Shërbime të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara në Bashkinë Prrenjas

Shërbime të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara në Bashkinë Prrenjas

15:21, 23/09/2020
A+ Aa A-

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Shqipëri dhe World Vision Albania (WVA), në bashkëpunim me Bashkinë Prrenjas po ofrojnë shërbime të integruara dhe të specializuara në shtëpi për 33 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara në këtë bashki.

Shërbimi lëvizës ‘Tungjatjeta…jetë’ në Prrenjas është ngritur në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, ‘Askush të mos mbetet pas’, që mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe është në përputhje me planin social të Bashkisë Prrenjas 2018-2022.

Ndër të tjera në këtë plan theksohet nevoja për shërbimeve shoqërore për 857 individë me aftësi të kufizuara, nga të cilët 225 janë fëmijë dhe 161 prej tyre banojnë në zona rurale pa akses në shërbime.

Prrenjasi është bashkia e pestë në vend që po zbaton këtë program ku për herë të parë ndërthuret ofrimi i shërbimeve shoqërore dhe arsimore.

Ekipi i specializuar i programit social ‘Tungjatjeta...Jetë’  i përbërë nga një punonjës social, një psikolog, një fizioterapist dhe një logoped ka hartuar plane individuale zhvillimi në bazë të nevojave specifike të secilit prej fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë pjesë e programit.

Shërbimet e ofruara janë ndërthurur në mënyrë të tillë që fëmijët me aftësi të kufizuara të marrin shërbimin  e specializuar në shtëpi ose në mjediset e shkollës ‘Qybra Sokoli’ ku zbatohet modeli i Hapësirave Zhvillimore.  

Modeli i Hapësirave Zhvillimore synon ofrimin e shërbimeve të targetuara dhe të specializuara në hapësiren shkollore duke ndërthurur punën e profesionistëve të arsimit, shërbimit psiko-social dhe profesionistëve te tjerë nga shërbimet shoqërore/ shëndetësore duke u bazuar në nevojat individuale të fëmijëve por duke konsideruar si parësore parimet e arsimit gjithëpërfshirës.

Ndërkohë, në bazë të planit individual të zhvillimit të secilit prej fëmijëve, terapistët e shërbimit lëvizës të programit social ‘Tungjatjeta…Jetë’ udhëzojnë edhe anëtarët e familjes apo kujdestarët ligjor të fëmijëve të zhvillojnë gjatë javës ushtrimet e sugjeruara nga ekipi.

Artina Morava, Drejtoreshë Programi, World Vision Albania theksoi:

‘Gjetjet kryesore të studimit te WVA mbi ndikimin e COVID-19në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri, treguan se 14% të  intervistuarve kishin të  paktën një  person me aftësi të  kufizuara në familje.

Problematikat e tyre më  të  mëdha lidhen me vështirësitë  ekonomike, ndërprerjen e shërbimeve si arsimimi i fëmijëve ku vetëm 5 nga 10 fëmijë  me aftësi të  kufizuara ka pasur mbështetje gjatë mësimit online, shoqëruar kjo me një  rritje të  nivelit të  ankthit dhe stresit te prindërit dhe familjarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

’Tungjatjeta...Jetë është programi i parë dhe, deri tani, i vetmi në Shqipëri që ofron shërbime terapeutike të asistencës shtëpiake për 166 fëmijë me aftësi të kufizuar, në Librazhd, Dibër, Bulqizë dhe tani në Prrenjas në mënyrë të rregullt në familje.

Ky program ka ofruar këshillim online gjatë periudhës së pandemisë dhe më pas terapi në oborr në mënyrë që shërbimi të mos i ndërpritej këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre. Jemi të lumtur që këtë vit na bashkohet edhe një agjenci si UNDP që mbështet fuqizimin e shërbimeve shoqërore dhe përfshirjes sociale në nivel bashkish.

Nëse institucionet qendrore dhe vendore, ashtu sikurse edhe organizatat e shoqërisë civile dhe agjencitë bashkëpunojmë me njëri tjetrin,do mundemi t’iu vijmë në ndihmë më shumë fëmijëve e familjeve që janë në nevojë...’

Anduena Shkurti, Anduena Shkurti, Koordinatore e Programit LNB theksoi: ‘Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara ‘Askush të mos mbetet pas (LNB)’, synon të avancojë përfshirjen sociale të personave dhe grupeve të në nevojë duke nxitur ndryshime në sistemin e ofrimit të shërbimeve të përmirësuara të kujdesit shoqëror.

Për rrjedhojë, ky program mbështet bashkinë në këtë drejtim, duke marrë parasysh që ofrimi i shërbimeve ofrohet kryesisht në nivelin lokal. Programi vë në përdorim mekanizma të ndryshëm, të tillë si grantet e vogla, për të financuar projekte inovative në nivel lokal që janë në përputhje me qëllimet kryesore të ketij programi.

Bashkia e Prrenjasit është njëra nga prej bashkive fituese që po përfiton nga thirrja e parë për grante e programit te LNB-së për shërbime sociale me bazë komunitare. Ne jemi të lumtur të shohim që ky bashkëpunim midis UNDP-së/programit LNB, Bashkisë së Prrenjasit, dhe WVA, i cili për herë të parë po piloton shërbime sociale lëvizëse për fëmijët me aftësi të kufizuara, po zbatohet me sukses.

Shpresojmë që kjo iniciativë të kthehet në një praktikë të mirë, duke pasur parasysh përvojën e suksesshme që ka World Vision Albania në këtë drejtim në pjesë të tjera të Shqipërisë, dhe që të hap rrugën drejt shërbimeve më të qëndrueshme sociale.’

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco