Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

'Miliona dollarë humbje nga grerëza e Gështenjës'

'Miliona dollarë humbje nga grerëza e Gështenjës'

10:44, 23/06/2021
A+ Aa A-

Nga Dr. Abdulla Diku, studiues.

Gështenja është një ndër drurët më të rëndësishëm jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe si burimi më i rëndësishëm gjenetik i vendit tonë. Ende nuk kemi statistika të plota për sipërfaqen, por disa referenca thonë që kemi rreth 10,000 hektarë me gështenja.

Masivet më të mëdha gjenden në Tropojë dhe Reç (Malësia e madhe), ndërkohë që sipërfaqe të konsiderueshme ka edhe në zona të tjera si; Puka, Shkodra, Mati, Pogradeci, Kurbini etj. Mirëpo, prej rreth tre vitesh, ka mbërritur në Shqipëri grerëza aziatike e Gështenjës, një dëmtues shumë i rrezikshëm, i cili po rrënon nga ana ekonomike familje e biznese.

Grerëza e Gështenjës (njihet me emrin shkencorë Dryocosmus kuriphilus) është një specie e njohur me emrat e zakonshëm si grenzë e galeve (gall) të gështenjës, grenzë e gungëzave të gështenjës dhe grenzë aziatike e gështenjës. Origjinën e ka në Kinë dhe është i njohur në shumë pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Hemisferën Veriore, si një specie dëmtuese. Sulmon shumë specie të gështenjës (gjinia Castanea), duke përfshirë varietetet më të kultivuara. Konsiderohet si dëmtuesi më i keq në botë, më agresiv dhe më i vështirë për t’u luftuar tek gështenjat.

Grerëzat femra kanë madhësi 2.5 deri në 3 milimetra dhe janë me ngjyrë të zezë me shkëlqim, dhe me këmbë ngjyrë kafe. Ajo prodhon vezë të bardha, secila rreth 0,2 milimetra të gjata. Larva është e bardhë dhe e gjatë rreth 2,5 milimetra.

Image

Gjatë jetës së saj çdo femër e D. kuriphilus depoziton gjithsej nga 100 deri në 200 vezë. Në çdo gungëz mund të depozitohen deri në 25-30 vezë. Larvat e para shfaqen pas rreth 40 ditësh nga depozizitimi i vezëve. Sapo mbërrijnë në moshën e parë, larvat e ndërpresin zhvillimin e tyre, për të pritur pranverën e ardhëshme.

Grerëzat janë telitokoze, duke prodhuar vezë pjellore nga partenogjeneza (një mënyrë riprodhimi natyrore pa qenë nevoja e fertilizimit të embrionit), pra pa fekondim nga një mashkull. Lëshimi i vezëve ndodh në verë. Larvat çelin nga vezët por nuk fillojnë të rriten menjëherë.

Rritja e tyre fillon në pranverën e ardhshme, kur sythat e pemëve fillojnë të zhvillohen. Në këtë kohë, larvat shkaktojnë formimin e gungëzave në pemë. Gungëzat janë me ngjyrë të gjelbërt ose rozë dhe deri në 2 centimetra të gjera. Larvat zhvillohen brenda strukturave mbrojtëse të Gungëzës dhe dalin prej tyre si të rritur. Gungëzat thahen dhe bëhen të drunjëzuara. Gungëzat i ndihmojnë larvat të mbrohen nga agjentët atmosferikë apo armiqët e sajë natyrorë. Gungëzat mund të jenë shumë të dëmshme për pemën.

Ato gjenden në pjesët ku bëhet rritja e re e pemës (lastarë e sytha), duke dëmtuar proçesin e lulëzimit dhe frutifikimit dhe mund të ulin rendimentin e një peme deri në 70%. Madje, gungëzat e krijuara nga insekti duke qenë se bllokojnë lëvizjen e lëndëve ushqyese nëpër degë, shkaktojnë edhe tharjen e sajë. Grerëzat mund të fluturojnë dhe mund të shpërndahen në territorin e ri më shpejt nga aktiviteti njerëzor, siç janë mbjellja e pemëve të reja dhe transportimi i drurit të infektuar. Norma mesatare e zhvendosjes së dëmtuesit është rreth 4-5 kilometra në vit.

Image

Prania e gungëzave gjithashtu mund të rrisë gjasat që pema të infektohet nga kanceri i Gështenjë (Cryphonectria parasitica). Vrima e lënë hapur nga Grerëza pasi ajo rritet në gungëz dhe largohet prej andej, mund të jetë një hyrje përmes së cilës kërpudhat mund të infektojnë indet e pemës. Gungëzat gjithashtu mund të infektohen nga patogjeni i gështenjës së butë Gnomoniopsis smithogilvyi.

Masat e kontrollit përfshijnë krasitjen e sythave të infektuar nga pemët dhe mbrojtjen e sythave me rrjetë. Këto metoda nuk janë praktike për pyjet masive me Gështenjë, ose në rastin e gështenjave tona natyrore me trung të lartë që shkon deri 30 metra. Në Kinë, përdoret një lloj druri kurth, i quajtur, çinquapini kinez (Castanea seguinii). Duke mbjellë drurëtë C. seguinii rreth plantacioneve me Gështenjë, grerëzat së pari hasin dhe sulmojnë sythat e C. seguiniiqë si pemë nuk ka ndonjë vlerë të madhe ekonomike, duke lejuar që degët e gungëzuara të priten dhe shkatërrohen. Pesticidet në përgjithësi nuk janë efektive sepse insektet strehohen brenda gungëzave dhe mbrohen prej tyre.

Një metodë shumë efektive e kontrollit të grenzave të Gështenjës e cila ka qenë e suksesshme është futja e parazituesit Torymus sinensis. Ky parazitoid përdoret si një element i kontrollit biologjik të dëmtuesve kundër grenzës në shumë vende të botës. Një numër parazitoidësh të tjerë janë testuar të përdoren kundër grerëzës së Gështenjës, duke përfshirë torymidet Torymus beneficus, T. geranii dhe Megastigmus nipponicus, grerëzat ormidale Ormyris punctiger dhe O. flavitibialis, dhe grerëzat Eurytoma brunniventris dhe E. setigera. Këto specie nuk kanë rezultuar efektive deri më sot, pasi nivelet e tyre të parazitimit nuk janë të larta, siç kërkohet. Mbi të gjitha llojet e parazitoidëve të tesuar, Torymus sinensisduket më premtues sepse është univoltine (jep një gjeneratë në vit), është shumë specifike për hostin dhe i përshtatur fenologjikisht me ciklin jetësor të grerëzës së Gështenjës.

Të rriturit parazitoidë Torymus sinensis dalin nga gungëzat e thara, çiftëzohen dhe femrat lëshojnë mesatarisht 70 vezë në gungëzat e sapo zhvilluara prej grerëzës së Gështenjës në pranverë, në sinkron me zhvillimin e Gështenjës dhe zhvillimin e gungëzave të reja.

Femrat e T. sinensis lokalizojnë vendin ku depozitojnë vezët përmes kombinimit të perceptorëve vizualë dhe nuhatës nga gungëzat(të krijuara nga grerëza) e freskëta në bisqet apo gjethet e Gështenjës, gjë që pjesërisht shpjegon specifikën e tij për grerëzën e Gështenjës.

Image

T. sinensis i vendos vezët më së shumti direkt në larvën e grerëzës sesa në murin e dhomës së gungëzës, dhe shfaq një përshtatje të gjatësisë së vezoreve të parazitoidit në strukturën e gungëzës së krijuar nga grerëza e Gështenjës.

Larva parazitoide ushqehet ektoparazitikisht para se të pupëzohet në fund të dimrit të vitit pasues. Përveç sinkronisë së saj me specifikën e strehuesit,T. sinensis shfaq disa tipare që e bëjnë atë një agjent biologjik mjaft të efektshëm kundër grerëzëz së Gështenjës, duke përfshirë aftësinë për të hyrë në një diapauzë të zgjatur për të mbijetuar gjatë periudhave të disponueshmërisë së ulët të strehuesit.

Nëse punohet në mënyrë profesionale, në vitet në vijim popullatat e parazitoidit rriten në mënyrë eksponenciale duke u bërë parazitoidi më i bollshëm dhe i suksesshëm i grerëzës në shumë vende të botës, duke zvogëluar dëmtimin nga grerëza nën pragun e dëmtimit të tolerueshëm të humbjes së prodhimit prej 30%.

Në Evropë, Italia është vendi i parë që ka aplikuar futjen e parazitoidit T. Sinensisqë nga viti 2005, duke arritur pas nëntë vitesh në një ekuilibër natyrorë ndërmjet dëmtuesit (Grerëzës) dhe parazitoidit (T. Sinensis). Në shumë raste, në Itali niveli i dëmi të shkaktuar nga grerëza e Gështenjës nuk e tejkalon 10% të prodhimit, madje në disa rajone vetëm 13 vjet pas lëshimit të parazitoidit, nuk është evidentuar fare prezenca e grerëzës.

Thuajse në shumë vende ku është përdorur parazitoidi, nivelet e ulta të parazitizmit (2–32%) janë për shkak të asinkronizimit të kohës së shfaqjes së tyre me ciklin jetësor grerëzës së Gështenjës. Ndaj, duhet një studim i detajuar i fazave të zhvillimit të insektit dëmtues dhe atij parazitues, në mënyrë që efektiviteti të jetë maksimal.

Sa humbje kemi?

Duke konsideruar shkallën e impaktit negativ që sjell grerëza e Gështenjës (ulje të prodhimit me deri 70%), po bëjmë një analizë të thjeshtë se sa kushton realisht dëmi i shkaktuar prej sajë.

Në rang vendi mendohet se kemi rreth 10,000 ha me pyje Gështenje, dhe meqënëse gështenjat tona janë thuajse natyrore (të patrajtuara me krasitje e masa kundër sëmundjeve), rendimenti është më i ulëti në Evropë, dhe llogaritet rreth 10,000 ton (1 ton gështenja per 1 ha). Nëse dëmtuesi shkakton ulje të prodhimit me 70%, do të thotë që prodhimi i humbur vetëm në një sezon, është rreth 7000 ton. E kthyer në vlerë financiare (aq sa fermerët e shesin tek grumbulluesit, me një çmim prej 1 US$/kg), humbja rezulton të jetë rreth 7 milion US$ vetëm nga frutat. Nga ana tjetër, Gështenja është një bimë mjaltëse shumë e mirë. Një dru i vetëm mund të prodhojë deri 150 gramë mjaltë.

Image

E shumëzuar me numrin total të drurëve të gështenjës që ne kemi në vend, rezulton se prodhimi total ështërreth 150 ton mjaltë. Ndërkohë që për shkak të dëmtuesit, prodhimi do të reduktohej me 70%, ose rreth 105 ton. E konvertuar në vlerë financiare, kjo sasi mjalti vlen 2.1 milion US$.

Një kosto shumë e madhe për bletërritësit kjo. Të mbledhura bashkë, dëmi i shkaktuar tek prodhimi i frutave të Gështenjës dhe ai tek mjalti, rezulton se në një sezon të vetëm, Shqipëria humb më së paku 9.1 milion US$ në vit. Nëse e nisim sot betejën për menaxhimin e dëmtuesit, derisa të arrihet të vihet nën kontroll, do na duhet së paku një dekadë, dhe deri atëherë kostoja e dëmit financiar do të shkojë tek 100 milion US$.

Vetëm në Tropojë, humbjet jane rreth 4 milion US$/sezon (ose rreth 200 US$/banorë), duke garantuar rrrënimin ekonomik të mijëra familjeve që e kanë bazuar jetesën e tyre tek Gështenja. Vlerës së humbjeve financiare prej dëmtuesit, nëse i shtohen edhe mungesat në zinxhirin e vlerave që vjen prej aktivitetit tregtar të Gështenjës, do të ishte së paku edhe 50% më e madhe nga shifrat e dhëna më sipër.

Image

Ndaj është emergjente marrja e masave të menaxhimit dhe luftimit të dëmtuesit në nivel kombëtar, duke sinkrozinuar aktivitetet për të mos i lënë rrugë të lirë dëmtuesit më të rrezikshëm të Gështenjës. Duhen bërë tendera për punë, jo tendera për tendera. Duhen thirrur universitetet dhe specialistët më të mire të fushës. Duhen angazhuar laboratorë e çdo burim tjetër kombëtar i nevojshëm në këtë drejtim. Ndryshe jemi të humbur nga çdo anë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco