të ulur krejt kostot e menaxhimit mjedisor të objektit.  E kemi parë këtë gjë ngado. Kështu do ndodhë edhe në këtë rast.

Sot, shteti nuk duhet t’iu tregojë dhëmbët banorëve, por prangat shkelësve të ligjeve. Ndryshe vazhdon historia “ligjin e bën paraja” dhe shteti e drejtësia janë mallra që shiten e blihen fare lirë në pazar. Ne jemi vendi me normën më të lartë të shpyllëzimit në Evropë, dhe vetë shteti po i jep një dorë ngado këtij fenomeni."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco