FOTO/ KMSH, përkujdesje maksimal për faljen e Fitër Bajrami

FOTO/ KMSH, përkujdesje maksimal për faljen e Fitër Bajrami

12:25, 25/05/2020
A+ Aa A-

Komuniteti Mysliman ka njoftuar se si u fal namazi i Fitër Bajramit dje nga besimtarët myslimanë në të gjithë xhamitë e vendit. Fitër Bajrami i njohur ndryshe si Bajrami i Ramazanit apo Festa e Agjërimit.

Pamjet tregojnë rregullin, qetësinë, respektimin e distancimit sociale, vëmendjen dhe përkujdesje ndaj njeri-tjetrit në kushtet e jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia.

KMSH njoftoi "se ceremonia kryesore, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, u zhvillua në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), Tiranë.

Ndryshe nga vitet e tjera, falja e Fitër Bajramit këtë vit u zhvillua në të gjithë vendin duke respektuar një protokoll të caktuar në kuadër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

Ceremonia filloi me ligjëratën e rastit të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, i cili pasi kërkoi mirëkuptim nga të gjithë besimtarët për masat e lartëpërmendura, u fokusua mbi devotshmërinë, përkushtimin, sakrificën, solidaritertin, dashurinë dhe vëllazërinë mbarë-njerëzore që simbolizon muaji i bekuar i Ramazanit.

“Sot triumfoi edhe një herë e mira ndaj të keqes, virtyti ndaj veseve të këqija, dashuria ndaj urrejtjes, respekti ndaj përçmimit, thjeshtësia ndaj mendjemadhësisë, bujaria ndaj koprracisë dhe vëllazëria ndaj përçarjes sepse ishin mirësitë e Ramazanit të cilat e zbukuruan dhe e ndriçuan mendjen dhe shpirtin e besimtarit në mënyrë që të heqë dorë nga çdo e keqe e të bëhet pishtar i së mirës dhe i dashurisë. Ky është mësimi i Kuranit, këto janë këshillat që na la me kaq përkujdesje shembulli më i lartë i njerëzimit, Muhammedi (Paqja dhe Mëshira e Allahut Qoftë mbi Të).”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej, ceremonia vijoi me faljen e namazit të Fitër Bajramit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Pas faljes së namazit, Kryetari Spahiu vijoi me hutben, ku foli mbi kurorëzimin e muajit të shenjtë të Ramazanit në kushtet e pandemisë COVID-19.

    Sipas tij, besimtarët mysliman përjetuan këtë vit një Ramazan ndryshe, sidomos në aspektin social por kjo nuk i privoi ata të adhuronin Zotin e Gjithësisë dhe t’i shfrytëzonin mundësitë e panumërta që ofron ky muaj në aspektin shpirtëror.

    “Lutjet, adhurimet, sakrificat dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë Ramazanit, na forcojnë e na motivojnë ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë e dashurisë për njeriun. Ditët e bajramit janë ditë paqeje, janë ditët e gëzimit të përbashkët me familjen, me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerzit kudo në botë. Kur besimtari është në paqe me Zotin, ai është në paqe me veten e tij dhe rrjedhimisht me të gjithë ata që e rrethojnë.” – theksoi ai gjatë hutbes.

    Në përfundim të kësaj ceremonie, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre. Ndërkohë e njëjta atmosferë festive ka shoqëruar faljen e Fitër Bajramit në çdo xhami të vendit."

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco