Mjeku: Mostestimi futi Covid-19 në spitale, shqetësues rritja e rasteve në institucionet publike

Mjeku: Mostestimi futi Covid-19 në spitale, shqetësues rritja e rasteve në institucionet publike

19:30, 17/06/2020
A+ Aa A-

Mjeku pneumolog Arjan Mezini në një intervistë për Abc News ka deklaruar se ne tashmë duhet të ndërgjegjësohemi dhe të respektojmë protokollet për mbrojtjen nga Covid 19.

Mezini ka theksuar se rritja e numrit të rasteve pas rihapjes ishte normale, por shqetësuese ishte fakti që numri më i madh i rasteve janë konstatuar tek institucionet publike dhe personeli mjekësor.

Gjithashtu ai shprehet se fatmirësisht me rritjen e numrit të infektimeve nuk kemi rritje të pacientëve të shtruar në spitale.

“Përhapja e infeksionit në një mjedis spitalor ku ka dhe pacientë me sëmundje të tjera kronike është fatale për ta. Analiza për personelin mjekësor duhej të bëhej më shpesh, nëse ne nuk kemi kapacitete të bëjmë njëherë në 4 ditë të paktën ne duhet ta bëjmë një herë në dy javë. Tek spitali “Shefqet Ndroqi”, pacientët tamponohen, ne nuk e bëjmë këtë testim sigurie tek personeli por tek pacientët bëhet te të gjithë. Kjo mungesë është problem pasi fut infeksionin te spitale.

Ne jemi koshient që kishim një izolim të zgjatur dhe njerëzit e mërzitën. Unë mendoj se pas datës 15 prill ne e tepruam me masat duke shkaktuar lodhje te njerëzit. Ajo që është e pakuptimtë është përhapja e infeksionit në institucionet publike dhe mjekësore që tregon se ne nuk kishim një përgatitje të saktë në lidhje me respektimin e masave mbrojtëse. Rritje të rasteve do të kishte patjetër pas rihapjes, por nuk mendoja se rritja e rasteve do të ishte në këto institucione.

Është rritur numra e infektimeve por fatmirësisht nuk kemi rritje të numrit të pacientëve për trajtim të specializuar, pas dy javësh do të kemi dhe një raport të qartë në lidhje me këtë ecuri”, është shprehur mjeku.

Ndër të tjera mjeku ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm të ruajnë distancimin social, të zbatojnë masat higjeno sanitare dhe të mbajnë maskat, pasi virusi është mes nesh dhe duhet të mësohemi të jetojmë me të.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco