COVID-19/ E ardhme e pasigurt!

COVID-19/ E ardhme e pasigurt!

07:39, 24/10/2020
A+ Aa A-

Me rastet e Covid-19, që po shtohen kudo, e gjithë bota po eksploron sërish në një territor të panjohur. Ndërsa në mars, të gjithë nxituan të hyjnë në karantinë, si mjeti i vetëm që u pa në atë kohë për të parandaluar një krizë shëndetësore nga virusi i panjohur, tashmë dilemat janë edhe më të mëdha.

Përvoja tregoi se karantina vetëm sa e frenoi përkohësisht përhapjen e virusit, ndërsa në të kundërt, dëmet në ekonomi ishin të mëdha. Qeveritë në të gjithë botën shpenzuan të gjithë artileritë e tyre për të mbështetur bizneset dhe individët dhe ia dolën, deri diku.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e fundit për ekonominë globale, parashikon se ekonomia globale do tkurret me -4.4% këtë vit. Rezultatet do të ishin shumë më të dobëta po të mos ishin përgjigjet e konsiderueshme, të shpejta dhe të paprecedenta fiskale, monetare dhe rregullatore që ruajtën të ardhurat e disponueshme për familjet, mbështetën flukset e parave për firmat dhe kreditë.

Disa shtete të mëdha po shikojnë sërish mundësinë dhe po tentojnë të kthejnë karantinën, ndonëse dilemat janë të mëdha për efektet që do të sillte dhe mbi të gjitha, për pasojat në ekonomi.

Nëse në këto momente ka një gjë që është e sigurt, ajo është vetëm një: “Që e ardhmja është e pasigurt”.

Sidomos kjo është e vërtetë për Shqipërinë. Institucionet ndërkombëtare parashikojnë që vendi të ketë një ndër tkurrjet më të mëdha në rajon, e ndikuar dhe nga varësia e tij nga turizmi dhe eksportet drejt Italisë. Rënia pritet nga -7.5% deri në -9%. Të gjitha institucionet i ulën pritshmëritë edhe për rritjen vitin e ardhshëm, duke e zbritur atë në rreth 5%, çka nënkupton se rikthimi në normalitet (nivelet e Prodhimit të Brendshëm Bruto të 2019-s) nuk do të arrihet as në 2021.

Ndryshe nga tremujori i tretë që shënoi njëfarë gjallërimi, i nxitur prej turistëve dhe rikthimit gradual në normalitet pas karantinës së prill-majit, tre muajt e fundit të vitit duken të vështirë. Shtimi i rasteve të Covid-19 do të ketë efekt psikologjik në frenimin e konsumit nga individët, duke goditur dyqanet e vogla, që janë të rëndësishme për vetëpunësimin.

Turizmi nuk ka asnjë shpresë, të paktën në afatin e shkurtër. Numri i fluturimeve ditore në Rinas ka zbritur në më pak se 20, nga mbi 40 që arriti në periudhën e verës. Hotelet në Tiranë deklaruan se nuk kanë një zënie më të lartë sesa 10%. Shoqatat e tjera të turizmit flasin për një rënie deri me 90% të të ardhurave të operatorëve të lidhur me këtë sektor. Një e treta e eksporteve janë tekstile dhe këpucë me destinacion kryesisht Italinë, që në këtë situatë pritet të ulë sërish porositë për partnerët shqiptarë.

Ndërsa shtetet e zhvilluara kanë ruajtur ende municione për të përballuar një mbyllje të re në Shqipëri, kjo gjë është jashtë çdo diskutimi. Të paktën nga ana e kostove ekonomike do të ishte e papërballueshme. Borxhi publik pritet të arrijë në fund të këtij viti në 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 80% që e pret qeveria, një nivel rekord dhe i paqëndrueshëm.

Të ardhurat për 9- mujorin ranë me 10.3% me bazë vjetore, nga -3% që është parashikimi në buxhet, duke detyruar financat që të shkurtojnë shpenzimet, nëpërmjet të cilave shpresohej që të nxitej ekonomia. Rindërtimi, për shkak të karantinës, por edhe proceseve burokratike, po vonon, duke i gjetur shumë familje pa një strehë me ardhjen e dimrit.

Ambienti është i vështirë dhe i pasigurt, por jo i pamenaxhueshëm. Ajo që kërkohet për momentin është përgjegjshmëri, së pari në menaxhimin e financave publike. Ashtu si individët që po lënë para mënjanë për një ditë të vështirë (depozitat në banka janë rritur në periudhën e pandemisë), ashtu dhe qeveria duhet jetë e kujdesshme për t’u përgatitur për një të ardhme të vështirë.

Por, në prag të zgjedhjeve, sinjalet janë se nuk është vënë mend. Ndonëse ishte e pritshme që të ardhurat nuk do të realizoheshin, që kur u hartua buxheti i rishikuar, ato duket se u lanë qëllimisht të larta, me synim që në kahun tjetër të planifikoheshin më shumë shpenzime, duke hapur fonde me synim që ato të kaloheshin për vitin e ardhshëm zgjedhor. Si gjithmonë e kaluara nuk po bëhet mësim.

Ashtu si në vitin zgjedhor 2013, kur u rritën detyrimet e prapambetura që iu lanë barrë qeverisë së ardhshme, e njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe tani (niveli i detyrimeve të prapambetura ka arritur sërish në rreth 70 miliardë lekë, sa në 2013-n). Vetëm se këtë herë, barra pritet të jetë më e madhe, pasi ajo po rëndohet nga pasojat që po jep në ekonomi pandemia e Covid-19, duke rrezikuar që pandemia ekonomike të mbetet edhe kur virusi të zhduket një ditë (që shpresojmë të jetë sa më e shpejtë).Monitor

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

tl24/10/2020 08:18

Qeverise te rame makutit i imtereson vetem mbajtja e pushtetit me cdo kosto,por sa familje shqiptare shkojne gjithmone e me shume drejt mizerjes,rames jo vetem nuk do tja dije por ate deshiron,sa me pak shqiptare rebele,aq me mire per te.

Shto koment

Denonco