Nënshtetësia për fëmijën e lindur jashtë SHBA-së: sqaron avokati amerikan

Nënshtetësia për fëmijën e lindur jashtë SHBA-së: sqaron avokati amerikan

08:45, 25/01/2021
A+ Aa A-

Për çështje të emigracionit të qytetarëve shqiptarë në SHBA ka dhënë sqarime sërish avokati amerikanKieran Both, duke nisur nga përgjigjet për lexuesit.

Pyetje nga lexuesi:

Jam nënshtetas amerikan dhe jetoj prej 15 vjetësh në New York. Vitin e kaluar u martova jashtë shtetit. Gjatë kësaj periudhe jam marrë me përgatitjen e dokumentave për të sjellë gruan në SHBA. Muajin e kaluar gruaja lindi fëmijën tonë të parë. A duhet të paraqes të njëjtat dokumenta dhe për fëmijën? DK, New York, New York.

Së pari, urime për fëmijën e parë.

Çështja nëse dikush që ka lindur jashtë Shteteve të Bashkuara me prind ose prindër nënshtetas amerikan(ë), është ose jo nënshtetas amerikan, varet nga ligji në fuqi në kohën kur ka lindur personi. Këto ligje kanë ndryshuar gjatë viteve, por zakonisht e përbashkëta e tyre ka qenë kombinimi i dy kërkesave: që të paktën njëri nga prindërit të jetë nënshtetas amerikan në kohën kur lindi fëmija si dhe ky prind të ketë jetuar në SHBA ose territoret e saj për një periudhë kohe. Gjithashtu, fëmijët që lindin jashtë Shteteve të Bashkuara mund të bëhen nënshtetas pas lindjes bazuar në nënshtetësinë apo natyralizimin e prindërve të tyre.

Sipas Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së, të gjithë personat e lindur në Shtetet e Bashkuara dhe që janë nën juridiksionin e SHBA-së, janë nënshtetas amerikanë. Ky njihet si koncepti jus soli (ligji që merr si bazë tokën ku ke lindur). Kur themi Shtetet e Bashkuara, nënkuptojmë dhe Porto Rikon, Guamin, dhe Ishujt e Virgjër të SHBA-së. Dëshmi e nënshtetësisë është çertifikata e lindjes, por ky rregull i përgjithshëm bën përjashtime. Gjithashtu, individë të caktuar që kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara e fitojnë nënshtetësinë që kur lindin. Diçka e tillë varet nga data e lindjes së fëmijës, nëse njëri ose të dy prindërit janë nënshtetas të SHBA-së dhe, në rast se është vetëm njëri, cili nga prindërit dhe nëse fëmija ka lindur ose jo jashtë martese. Të gjitha kriteret prindërore duhen të jenë të përmbushura përpara se të lindë fëmija. Në mungesë të një deklarate të qartë nga Kongresi, statutet e përfitimit të nënshtetësisë nuk janë retroaktive. Si rrjedhim, është shumë e rëndësishme që kur të vendosni lidhur me përfitimin e nënshtetësisë ose marrjen e nënshtetësisë derivative, të informoheni për ligjin që është në zbatim dhe i përket rastit tuaj.

Fëmijët e lindur jashtë martese dhe që njërin nga prindërit e kanë nënshtetas amerikan kurse tjetrin jo, më ose pas 14 nëntorit 1986. 

Fëmija i lindur jashtë SHBA-së dhe që njërin nga dy prindërit e ka nënshtetas amerikan, kurse tjetrin jo mund të ketë të drejtën e nënshtetësisë në rast se prindi që është nënshtetas amerikan ka qenë i pranishëm fizikisht në Shtetet e Bashkuara apo në një nga territoret e saj për një periudhë pesë vjeçare, nga të cilat të paktën dy vjet i përkasin periudhës kur ai ose ajo e kishin mbushur moshën 14 vjeçare. Kjo periudhë pranie fizike duhet të ketë ndodhur përpara lindjes së fëmijës.

Prania fizike e prindit nënshtetas amerikan është koha aktuale gjatë së cilës prindi është gjendur fizikisht branda kufijve të Shteteve të Bashkuara. Kjo nënkupton që çdo udhëtim jashtë SHBA-së qoftë dhe për pushime, duhet përjashtuar. Të paturit e një banesë në SHBA nuk përbën prani fizike. Kur bëhet fjalë për kalimin e të drejtës së nënshtetësisë nga prindi tek fëmija, cilado periudhë kohe e kaluar jashtë shtetit në shërbim të qeverisë apo ushtrisë amerikane ose të një organizate të caktuar ndërkombëtare që përmbush kriteret e kualifikimit (si p.sh. Kombet e Bashkuara) mund të llogaritet si prani fizike në Shtetet e Bashkuara. Koha e kaluar si person në varësi të një individi të tillë, gjithashtu llogaritet si prani fizike. Dëshmi nga ushtria ose dëshmi të tjera mund të kërkohen si provë.

Prindërit amerikanë të fëmijës së porsalindur duhet ta raportojnë lindjen e fëmijës në ambasadë ose konsullatë. Ambasada më pas lëshon një raport konsullor të lindjes jashtë shtetit si dhe pasaportën amerikane, e cila do t’i duhet fëmijës për t’u larguar nga vendi ku ndodhet. Raporti konsullor i lindjes jashtë vendit mund të përdoret si çertifikatë lindjeje për t’u regjistruar në shkollë, për punë ose qëllime të tjera. Aplikimi për raportin konsullor të lindjes përfshin dhe aplikimin për numër të sigurimit shoqëror. Pas regjistrimit numri në fjalë i dërgohet me postë aplikantit. Dokumentat origjinalë duhen paraqitur së bashku me aplikimet. Të gjithë dokumentat origjinalë do të shqyrtohen nga zyrtari konsullor dhe do t’i kthehen më pas aplikantit. Me qëllim që të vendosë me efikasitet nënshtetësinë amerikane të fëmijës, duhet që prindi të përgatisë sa vijon:

Çertifikatën origjinale të lindjes së fëmijës;
Dëshminë e identitetit të aplikantit – dokument ose kartë identiteti me fotografi (zakonisht nuk kërkohet për të porsalindurit);
Pasaportat e prindërve të aplikantit, ose dëshmi tjetër e identitetit dhe nënshtetësisë së tyre;
Çertifikata origjinale e martesës së prindërve të fëmijës ose kopje e saj e noterizuar;
Dëshmi të pranisë fizike në SHBA (kjo në rast se vetëm njëri nga prindërit është nënshtetas amerikan. Shihni hollësitë më poshtë);
Një foto 2×2 inç ose (5×5 cm)

Fëmija duhet të paraqitet me prindërit;

Formularët në vijim të pafirmosur:

Aplikimi për raportin konsullor të lindjes jashtë vendit DS-2029,
Aplikimi për pasaportë amerikanë DS-11,
Aplikimi për kartën e sigurimit shoqëror,
Formularin DS-5507 të lëshuar nën betim përmes së cilit prindërit biologjikë njohin dhe mbështesin fëmijën si dhe dëshmojnë për praninë fizike në SHBA (kjo vlen në rast se vetëm njëri nga prindërit është nënshtetas amerikan);
Foto të ndryshme të nënës gjatë shtatëzanisë, të dhënat e paralindjes dhe të lindjes nga regjistri i spitalit nëse janë të disponueshme./Marre nga Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco