'Jam dashuruar marrëzisht me një vajzë në Amerikë, po si të marr vizë?' Sqaron avokati amerikan

'Jam dashuruar marrëzisht me një vajzë në Amerikë, po si të marr vizë?' Sqaron avokati amerikan

09:25, 18/09/2020
A+ Aa A-

"Përpara disa muajsh jam njohur me një vajzë amerikane dhe kemi rënë në dashuri. Çështja është që prindërit e saj, përpara se ta lejojnë vajzën e tyre të vijë në Shqipëri që të martohet me mua, dëshirojnë të më takojnë." Për këtë problem, ka dhënë sqarime avokati amerikan Kieran Both

Pyetje nga lexuesi mbi aplikimet e të fejuarve

Përshëndetje!

Do të dëshiroja t’ju bëja një pyetje që më ka munduar kohët e fundit. Përpara disa muajsh jam njohur me një vajzë amerikane dhe kemi rënë në dashuri. Çështja është që prindërit e saj, përpara se ta lejojnë vajzën e tyre të vijë në Shqipëri që të martohet me mua, dëshirojnë të më takojnë. Edhe unë do të dëshiroja t’i takoja, por nuk udhëtoj dot në SHBA. Jemi të dashuruar marrëzisht. A ekziston ndonjë mundësi që të shkoj në SHBA? Kam dëgjuar për vizat që u jepen të fejuarve. Pres me padurim përgjigjen tuaj. 

ER

Albania

Mund të vini në SHBA dhe të takoheni me prindërit e vajzës qw doni, përpara se të martoheni! Shpresojmë që prindwrit t’jua japin pwlqimin, pasi do të martoheni menjëherë pasi t’i takoni.

Nëse e dashura juaj është nënshtetase amerikane dhe keni në plan të martoheni në SHBA, ajo duhet të paraqesë në emrin tuaj një peticion pranë Shërbimit të Emigracionit të SHBA-së (USCIS). Ky peticion quhet Petition for Alien Fiancé (Formulari 1-129F i USCIS-it). Në mënyrë që të kualifikohet për një peticion të tillë, peticioneri duhet të ketë në plan të martohet me të fejuarin/ën brenda 90 ditëve nga momenti që ky i fundit ka hyrë në SHBA. Peticioneri duhet të tregojë që të dy palët janë të lirë për t’u martuar dhe që e kanë takuar njëri-tjetrin personalisht gjatë dy viteve që i kanë paraprirë kohës së paraqitjes së formularit I-129F. Nëse nuk jeni takuar brenda dy viteve të fundit, duhet të paraqisni një shpjegim të detajuar si dhe prova që dëshmojnë vështirësitë e jashtëzakonshme apo praktikat zakonore, kulturore apo shoqërore që janë bërë pengesë për të realizuar këtë takim.

Fëmijët tuaj nën moshën 21 vjeç të cilët janë përfshirë në formularin I-129F kualifikohen gjithashtu që t’ju shoqërojnë. Peticioneri duhet të paraqesë prova që dëshmojnë që është nënshtetas/e amerikan/e. Peticioneri duhet të paraqesë gjithashtu prova që dëshmojnë që të dyja palët e kanë mbushur moshën ligjore për martesë që ka vendi ku kanë ndër mend të kryejnë martesën. Nëse cilësdo prej palëve i nevojitet leje e veçantë (siç është leja nga prindërit) për t’u martuar, atëherë duhet paraqitur dhe prova që tregon se kjo leje është dhënë. Gjithashtu, secila palë duhet të paraqesë një deklaratë origjinale si dhe kopje të provave që vërtetojnë qëllimin e ndërsjellë të palëve.

Si ju ashtu dhe peticionerja duhet të paraqisni një formuar G-325A të mbushur dhe të firmosur si dhe një fotografi si ato për pashaportë të bërë brenda 30 ditëve nga dita e paraqitjes së peticionit. Nëse cilado nga palët ka qenë e martuar më parë, ajo nevojitet të paraqesë kopje të dokumentave që vërtetojnë se kjo martesë ka përfunduar. Nëse ndonjëra, ose secila prej palëve, ka qenë e dënuar për ndonjë krim, ajo duhet të paraqesë kopje të çertifikuara të dokumentave gjyqësore dhe atyre të policisë që tregojnë akuzat si dhe statusin apo vendimin përfundimtar për secilin nga dënimet. Kjo është e nevojshmë edhe nëse këto të dhëna janë tashmë të mbyllura e të vulosura. Nëse cilado nga palët ka të kaluar penale, do t’u rekomandonim që përpara se të paraqisnin formularin Form I-129F, të konsultoheshin me një avokat me përvojë.

Kur kërkesa të jetë aprovuar, duhet të shkoni në ambasadën amerikane për të marrë  vizë. Aty do t’ju bëjnë pyetje mbi lidhjen tuaj si dhe qëllimin për t’u martuar me peticioneren. Kjo intervistë është shumë e rëndësishme, ndaj të dyja palët duhet të diskutojnë paraprakisht së bashku mbi historinë e lidhjes në mënyrë që personi që do të intervistohet të jetë i qartë për datat dhe të dhënat e rëndësishme. Me data dhe të dhëna të rëndësishme kuptojmë: datën kur u takuan për herë të parë, vendin ku u takuan, njeriun ose njerëzit që i prezantuan me njëri-tjetrin, vendet e preferuara ku shkojnë për takim, etj. Zyrtari konsullor mund t’ju bëjë pyetje nga më të ndryshmet dhe kjo është arsyeja pse çështja duhet përgatitur mirë.

Nëse aplikimi për vizë miratohet, do t’ju lejohet të hyni në SHBA me vizë K-1. Martesa duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga dita që keni ardhur në SHBA. Nëse martesa nuk ndodh brenda këtyre 90 ditëve ose vendosni të martoheni me dikë tjetër që nuk është peticioneri, atëherë do t’ju kërkohet të largoheni nga SHBA-ja. Për Shërbimin e Emigracionit të SHBA-së (USCIS), sakohë që nuk keni kryer martesën, jeni një joemigrant (vizitor i përkohshëm me një qëllim të caktuar). Gjithashtu nuk mund të kërkoni një shtyrje të afatit 90 ditor të qëndrimit në SHBA. Jo vetëm kaq, por me vizën K-1 keni të drejtë të futeni në SHBA vetëm një herë. Nëse largoheni nga SHBA-ja përpara se të martoheni, nuk do t’ju lejohet të riktheheni pa marrë më parë një vizë tjetër. Personi me vizë K-1 ka të drejtë të punojë.

Pasi të martoheni, nëse keni ndërmend të jetoni dhe të punoni në SHBA, mund të bëni kërkesë për të marrë green card. Formulari që duhet të paraqisni për këtë qëllim quhet Application to Adjust Status (formulari I-485). Nëse nuk keni ndërmend të qëndroni në SHBA, duhet të largoheni brenda 90 ditëve që nga momenti i ardhjes në SHBA, siç e shpjeguam më lart.

Kur bëni kërkesë për green card ju jepet gjithashtu mundësia që të bëni kërkesë për Re-entry Permit (leje për t’u rifutur në SHBA) përmes formularit I-131. Kjo do t’ju jepte mundësinë që gjatë kohës që prisni shqyrtimin e aplikimit I-485 për green card që keni paraqitur, të udhëtoni dhe të rifuteni në SHBA. Është e rëndësishme të jeni i pranishëm në SHBA qoftë për të dhënë shenjat e gishtave qoftë për vetingun. Ju dhe bashkëshortes suaj do t’ju kërkohet të paraqiteni për intervistë.

Nëse merrni aprovimin, si fillim do t’ju jepet statusi dy-vjeçar i rezidentit të përhershëm me kusht. Ky status jepet nga USCIS-i në rastet kur në kohën e ndryshimit të statusit në rezident të përhershëm (green card), çifti në fjalë nuk i ka mbushur dy vjet martesë. Statusi me kusht i rezidentit jepet në ditën që personi hyn në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara me vizë emigruese ose me status të rezidentit të përhershëm. Për heqjen e kushtit, brenda 90 ditëve që I paraprijnë përvjetorit të dytë të dhënies së statusit të rezidentit të përhershëm me kusht (green card-a me kusht), duhet të paraqisni një kërkesë për heqjen e kushtit, (formulari I-751 i USCIS-it). Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumenta që tregojnë që martesa është ende e vlefshme, si p.sh. dokumenta pronësie të përbashkët, kontratë për marrje apartamenti me qira në emër të të dyve, dokumenta të përbashkët të taksave si dhe të natyrës financiare, çertifikatat e lindjes së fëmijëve, deklarata nga palë të treta si dhe dokumenta të tjerë. Nëse bashkëshorti apo bashkëshortja nuk janë në gjendje të paraqesin kërkesën në fjalë bashkarisht për arsye si vdekja e njërit prej bashkëshortëve, apo përfundimi i martesës, egzistojnë disa proçedura që i lejojnë bashkëshortit/es të bëjë kërkesë më vete. I bëjmë thirrje lexuesve tanë që të flasin për këto çështje me një avokat emigracioni me përvojë.

Ka dhe tema të tjera lidhur me martesën për të cilat personat që kanë ndër mend të aplikojnë dëshirojnë të mësojnë më shumë. Këto çështje do t’i trajtojmë në të ardhmen në këtë rubrikë. Nëse lexuesit tanë duan të mësojnë diçka më shumë për vizat e të fejuarve, green card-at, u lutemi të shkojnë në faqen e internetit të USCIS-it: www.uscis.gov/Marre nga gazeta Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco