VIDEO/ Fillon numërimi i popullsisë, INSTAT nis pilotimin e Censusit 2022

VIDEO/ Fillon numërimi i popullsisë, INSTAT nis pilotimin e Censusit 2022

12:43, 01/10/2021
A+ Aa A-

Në vitin 2022 do të na numërojnë. INSTAT fillon këtë të hënë projektin pilot të censusit të popullisë dhe banesave në 9 bashki, pas dy viteve nga miratimi i ligjit. Pyetjet do të zhvillohen në mënyrë elektronike dhe sipas ligjit, qytetarët do të gjobiten me 100 mijë lekë nëse japin dëshmi të rreme apo nëse refuzojnë të përgjigjen.

Nga SYRI TV.

INSTAT po përgatitet për numërimin e popullsisë. Thuajse dy vjet pas miratimit të ligjit për Censusin e popullsisë dhe banesave në Shqipëri, Instituti i Statistikave është gati të pilotojë projektin, fillimisht në 9 bashki, për ta shtrirë në vitin 2022 në të gjithë Shqipërinë. Ky cens i cili do të shërbejë si një bazë të dhënash për krijimin e regjistrave të popullsisë banuese, ndërtesave e banesave do të zhvillohet përmes pyetësorëve duke mbledhur të dhëna në terren në zonat urbane dhe rurale.

INSTAT ka filluar sot konsultimet e para në Tiranë dhe Kamëz, ndërsa në periudhën 4 tetor deri më 15 nëntor 2021 do të zhvillojë fazën Pilot në 50 zona të përzgjedhura në 9 bashki të vendit: Fushë Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz,Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull.

Risi e kësaj matjeje do të jenë pajisjet dixhitale që do të zëvendësojnë letrat për mbledhjen e të dhënave në terren. Përveç gjeneraliteteve dhe të dhënave për para, prona apo edhe përkatësia fetare, në pyetësor, secilit do t’i kërkohet çdo detaj i jetës, që nga data e saktë e bashkëjetesës, martesës apo divorcit. Censusi i 2022-shit do të jetë i detajuar në pyetje deri tek pajisjet elektroshtëpiake që kemi në banesë.

Në morinë e pyetjeve të INSTAT, vetëm tri prej tyre janë lënë në dorën e qytetarëve, të cilët zgjedhin t’u përgjigjen ose jo: feja, etnia dhe gjuha e folur. Të tjerat janë të gjitha me detyrim. Një refuzim i saj e penalizon qytetarin me 100 mijë lekë gjobë, sipas ligjit. E po ashtu, edhe organizata që tentojnë të imitojnë në të njëjtën kohë këtë pyetësor do të hasen me gjoba të majme.

Ky është Censi i tretë që zhvillon Shqipëria dhe ka një afat 10-vjeçar, pas atij të realizuar në vitin 2001 dhe në vitin 2011, ku në këtë të fundit popullsia e vendit përllogaritet në mbi 2.8 milionë banorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco