Shqipëria ka 60% të forcës së punës me arsim fillor, niveli më i lartë në rajon

Shqipëria ka 60% të forcës së punës me arsim fillor, niveli më i lartë në rajon

10:41, 21/06/2021
A+ Aa A-

Popullsia në moshë pune e Shqipërisë është vënë nën presionin e faktorëve disfavorizues për një perspektivë të mbarë ekonomike.

Një studim i ditëve të fundit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë gjeti se, në vendin tonë 60% e forcës së punës është me arsim të ulët, në të kundërt në vendet e tjera të Rajonit, ku ky grup ka një peshë më të ulët në forcën e punës, nën 40%.

Në vendet të tjera, Bosnjë, Mali i Zi dhe Serbi dominon grupi me arsim të mesëm profesional ose të mesëm të përgjithshëm me rreth 50%, ndjekur nga të arsimuarit me nivel të ulët arsimi.

Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri vetëm 10 për qind e popullsisë në moshë pune ka arsim profesional.

Pas Shqipërisë edhe Kosova ka rreth 40% të popullsisë në moshë me nivel të ulët arsimi, por ndërkohë rreth 30 për qind e popullsisë në moshë në Kosovë ka arsim profesional.

Ekspertët e Vjenës parashikojnë që deri në vitin 2030, popullsia me edukim të ulët të vijë në rënie në të gjitha vendet e Ballkanit, por në Shqipëri dhe Kosovë ndryshimi do të jetë më i dukshëm për shkak të hapësirës së madhe për përmirësim.

Por tregu i punës në Shqipëri do të jetë nën ndikimin negativ të emigracionit. Flukset neto të emigracionit do të rriten të gjitha vendet e Ballkanit. Por sipas ekspertëve të Vjenës në Shqipëri dhe Bosnjë emigracioni do të përfshijë të gjitha grupet arsimore të popullsisë në moshe pune pa përjashtim deri më 2030.

Në Bosnjë dhe në Shqipëri pritet një rrjedhë më e madhe e migracionit të trurit. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit pritet që deri në vitin 2030 të ketë një rikthim të emigrantëve të arsimuar.

Ecuria e tregjeve të punës në Rajon deri në vitin 2030 sipas një skenari bazë që kanë ndërtuar Instituti i Vjenës tregon se, shume shpejt vendet e Ballkanit do të përballen me mungese të fuqisë punëtore. Për shkak edhe të emigracionit të lartë Shqipëria do të vuajë mungesën e fuqisë punëtore me arsim profesional.

Në përgjithësi i gjithë rajoni do të vuajë për punëtore edhe të kualifikimit të ulët, për shkak se modelet ekonomike kërkojnë së shumti punonjës pa arsim. Në një skenar të mundshëm ku ndryshon struktura e ekonomisë, tregu i punë në Shqipëri do të shfaqte mungesë për punonjës me arsim të lartë./Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco