Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

‘Lehtësia shpërfillëse e vrasjeve të shumëfishta’-Nga Fjolla Spanca

‘Lehtësia shpërfillëse e vrasjeve të shumëfishta’-Nga Fjolla Spanca

12:44, 25/11/2020
A+ Aa A-

Të shkruash mbi vrasjen duke i transformuar imazhet nëpërmjet justifikimeve të bujshme se ‘vrasësit u cytën nga morali i keq i të vdekurve’ është gati njësoj si me e pasë planifiku krimin bashkë me dorasin.

Raportimet për mbytjen e grave me një diskurs shpërfillës e të ftohtë shpalosin indiferencën e idhët të një shoqërie që e ka humbur dhimbshurinë dhe dinjitetin. Ky soj raportimi nxjerrë në pah edhe vlerën e imët të një zanati që peshën po ja humbin disa gazetarë a redaktorë të nxitueshëm e të paditur.

Gazetarët si dritë në fund të tunelit

Vitet e brishta 97-98-99 i ruaj në arkivin e kujtimeve si stinë zhurmuese plot me frikë, trishtim e dhimbje. Anise fare e njomë në moshë, isha rritur mjaftueshëm për t’i rrokur imazhet e një lufte që as fillonte e as mbaronte! Një soj vdekje e ngadaltë që rrëmbente furishëm djemë e vajza t’reja, gra, burra, pleq e fëmijë akoma të palindun.

Të rrethuar nga tanket e terrori serb, për ne aso kohe ishte fort e rëndësishme që lajmet për masakrat e vazhdueshme të dilnin sa ma parë si thirrje e paepun Lirie e Çlirimi. Të pafuqishëm e të pamjaftueshëm, konsideronim se media mund të kthehej në ‘shtegdalje’ për fatin tonë të idhët. Natyrisht, mundësitë e manipulimit të lajmeve dhe pamjeve nga ana e agresorit ishin të panumrueshme, fakt ky që na shqetësonte! Justifikimet për vrasjet masive të burrave mund të ishinnga më të larmishmet sikurse ‘pretendimet’ për ngacmim nga ana e grave, të cilat ‘duhej te dhunoheshin’nga paramilitarët e çetnikët.

Në të tilla situata, më shumë se kurrënjeriu e dëfton prej afër madhështinë e punës së kryer me përsosuni; punës së qëndisur me zemër e profesionalizëm! Në vatrat e luftës, aty ku fryma lehtësisht mund të kthehet në numër të papërfillshëm, sidomos gazetarët janë heronj! Gazetarët, ata që misionin fisnik të zanatit e kanë vendosur si amanet përgjatë shtegtimit e rritjes profesionale bëhen shpëtimatar. Gazetarët që pakompromis e kërkojnë të vërtetën; ata të cilët falin shpresë përmes Fjalës e Pamjes; gazetarët që nuk paragjykojnë e as nxitojnë të mbulojnë krimin për kusuret e grupeve të caktuara të interestit, janë hiç më pak se sa Triumfuesnë secilën shoqëri shpirtërsisht e mendërisht të shëndetshme!

Heroizimi i Vrasësit

Disa ditë para, Kryeqyteti u shkund sërish prej piskamës së një gruaje që dha shpirt në sytë e së bijës, krejt të vockël. Për ironi, e gjithë ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pasi policia u largua nga shtëpia ku e ndjera J.H. jetonte prej vitesh, strehë të cilën po gatitej për ta braktisur. ‘I idhnuari dhe i shqetësuari’ kunati A.T., me indinjatën e një të pamunduri për ta kontrolluar mllefin, pasi fik kamerat që mbulonin shtëpinë zbaraz plumbat e armës mbi trupin e një gruaje që ‘nuk ishte aq e fuqishme sa të fluturonte’ prej oborrit të një familjeje që sipas dëshmitarëve, nuk ja kishte kursyer kërcënimet ndonjëherë!

Lajmi për vrasjen e J.H morri dhenë shpejtë asaj darke sikurse gara për ta publikuar fotografinë e viktimës dhe domosdo hamendësimi mbi shqetësimet që mund ta kishin ‘shtyer’ vrasësin për ta kryer krimin. Pamjet e shtëpisë ku mbeti e pafrymë viktima u shoqëruan me pyetjet bajate të gazetarëve drejtuar komshinjve rreth mënyrës së si sillej J.H dhe në kishte dhënë publikisht ‘shenja shqetësuese’ vrasësi i arratisur.  

Për më tepër, një grusht portalesh qesharake, aq të nxituara e joprofesionale; portale e gazetarë nga ata që kopjojnë lajmet dhe i shpërndajnë ato me shpejtësinë e erës veç sa për të vjedhur ca klikime; portale e gazetarë që lajmin as e kontrollojnë as e filtrojnë; gazetarë që në vend të lajmit nxjerrin shkarravitje; gazetarë që harrojnë se vrasja apo mbytja e një njeriu është po aq e rëndë sa përdhunimet në fushëlufte a diku në rrugicat që bien erë kërmë, u ngutën të thoshin ‘dy fjalë të mëdha’ … këta qytetarë pa qytetari, turravrap u hodhën në sulm mu në datën 15 shtator 2020 rreth orës 19:10-19:50 të kallzonin se ‘dyshohej që vrasja e J.H ka ndodhur për shkak të moralit, pasi mendohej se kunatit nuk i kishin pëlqyer disa sjellje të nuses (për saktësim, ish-nuses) së vëllait të tij.’

Kështu, lehtë – lehtë prej ca gazetarëve vrasja pasqyrohej si një ‘domosdoshmëri’ për të vënë në vend drejtësinë e munguar nga ‘policia e moralit dhe nderit’ … lehtë – lehtë vrasësi lartësohet dhe pastrohet prej secilës grimcë të përgjegjësisë kundrejt së vetmës vepër që nuk zhbëhet kurrë: vrasjes! Pushkatimit! Çnjerëzimit.

Zvetënimi i figurës së gruas

Në një ‘epokë vetkomunikimi’ përçasja ndaj problemeve, besueshmëria e lajmeve si dhe kostot etike të publikimeve janë kthyer në dilema të mëdha. Sa shtohen portalet e televizionet, po aq bie cilësia dhe serioziteti i punës. Kultura jonë me gjithë vrazhdësinë dhe mangësitë vazhdon të shpërfaqet në shkrime, sidomos nëpërmjet ‘tjerrjës së lajmeve’ të cilat duken si spektakël (i shëmtuar) që përthith vëmendjen e një targeti të caktuar, duke mos u brengosur aspak për çfarë u shkaktohet atyre mbi të cilët raportojmë.

Gazetarët e ditëve tona harrojnë ta çojnë misionin fisnik të gazetarisë deri në fund: ata neglizhojnë forcën që mund të kishte fjala e tyre në proceset e llogaridhënies së institucioneve dhe për më tepër neglizhojnë në plotni fuqinë e Gjuhës për ta ndryshuar opinionin e shoqërisë.

Mediat dhe gazetarët pa etikë shpesh herë e afrojnë ngjarjen tek publiku me zero ndjeshmëri e maturi. Kështu, dy – tre paragrafët që ata i ‘shesin’ për artikull rëndom janë tendencioz, mbajnë anën e njerës palë, zhbirilojnë jetën private të viktimës duke ‘shpikur lloj – lloj hipotezash’ për të kallzuar me një ‘lehtësi të lakmueshme’ se ‘viktimat nuk ishin (zakonisht) gra të urta ose qenë bashkëshorte ‘me moral jo të mirë’ e të padëgjueshme’

Me a pa vetëdije, kur bëhet fjalë për gratë e vrara ‘gazetarët bashkëpunojnë’ me krimin duke mos reaguar denjësisht përgjatë ndërtimit e transmetimit të lajmit, sidomos kur gjuha e përdorur e humb efektin e evidencës. Në gazetarinë e vendit tonë sot mungojnë balancat dhe ekuilibri, mungon përgatitja dhe vigjilenca humane. Pak e dallojnë vërtetësinë nga spekulimi gjersa normat redaktoriale nuk aplikohen e për rrjedhojë agresori a vrasësi mbrohet deri në pikën sa vritet së dyti, viktima.

Çfarë mungon në gazetarinë e epokës sonë?

Që gazetaria po kalon nëpër kriza të thekta, për këtë nuk ka më dyshime, madje dëgjohen zëra teksa pohojnë se numri i lexuesve ka rënë aq sa krijohet përshtypja sikur po humbet forca e dikurshme e pushtetit të katërt. Megjithëkëtë, paralelisht shumë profesionistë e ekspertë të fushës janë vënë në kërkim të alternativave të cilat përtej ndjesisë së presionit për të thënë diçka, përqëndrohen tek ‘rivitalizimi’ i gazetarisë.

Sheshit dallohet se komunikimi me gjuhën e stereotipeve, papërgjegjshmëria e gazetarëve dhe politikat e ulëta redaktoriale kanë sjellur mungesë debati e madje gazetarinë e ka kthyer në një ‘nxitëse të krimit’. Siç do të thoshte Veronique Mistiaen tejngopja me lajmet negative të cilat e vjedhin kollaj vëmendjen ka bërë që qytetarët të mbeten të mpirë, të shkëputur, të dëshpëruar dhe të zemëruar. Prandaj, sa më parë duhen aplikuar të tjera modele gazetarie përmës së cilave do të mundësohej rilidhja me audiencën dhe përfshirja e saj në çështjet jetike. Mistiaen shkruan se ne kemi nevojë për një gazetari që do t’i shërbente më mirë shoqërisë dhe demokracisë. Nga ana tjetër edhe Katharine Viner nga The Guardian vë theksin tek përdorimi i platformave mediatike si ‘ushqyese’ të imagjinatës me ide shpresëdhënëse e alternativa të freskëta. Sipas Viner nuk mund të kritikohet status quo-ja pa i eksploruar idetë e reja që do ta zhvendosnin atë. Prandaj gazetaria mbi të gjitha, duhet të ndërtojë shpresë!

Në kontekstin shqiptar a kanë mediat potencial për ndërtimin e shpresës?

Raportimet për vrasjen e fundme në Tiranë nuk lanë shumë për të ëndërruar. Dhjetë ditë para mënyra se si u transmetua fatkeqësia e një nëne a gruaje që më nuk jeton mes nesh, më solli shumë vegime prej luftës që ka lënënjolla kurrë të shlyera në mendjen time. Fundja, vrasësit nuk kanë komb e ngjyrë. Kurse vrasjen vetëm një gazetari e mirë mund ta kthejë në mësim të vyer dhe përvojë që nuk duhet përsëritur më.  

Mbase, sikur gazetarët të rizgjoheshin nga kllapia e kahmotshme që i ka këputur fijet e së mirës dhe dinjitetit – atëherë mund të ndeznim llambat e pritjes së një kohe, më të lehtë e më të begatë! Mbase kur gazetarët do të shpalosnin raporte e shkrime të ndërtuara në bazë të hulumtimeve serioze përmes së cilave përshkruajnë paanshëm të gjithë cepat e ngjarjeve; kur gazetarët thellohen tek mundësitë që çojnë në zgjedhjen e konflikteve, ndërtimin e urave ndërmjet aktorëve të ndryshëm, fuqizimin e të mohuarve dhe depolarizimin e shoqërisë; mbase atëherë gratë që kanë ikur prej këtij vendi mundësipak do ta gjenin paqenë e mohuar kurse gazetarisë i kthehej vlera e munguar dhe shoqëria do t’i gëzohej Lirisë së Shpresës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco