Mashtrimi i Ramës me Covid-19/ Shqiptarët paguan fatura kolosale

Mashtrimi i Ramës me Covid-19/ Shqiptarët paguan fatura kolosale

09:17, 24/09/2021
A+ Aa A-

Dy raporte monitorimi të organizatës “Together for Life” tregojnë se qeveria rimbursoi vetëm 7183 pacientë nga qindramijëra të prekur dhe të trajtuar në kushtet e shtëpisë, ndërsa fondet për shëndetësinë mbetën pothuajse në vendnumëro edhe gjatë pandemisë.   

BIRN

Mijëra qytetarë shqiptarë të prekur nga COVID-19 paguan fatura të shtrenjta për kurimin e tyre në kushtet e shtëpisë, ndërkohë që një skemë rimbursimi e qeverisë dështoi që të lehtësonte barrën e tyre financiare, zbulon një raport monitorimi i publikuar të enjten nga organizata “Together for Life”.

Raporti vlerëson se të sëmurët me simptoma të lehta shpenzuan mesatarisht nga fondet e tyre rreth 100 mijë lekë për person [813 euro] për analiza dhe terapinë e mjekimit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama premtoi se do të rimbursonte 100% kostot e mjekimit ambulator dhe vendosi në dispozicion të rimbursimit 1.2 miliardë lekë [9.75 milionë euro]. Por vetëm 2.4% e fondit u shpenzua deri në fund të majit 2021, sipas të dhënave të raportit.

Nga 132 mijë persona të prekur me COVID-19 nga fillimi i pandemisë në mars 2020 deri në fund të majit të këtij viti, përfituan rimbursim për mjekimin vetëm 7183 pacientë me një vlerë mesatare prej  4019 lekësh [33 euro] për person.

“Të sëmurët e intervistuar pohuan se nuk tentuan të përfitojnë nga paketa e rimbursimit për shkak të shumave të vogla në dispozicion dhe procedurave të shumta,” tha gjatë prezantimit autorja e raportit të monitorimit, Ornela Liperi.

“Mosbesimi te politikat e qeverisë dhe sidomos te kompensimet ishte një faktor tjetër që lidhet me disbursimet e ulëta të paketës anti-Covid 19,” shtoi ajo.

Në aktivitetin e zhvilluar të enjten online, “Together For Life” prezantoi edhe një raport të dytë monitorimi për shpenzimet e buxhetit të shtetit për shëndetësinë; të dy të mbështetur nga fondacioni “Westminster Për Demokraci”.

Raporti sugjeron se pavarësisht goditjes së vendit nga pandemia gjatë dy viteve të fundit, fondet e buxhetit të shtetit për sistemin shëndetësor kanë mbetur në vendnumëro.

Sipas raportit të monitorimit, qeveria akordoi 10.1 miliardë lekë [82 milionë euro] për të përballuar krizën më të rëndë shëndetësore të vendit për periudhën nga marsi 2020 deri në qershor 2021; ose 0.9 për qind të shpenzimeve totale buxhetore.

Por shifrat u kontestuan nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët thanë se raporti nuk përfshinte rreth 14 miliardë lekë të autorizuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FDSKSH.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Gelardina Prodani tha gjithashtu se fonde të tjera shtesë janë dhënë nga qeveria për sigurimin e vaksinave si dhe nga donacionet e huaja.

“Fondi i vaksinave është një ndër elementët kryesorë të luftës kundër COVID-19 dhe qeveria shqiptare ka akorduar 440 milionë lekë në vitin 2020 dhe 2.8 miliardë lekë në vitin 2021 për vaksinat,” tha ajo.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha kapacitet spitalore të Shqipërisë e përballuan mirë situatën e pandemisë.

“Shqipëria u trondit, por nuk u gjunjëzua,” tha Rakacolli, duke e cilësuar luftën kundër COVID-19 si një betejë territori dhe jo spitalore.

Ndërsa deputetja demokrate Albana Vokshi, e cila do të drejtojë Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale theksoi se buxheti për shëndetësinë jo vetëm që nuk është rritur, por mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe në Europë.

Vokshi theksoi gjithashtu se Shqipëria duhet të analizojë shkaqet e vdekjeve të larta si pasojë e COVID-19.

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për nivelin e vdekshmërisë në Shqipëri; më shumë se dyfishi i Europës është i papranueshëm,” përfundoi ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco