Potpuritë e njëjta festive 'grijnë' pare në Internet, kantautori zbulon si vjen pasurimi

Potpuritë e njëjta festive 'grijnë' pare në Internet, kantautori zbulon si vjen pasurimi

07:36, 07/12/2021
A+ Aa A-

Festat e fundvitit janë festat me të dashura për shumë njerëz, madje, ka të atillë të cilët mezi i presin që të vijnë, pasi, ndryshon edhe atmosfera, me plotë drita të ndryshme festive. Secili popull në botë, feston në mënyrën e vet. Te kosovarët, tashmë është bërë tradicionale që të festohet me potpuri, të cilët këngëtarët tanë i prezantojnë që prej tetorit dhe rrallë prej tyre vijnë me këngë të reja, sepse, shumica zgjedhin hitet e vjetra muzikore për t’i riinterpretuar

Nga Erdonit Hoxha, SYRI KOSOVA

Image

Që prej mesit të tetorit, produksionet muzikore në vend e mbushin Youtuben me potpuri, që këngëtarët e muzikës popullore nisin t’i prezantojnë. E, këto potpuri veç përsëritën çdo vit, pasi, çdoherë këndohen këngët e njëjta, vetëm se dallojnë këngëtarët që i këndojnë ato. Madje, nuk janë të rrallë as emrat që nga zhanret tjera muzikore, në fundvit vijnë në muzikën popullore, për të lançuar potpuri.

Kantautori Kreshnik Avdiu, ka një shpjegim se përse këngëtarët po zgjedhin të vijnë me potpuri, sidomos me këngë të vjetra. Në një prononcim për Syri.net Kosova, Avdiu tha se kjo gjë ndodh për shkak se Youtube paguan më shumë nëse minutazhi i videos është më e gjatë.

“Është fare e thjeshtë, i kanë shterur të gjitha këngët dhe sigurisht se këtë gjë do ta bëjnë përsëri, vetëm se me këngë të reja. Pse potpuri? Për shkak të minutazhës në platformat si youtube dhe të tjera ku nëse video është e gjatë, paguhet më shumë. Këtë punë po e sponzorizojnë me çmime minimale youtube-rët, e cila gjë për ata është përfitim, ndërkaq artistikisht nuk ka asnjë logjikë. Kur përfitimi është i madh nga minutazha e madhe, e pagesa mininale nëpër home-studio, pse mos ta shfrytëzojnë ata që aq u bën për artin! Ata e shohin këtë punë si pasurim!

Në fakt, kur mua t'më kërkohet një krijimtari e tillë, unë do ua ofroj çmimin e tre këngëve, e në fakt ajo do të ishte e arsyeshmja, ngasqë fitojnë të gjithë, deri sa me këtë bastardimin me potpuri me këngë të huaja dhe me tema palidhje, studios i paguhet çmimi sa nja 3-4 dreka dhe disa kafe, ndërsa pasurohet publikuesi! Fati i zi është se performuesve nuk u intereson arti, por vetëm "materiali belesh" dhe të qëndruarit aktiv! Potpuritë do të vazhdojnë të bëhen edhe më tej, por besoj se për shkak të konkurrencës dhe të drejtave të autorëve, do të ketë edhe potpuri me materiale të reja” tha ai.

Po ashtu, Avdiu komentoi edhe pjesën se përse këto këngë lëshohen më herët, e jo në muajin dhjetor. “Sepse këqyrin me kap sa më shpejt kafshatën, ndërkaq muajt kur fillojnë të bëjnë bujë janë nëntori e dhjetori, ngase paguhen më mirë në platformat online” tha ai.

Syri.net Kosova ka provuar t’i kontaktojë edhe disa këngëtarë të skenës muzikore shqipe, kryesisht ata të muzikës popullore, për t’i pyetur se përse e kanë zgjedhur këtë trend, pra me potpuri me këngë të vjetra e jo të reja, por, pasi dëgjuan pyetjen, nuk deshën të prononcohen.

Prononcime nuk kanë dhënë as realizues te programeve festive dhe të produksioneve muzikore, duke mos dashur të tregojnë se sa fitojnë nga Youtube për videot e tilla.

Kujtojmë që potpuria është një prej elementeve më të njohura në estradën shqiptare, qe shumë vjet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco