VIDEO-FOTO/ Ambasada e Katarit në Tiranë zbulon stadiumet e 'FIFA World Cup 2022'

VIDEO-FOTO/ Ambasada e Katarit në Tiranë zbulon stadiumet e 'FIFA World Cup 2022'

12:52, 23/10/2021
A+ Aa A-

Ambasadori i Shtetit të Katarit në Tiranë z. Ali bin Hamad Al Marri organizoi një mbrëmje miqësore me gazetarë dhe njerëz të medias në Shqipëri, me fokus të veçantë Kampionatin Botëror të Futbollit FIFA World Cup Qatar 2022, kampionat i cili do të jetë turneu i parë i këtyre përmasave që mbahet në Lindjen e Mesme.

Në takimin ku morën pjesë edhe Konsullja Nada Abdulrahman Al Sayed dhe diplomati Abdulaziz Al Sahli, u bisedua për mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit mediatik midis Ambasadës dhe gazetarëve për të informuar publikun shqiptar rreth Katar 2022.

Pasi falenderoi miqtë gazetarë për takimin e këndshëm dhe interesimin e tyre për botërorin e ardhshëm të futbollit që do të zhvillohet në vendin e tij, Ambasadori Al Marri theksoi se: ‘Është privilegj për mua të zbuloj për mediat dhe popullin shqiptar të apasionuar pas futbollit, disa detaje rreth këtij eventi sportiv të rëndësishëm në rang ndërkombëtar'.

‘Një veçanti e Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 është se ai jo vetëm që organizohet për herë të parë në Katar dhe botën arabe, por njëkohësisht do të jetë edhe kampionati me distancat më të shkurtra ndërmjet stadiumeve ku do të luhen ndjeshet, duke bërë të mundur që tifozët të marrin pjesë në më shumë se një ndeshje në ditë' - tha ai.

‘Kampionati do të nisë më 21 Nëntor 2022 dhe zgjat 28 ditë. Ndeshja finale do të jetë më 18 Dhjetor 2022, datë që përkon dhe me Ditën Kombëtare të Shtetit të Katarit.

Për këtë event janë përcaktuar tetë stadiume, gjashtë prej të cilëve kanë përfunduar plotësisht, ndërsa dy të tjerët janë afër përfundimit dhe pritet inaugurohen gjatë muajve në vijim. Stadiumet janë të pajisura me teknologji të avancuar ftohjeje dhe miqësore me mjedisin për ta mbajtur temperaturën në 27ºC.

Pas përfundimit të Botërorit 2022, rreth 170 mijë ulëseve nga këto stadime do t'u dhurohen vendeve në zhvillim, me qëllim që të kontribuohet në përmirësimin e infrastrukturës së tyre sportive. Ndërsa stadiumi Ras Abu Aboud hyn në historinë e Botërorit të Futbollit si stadiumi i parë plotësisht i çmontueshëm'.

Nga ana tjetër, gazetarët shprehën admirimin për megaprojektet infrastrukturore e sportive dhe përgatitjet në kohë rekord të realizuara nga Katari për organizimin e këtij botërori, si dhe shfaqën kuriozitetin dhe dëshirën e tyre për t'u njohur më nga afër me risitë që pritet të aplikohen gjatë kësaj ngjarjeje të madhe të sportit botëror.

Gjatë mbrëmjes, u zhvillua edhe një miniekspozitë me foto dhe pamje filmike të stadiumeve të botërorit, infrastrukturës dhe inovacioneve të tjera që do të shoqërojnë Katar 2022, ku stadiumet u prezantuan në mënyrë të detajuar.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco