Mjekja shqiptare Linda Ciu në SHBA, në vijën e parë të frontit kundër Covid-19

Mjekja shqiptare Linda Ciu në SHBA, në vijën e parë të frontit kundër Covid-19

08:17, 30/05/2020

Dr.Linda Ciu punon në “Reliant pediatric urgent care” shërbim i Urgjencës pediatrike në Worcester, MA, e cila është në vijë të parë të frontit të luftës kundër koronavirusit.

Intervistoi Keze Kozeta Zylo.

Flet Dr.Ciu e cila ka gjysh Ismet Toton, një intelektual par excellence nga Progonati i Tepelenës, dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut, në moshën 32 vjecare. Në prag të ekzekutimit ai shkroi letrën botuar nën titullin “De profundis”: "Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen."

Drama e vellezerve Toto nuk ka te perfunduar. Vëllai i madh Ethemi, ish Ministër i Brendshëm në kohën e Zogut, që gëzonte respekt nga Veriu në Jug, u vetëvra i rrethuar, por dhe vëllai tjeter Tahsini u vra gjatë rrethimit.

Vëllai i vogel Selaudin Toto, fizikant i shquar themeluesi i Akademise së Shkencave me vartës dhe bashkëpunëtorë të njohur si Sabiha Kasimati etj, dhe deputet në Parlament si Nacionalist, pushkatohet me gjyqin famëkeq të deputetëve në 1947 nga regjimi diktatorial Hoxha.Image

Dr.Ciu, bota është në luftë pandemike cila është detyra juaj në këtë situatë tragjike?

Detyra jone si mjeke është jo vetëm të ofrojmë ndihmë të shpejtëdhe cilësore për fëmijët e moshave 0-18 vjec, duke lehtësuar kështu repartin e Emergjencës në spitale , por tëmbulojmë dhe shëbimin e mjekëve pediatër në komunitetet për rreth, kur nuk mund të shohin pacientët e tyre, ose mbas orarit të vizitave.
Deri para një viti dhe unë kam punuar si pediatre në shërbimin parësor për 15 vite këtu nëAmerikë.

Ju jetoni në qytetin e Worcester, në Massachusetts, që kur u hap ky virus vdekjeprurës keni qenëe frikësuar për familjen tuaj, ose si e menaxhoni stresin e familjes suaj?

Si mjeke pediatre prej më se 30 vjetësh kur gjysmën e pare të viteve kam punuar në Shqipëri, kjo nuk është epidemia e parë për mua. Natyrisht niveli i ankthit për vehte dhe familjarët është i madh, por i manaxhueshëm. Nga ana tjetër, kam fatin, që në qendrën ku punoj, nuk ka patur mungesa të materialeve mbrojtëse, dhe kemi organizuar seleksionin e pacientëve dhe mënyrën e ekzaminimit me metoda të reja krijuese, per të pakësuar ekspozimin tonë dhe të personelit ndihmës.
Gjithashtu vajza është mjeke dhe punon tek spitali Mount Sinai ne NYC si geriatre dhe bashkëshorti i saj është drejtori klinik i departamentit të Urgjencës së spitalit, por deri tani nuk janë sëmurur, dhe e manaxhojnë stresin me optimizëm, pa ankth. Bejme face time ditore midis nesh, dhe shpesh rreth orës 7 të mbrëmjes, kam dëgjuar jehonën e duartrokitjeve të njerëzve për punonjësit e shëndetësisë,nga apartamenti tyre, që është emocionuese.
Fakti që të gjithë ne, si mjekë, ia kemi dedikuar jetën tonë, shërbimit të njerëzve në nevojë, dhe kemi bërë betimin e Hipokratit, ndihmon që të përballojmëkëto situate të vështira .

Gjatë shërbimit tuaj në shendetësi në këtë kohë keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

Në kliniken time nuk kam patur fëmijë shqiptarë që të kenëtestuar pozitiv. Bashkëshorti im, i cili punon me komunitetin shqiptar në Worcester, ka dëgjuar për disa raste, por jo fatalitete. Nje lajm I mirë dhe optimist është që vjehrra ime, 87 vjec, u sëmur në Nursing Home, por e kaloi lehtazi. Nga ana tjetër do të dëshiroja ti përgjigjesha spekullimeve se vaksina e BCG në të kaluaren, te mbron nga virusi. Fatkeqesisht nga studime të fundit (më i fundit studim izraelit ) ka rezultuar se kjo vaksinë nuk ka efekt mbrojtës. Për ne si shqiptarë, që kemi qenë vaksinuar routine, ishte pak shpresëdhënës por rezulton që nuk ka bazë shkencore.

Cilat janë këshillat tuaja si doktoreshe në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo pandemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Si mjeke pediatre, në cdo stinë dimri, jemi në kontakt me viruse të rrezikshëm , ku fëmijët janë bartësit dhe vektorët më të shpeshtë dhe këto viruse kanë semundmëri të lartë ndër të prekur. Pervec gripit stinor, kemi patur stinë ku gripi i derrit apo “bird flu”kanë qenë shumë të rrezikshëm fillimisht, apo dhe epidemi fruthi nga refuzimi i vaksinës. Shumica e këtyre viruseve nuk përbejnë më rrezikshmëri të lartë, sepse janëpërfshirë në vaksinën e gripit që jep mbrojtje të pjesshme deri 60 përqind, dhe me kalimin e viteve, mbrojtja ka efekt kumulativ.

Deri sa të kemi një vaksinë ndaj covid, duhet të zbatojmë me rigorozit të shtuar rregullat e higjenës, dhe për më tepër distancimin social dhe maskat. Ajri i pastër në natyrë, sidomos me ardhjen e stinëve të buta, do të ndihmojë jo vetëm shëndetin fizik por dhe atë mendor, në këtë pandemi.

Nju Jorku është shteti më i kapur prej fyti nga Coronavirusi si do të parandalohet kjo epidemi që po merr jetë njerëzish?

Nju Jorku është qendër e fluturimeve nga bota dhe njëkohësisht ka dendësi të madhe tëpopulatës, që shpjegon dhe sëmundshmërinë e lartë. Lajm i mirë është që rastet janë në ulje tëvazhdueshme si dhe rastet e paraqitjes në spital apo shtrimeve.

Sistemi mjekësor amerikan tregoi se ka resiliencëtë lartë dhe e përballoi situatën pa patur kolaps apo mungesa ventilatorësh apo shtretërish. Nga ana tjetër sektori privat ju pergjigj shpejt duke shtuar prodhimin për t’u pergjigjur nevojave tështuara per pajisje mbrojtëse apo mjekësore, si dhe industria/shkencëtarët farmaceutike po punojnë me shpejtësi për një vaksinë efikase dhe testime të shpejta sa më cilësore.

Fakti është që numri i rasteve do të ketë ngritje nga rihapja e aktiviteteve, por që do të jenë besoj të përballueshme.
Shpresat jane të mëdha, për një vaksinë të efektshme, gjithashtu së shpejti do kemi dhe rezultate të sakta të studimeve shkencore që po bëhen në spitalet e Nju Jorkut dhe gjetkë , për trajtime sa më efikase lidhur me parandalimin apo mjekim të hershëm të të prekurve duke evituar kështu format e rënda që përfundojnë në reanimacion.

Nga ana tjetër testimet në Amerikë janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe janë në përmirësim të vazhdueshëm cilësor, për të qenë sa më të saktë, kjo do të lehtesojë dhe parandalimin e një rritjeje drastike të rasteve me rihapjen .

Keni frikë nga ky virus vdekjeprurës se mos ju transmetohet nga të sëmurët?

Natyrisht ky është rreziku ditor për ne, dhe prandaj kujdesi duhet të jetë konstant, duke filluar nga përdorimi i kompleteve mbrojtëse, larja e shpeshtë dhe dezifektimi i duarve dhe sipërfaqeve në mjedisin ku punon, por dhe kujdes i lartë kur kthehesh në shtëpi, që mos të biesh virusin në mjediset shtepiake. Kujdes në ndërrim të menjëhershëm në një mjedis të caktuar në hyrje, dezifektim i shpeshtë i sipërfaqeve shtëpiake apo larje me temperaturë të lartë të veshjeve.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke midis dy kontinenteve?

Shqipëria ka patur raste të ulta në krahasim me rajonin , te lidhura me një mbyllje apo lock down drastik. Të gjithë e kuptojmë që një mbyllje drastike fillimisht është e kuptueshme për t’i dhënë kohë sistemit shëndetësor të marrë masa për të siguruar bazë materiale të mjaftueshme për punonjësit e shëndetësisë që mos tësëmuren, të sigurojë më shumë aparatura dhe mjekime sado pak efikase deri tani për të parandaluar rastet e rënda dhe numër testesh të bollshme për të gjurmuar sëmundjen dhe parandaluar përhapjen. Këto janë në dorë të qeverisë. Intervali kohor i karantinës absolute ka qenë më se i mjaftueshem per të siguruar kushtet dhe nevojat e mësipërme.

Mbyllja e stërzgjatur nuk është më e dobishme, dhe sidomos sa më i varfër vendi aq më të tejskajshme jane pasojat ekonomike. Gjithashtu stina e butë duhet shfrytëzuar për efektet positive për shëndetin fizik dhe mendor. Nuk po hyj në aspektin ekonomik të stërzgjatjes së izolimit, por nga pikëpamja shëndetësore, relaksimi i karantinës padyshim që shoqërohet me numër rastesh të reja të infektuara , prandaj llogjika e stërgjatjes së izolimit , apo rikthimi tek një izolim drastik është i pakuptimtë dhe abuzues.

Cili është edukimi juaj dhe si i keni ngjitur shkallët e karrierës në mjekësi dhe në Amerikë?

Une kam lindur dhe rritur në Tiranë, filloren e kam mbaruar tek shkolla “Kosova”, pastaj tetevjecaren tek “Fan Noli” dhe gjimnazin tek “Sami Frashëri “ ku kam mbaruar me medaljen e artë , fakt që më mundësoi pranimin në Fakultetin e Mjekësisë, në 1981-1986.

Fakultetin e Mjekësisë e mbarova me diplomë “shkëlqyer “.

Fillimisht kam punuar në Spitalin pediatrik në Tiranë dhe më pas u bëra dhe pedagoge e Katedrës së Pediatrisë. Në 1992 kalova në Neonatologji, specialitet që merret me kujdesin e të porsalindurit dhe u zhvendosa në Maternitet.

Më 1994 pata fatin të fitoj një burse 6 mujore “Fulbright “ dhe shkova për research pranëUSCF -San Francisco në Neonatologji , që ishte një experiencë e jashtëzakonshme .

Më pas u ktheva dhe kam punuar ne Atdhe deri më 1999, gjate kësaj kohe mbrojta dhe doktoratën në Neonatologji. Kam qenë anëtare / konsulente e grupit të Organizates Botërore të Shendetit për mbledhjen e tëdhënave perinatale.

Në mars 1999 emigruam në USA, me ribashkim familjar nga ana e bashkëshortit. Mu desh të kaloj provimet për konvertimin e diplomës , që morën rreth 1 vit, dhe më pas bëra 3 vjet specializim ne Pediatri pranë UMASS hospital center. Kam praktikuar në Massachusetts si pediatre e përgjithshme qysh prej vitit 2004 deri sot.

Ju keni gjysh Ismet Toton, një intelektual par excellence nga Progonati i Tepelenës, dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut, si e përjetoi nëna juaj këtë dramë të familjes? Në prag të egzekutimit ai shkroi letrën botuar nën titullin De profundis: "Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen." Ai frymëzon përjetësisht gjeneratat me kulturën dhe veprimtarinë kombëtare që na la, ne ndihemi tejet krenar, po ju si e perjetoni dhe transmetoni këtë pasuri kaq të vyer tek pasardhësit tuaj? (Ismet Toto në foton 1)Image

Vëllezërit Toto kanë bërë histori , pavaresisht se gjate periudhës së diktaturës nuk janë përmendur, dhe lëvizja e Delvinës që ata kryesuan ishte një kryengritje kundër Zogut, të cilin ata e përkrahën në fillim duke shpresuar qe do të përparonte vendin. Por kur panë që regjimi i tij ishte kthyer në një regjim të korruptuar, diktaturë ku eliminoheshin fizikisht kundërshtarët, dhe kur Zogu vetë rrëzoi qeverinë liberale të Mehdi Frashërit që kishte ngjallur shpresa për reforma dhe përparim, u ngritën kundra tij. është për të qeshur dhe për të qarë se lëvizja e Delvinës u quajt komuniste për kohën nga Zogu dhe nuk u provua dot me fakte dhe më pas u etiketua si fashiste prej diktatorit EH. Në fakt ishe një kryegritje patriotësh me ideale ndoshta dhe utopike për kohën por që dëshiruan përparimin e atdheut më shumë se jetën e tyre.

Ismeti kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe ishte gazetar, publicist ne revistat më në zë të kohës dhe bashkëpunëtor me Faik Konicën, Branko Merxhanin dhe shkrime kanë qenë të botuara në gazetat e njohura të kohës si Minerva, Iliria, Ora etj, si dhe zyrtar ne qeverinë e Zogut. Ismeti u denua me varje në Gjirokaster, në moshën 32 vjecare.

Vëllai i madh Ethemi, ish minister i brendshëm, që gëzonte respekt nga Veriu në Jug, u vetëvra i rrethuar dhe vëllai tjeter Tahsini i cili u vra gjate rrethimit. Gjyqi në Gjirokastër nuk provoi asnjë akuzë se levizja ishte komuniste apo e përkrahur nga jashtë, por ishte vetëm e drejtuar kundër një administrate me tradita otomane dhe të korruptuar. Ai shpresonte tek “Djalëria” që herët a vonë do të përparonte Atdheun.

Ismeti la pas 3 fëmijë dhe gruan e tij në moshe të re dhe pa pasuri apo prona. Fjala e tij “De Profundis” u shpërnda nëpër shkollat e vendit si rrufe pavarësisht, pengesës së xhandarmërisë. Por për familjen Toto, që u bë bazë e luftës, ku gyshja Envere Toto, u zgjodh në Kongresin e gruas antifashiste, si zv/presidente, fatkeqesitë nuk kishin fund .

Vëllai i vogel Selaudin Toto, fizikant mbaruar në Torino që u kthye të kujdesej për jetimët e vëllezërve në 1944, themeluesi i Akademise së Shkencave me vartës dhe bashkëpunëtorë të njohur si Sabiha Kasimati etj, dhe deputet në Parlament si Nacionalist, pushkatohet me gjyqin famëkeq të deputetëve në 1947.

Mamaja ime Flutura Toto Ciu, ishte vetem 8 vjec kur u var babai i saj Ismeti. Dhe vetëm 18 vjec kur u pushkatua Selaudini që e konsideronte si figure atërore. (Selaudin Toto në foton2). Më pas persekutimi vazhdoi egërsisht, gjyshes nuk i lejuan as te qepte në shtëpi për të ushqyer fëmijët. Por mamaja, motra dhe vëllai i saj nuk e ulën kokën apo nuk shitën ndershmërinë e trashëguar në familje.Image

Në vitet e fundit të jetës ajo ma përshkruante me lot në sy momentin si vajtën të vetme, bashkë me motrën , më të vogel të përshëndeste xhaxhain tek dalja tek kinema 17 Nëntori, pas gjyqit , kur e hypën në autobuz drejt pushkatimit . Apo kujtonte trupin e të jatit xhenaze, që vetëm ajo si fëmija më e madhe, e lejuan në dhomë.

Gjithmonë sillte në mendje se si vuanin për bukë në vitet e pasluftës apo kur arrestuan vëllanë e vogël në shtëpi me akuzën ‘tentativë arratisje“ dhe vizitat në burg bashkë me gjyshen

Një libër i plotë me punën dhe veprën e vëllezërve “Toto“ është botuar dy vjet më parë i titulluar “Ismet Toto -Larg dhe afër-saga e një familje”, me parathënien e mbesës së tij Nevila Nika, që hulumtoi si historiane nëpër arkiva gjithë punimet dhe botimet e tij.

Tri vjet më parë së bashku me vajzën dhe bashkëshortin e saj, morëm pjesë në përkujtimoren e vdekjes së Selaudin Totos si themelues i Insitutit sot Akademia e Shkencave dhe 70 vjetorit përkujtimor të gjyqit të Deputeteve tek salla e Akademisë së Shkencave në Tiranë. Aty Ambasada Italiane na dorëzoi ne familjarëve kopjen e disertacionit të tij dhe Diplomës nga Instituti i Fizikës në Torino.

Vajza e mban librin tek koka e krevatit dhe e ka lexuar me shumë dashuri .

Faleminderit Dr.Ciu për bisedën e vlefshme dhe paci shëndet familjarisht!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare/ 29 Maj, 2020,New York/Zemra shqiptare

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco