Ndryshimi i klimës, çfarë pasojash pritet të japë në Shqipëri...Nisi me përmbytje dhe zjarre

Ndryshimi i klimës, çfarë pasojash pritet të japë në Shqipëri...Nisi me përmbytje dhe zjarre

07:29, 25/09/2021
A+ Aa A-

Viti 2021 ktheu këndvështrimin për ndryshimet klimatike nga një term abstrakt, që cilësohej si “mashtrim” apo “shaka”, në një alarm të kuq të shpallur për herë të parë nga Kombet e Bashkuara. Shqipëria, e vetëcilësuar një “aktor” pa rol, duket se ende nuk e sheh veten të kërcënuar për aq kohë sa në nivel politikash ka një angazhim inekzistent.
Por këto ndryshime prej vitesh po rëndojnë mbi supet e shqiptarëve që përmbyten çdo vit, me zjarre që përpijnë qetësisht hektarë të tërë pyjesh, thatësira të gjata e stuhi të forta. Tani ndryshimet klimatike po “kërcënojnë” tryezën e ushqimit. Rritja e çmimit të bukës, kafesë është vetëm fillimi.

Ekspertët vlerësojnë se bujqësia, blegtoria, peshkimi, turizmi e shumë të tjerë do të vuajnë pasojat e ndryshimeve. Të dhënat zyrtare nga IGJEO tregojnë për rritje të temperaturës mesatare vjetore dhe më pak reshje, teksa mikroklima është “zhdukur”. Mbrojtja civile në raste fatkeqësish natyrore gjithmonë në rritje, mbetet ende e pakonsoliduar, shkruan Nertila Maho e Monitor.

Ishte dukur pak e largët dhe abstrakte ideja se ndryshimet klimatike mund të preknin direkt xhepin e më tej, të rrezikonin edhe jetën. Për dekada me radhë, kjo temë rrotullohej në tavolina konventash, kongresesh, senatesh ndërkombëtare. Por viti 2021 shënoi pikën e kthesës kur alarmi i kuq u ngrit njëzëri në të gjithë botën nga një raport i Kombeve të Bashkuara.

Në njërën anë, ishte një botë që shkrumbohej nën pushtetin e zjarrit dhe në tjetrën, një botë që po përjetonte ulje dramatike anormale temperaturash. Shkrirja e akullnajave në Groenlandë, Arktik dhe Antarktidë ndoshta nuk mund të na shqetësojë dhe aq shumë këtu në Shqipëri, por ndryshimet e klimës janë shumë më shumë sesa kaq dhe ato kanë nisur të ndihen në tryezën e ushqimit të secilit prej nesh.

Ka nisur nga buka, kafeja, vaji e një sërë produktesh që po shtrenjtohen dhe sot, si shkak nga importuesit, lakohen ndryshimet klimatike. Prekja e zinxhirit ushqimor dhe rreziqet në horizont nga ndryshimet klimatike po rriten dhe Shqipëria nuk është një vend imun, përkundrazi është tek më të rrezikuarit. Ndaj nuk është kurrë vonë për reflektim, sado të vogla të jenë përmirësimet.

Rriten temperaturat mesatare vjetore, më pak reshje dhe dëborë

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), si i vetmi i këtij dimensioni në vend, i cili monitoron treguesit që lidhen me ndryshimet klimatike, pranon se efektet po ndihen edhe në Shqipëri. Sipas IGJEO, kjo duket në disa aspekte nga rritja e temperaturës mesatare vjetore te reshjet e shiut apo borës. “Temperatura mesatare vjetore është rritur, sidomos në 10 vitet e fundit. E njëjta gjë vërehet edhe te temperaturat minimale dhe maksimale vjetore që kanë tendencë rritje, sidomos në 10 vitet e fundit.

Sasia e reshjeve është zvogëluar me rreth 10-15%, ndërsa intensiteti i reshjeve është shtuar. Kemi sasi më të mëdha reshjesh në një kohë më të shkurtër. Gjithashtu duhet përmendur fakti që kemi më pak reshje në formë bore, edhe në sasi dhe në shpërndarje” konfirmoi ky institut për “Monitor”.

Rritja e intensitetit të reshjeve është një nga arsyet se pse përmbytjet janë një nga fatkeqësitë natyrore me të cilat vendi ynë është përballur dhe do të përballet më shpesh. Instituti i Gjeoshkencave vlerëson se fenomenet nga të cilat kërcënohet vendi ynë, edhe pse nuk janë të dimensioneve të mëdha si uragane apo tornado, janë gjithashtu të dëmshëm.

“Shqipëria, nga shtrirja fiziko-gjeografike, është e mbrojtur nga uraganet, sepse duke qenë se ne lagemi nga dete të mbyllur nuk rrezikojmë nga fenomene të tilla. Fenomene që ne rrezikojmë nga deti janë erozioni bregdetar dhe përmbytjet nga deti” – nënvizon IGJEO. Në një publikim të Bankës Botërore mbi profilin e rrezikut të kimës të Shqipërisë, thuhet se vendi ynë ka përjetuar një rritje të temperaturës mesatare vjetore prej 1 ° C që nga vitet 1960./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco