Niveli i pagesave, ja cilat profesione marrin më shumë, specialistët e IT-së ngjiten në vend të tretë

Niveli i pagesave, ja cilat profesione marrin më shumë, specialistët e IT-së ngjiten në vend të tretë

08:18, 03/08/2020
A+ Aa A-

Kushdo që kërkon të vazhdojë arsimin e lartë, apo të mësojë për një profesion të caktuar, në finale ka si qëllim të arrijë të paguhet sa më mirë. Edhe avancimi në karrierë ka të njëjtin synim, krahas realizimit profesional. Të dhënat e INSTAT për pagat mesatare për grup profesionet, tregojnë që ata që kanë mbaruar ekonomik dhe arrijnë në pozicion drejtues, administrativ apo komercial, kanë dhe mundësinë që të përfitojnë më shumë të ardhura. Ndërsa së fundmi, e preferuar po bëhet dhe teknologjia e informacionit,

Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2019 ishte 52.4 mijë lekë, sipas INSTAT, me një rritje prej 3.5% në raport me vitin e kaluar. E indeksuar me inflacionin, rritja është minimale, rreth 1.5%.

Por, cilat janë profesionet që paguhen më shumë në vend.

Është normale që pozicionet drejtuese janë ato që shpërblehen më shumë, duke pasur paga tre herë më të larta se mesatarja kombëtare. Sipas INSTAT, Drejtuesit administrativë dhe komercialë kanë një pagë mesatare bruto prej 154 mijë lekësh në muaj. Në raport me një vit më parë, paga e tyre është rritur me rreth 10% dhe në vlerë absolute ata kanë përfituar shtesën më të madhe të të ardhurave nga të gjithë profesionet e tjera.

Në vend të dytë janë sërish drejtuesit, por ata të prodhimit dhe shërbimeve të specializuara, me 114 mijë lekë në muaj. Edhe ky grup ka shënuar një rritje të pagës me 9%.

Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë kaluar për herë të parë në vend të tretë, me një pagë mujore prej 92 mijë lekësh. Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë dhe nevoja e bizneseve për t’u përshtatur dhe qenë konkurrues, po i bën gjithnjë e më të kërkuar profesionistët e IT-së.

Puna në shtet nuk shpërblen më dhe aq shumë, edhe nëse je drejtues. Paga mestarë për Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ishte 87.6 mijë lekë në 2019-n, me një rënie prej rreth 3% në raport me vitin e mëparshëm, duke zbritur nga vendi i tretë ku ishte në 2018-n. Ndërsa nëpunësit e zyrave paguhen mesatarisht 49.4 mijë lekë.

Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë janë një profesion që ka parë rënie të pagës mesatare me rreth 1.2% në 84.7 mijë lekë.

Specialistë të administrimit dhe biznesit kanë të ardhura bruto mujore prej rreth 83 mijë lekë, ndonëse në 2019-n, nuk ka pasur rritje për ta.

Mësuesit paguhen mesatarisht me 63.4 mijë lekë, me rritje 3.3% me bazë vjetore.

Më pak i vlerësuar është profesioni i mjekut, i cili sidomos sot ka marrë një rol të veçantë. Grup profesioni “Specialistë të shëndetësisë” ka një pagë mesatare mujore bruto prej 60 mijë lekësh, me një rritje prej 2.8% me bazë vjetore. “Asistentë të specializuar të shëndetësisë” paguhen me 48 mijë lekë.

Profesionet e tjera, që përgjithësisht janë punë që nuk kërkojnë shumë kualifikime, si në ndërtim, shitje, bujqësi, punëtore shtëpie, industri paguhem mes 30-40 mijë lekëve në muaj.

Më pak të paguarit janë “Punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme”, me 30 mijë lekë në muaj, teksa krahu i lirë i fuqisë punëtore është një ndër avantazhet kryesore të eksportuesve shqiptarë./Monitor/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco