Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për festën e Fitër Bajramit

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për festën e Fitër Bajramit

14:46, 23/05/2020
A+ Aa A-

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për festën e Fitër Bajramit

Me emrin e Zotit Mëshiruesit Mëshirëplotë

Falënderimi i takon Zotit të botëve , Atë e madhëron çfarë ka në tokë e çfarë ka në qiej Ai është i Gjithëpushtetshmi, Apsoluti. Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë Muhamed mustafasë ,familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnik.

Të dashur besimtarë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Vëllezër e motra

Sonte, në vaktin e iftarit besimtarët mysliman mbyllin agjërimin e muajit të madhëruar të ramazanit, një ndër themelet e besimit islam, i cili kryhet nga besimtarët vetëm për Krijuesin e gjithësisë.

Agjërimi si ibadet në vete ngërthen vlera të shumta, përmes së cilave besimtarët arrijnë kënaqësinë e Krijuesit, ndaj të cilit me sakrificë dhe me devocion unik shprehim përkushtimin e dashurinë ndaj Zotit. Po ashtu agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit e bënë besimtarin më të kujdesshëm e më të ndjeshëm ndaj familjes, farefisit rrethit e shoqërisë, pra e bënë më të dashur, më të urtë e më human.

Misioni i agjërimit është të disiplinoj e fisnikëroj njeriun e komunitetin, ta ringjallë shpirtëroren përballë materiales, të mirën kundër të keqes, humanen e solidaren kundër egos e koprracisë, ndjesinë e përgjegjësisë ndaj papërgjegjësisë e kështu me radhë, vlera këto që i japin kuptim e substancë misionit të njeriut në këtë botë.

Ne gjatë gjithë muajit të ramazanit, të cilin po e përcjellim sot shtuam lutjet e ibadetet tona, ishim më afër mësimeve Kuranore, më afër porosive të Pejgamberit a.s.dhe më të ndjeshëm për ata që kanë nevojë për ndihmën e përkrahjen tonë. Me një fjalë, edhe në vepër manifestuam përkushtimin e besimin në Zotin Një, gatishmërinë tonë për falje dhe fuqinë tonë për bamirësi e solidaritet. Agjërimi i muajit të madhëruar të ramazanit kërkon përkushtim, sakrificë,, disiplinë rregull e qetësi – parime këto që e veçojnë këtë ibadet e këtë muaj.

Vëllezër e motra!

Ky Ramazan për ne si edhe për të gjithë besimtarët e botës qe më i veçantë, ngase siç dihet tash e një kohë po përballemi me virusin Covid- 19 që tashmë është në shkallë të pandemisë globale.

Për shkak të pandemisë ne myslimanët jemi privuar nga namazet në xhami, kështu që gjatë ramazanit përveç namazeve tjera na ka munguar edhe namazi i teravisë, na kanë munguar vizitat e iftaret te njëri tjetri që gjithashtu janë prej nimeteve të këtij muaji, mirëpo ne me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të gjitha ibadetet e lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona familjare dhe kemi shndërruar shtëpitë tona ne xhami .

Kujdesin për shëndetin publik e kemi urdhër nga i madhi Zot dhe nga porositë e Pejgamberit tonë të dashur Muhamed Mustafasë a.s. si dhe nga mësimet dhe praktikat e mjekëve te hershëm myslimanë. Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit, mirëpo virusi është ende i pranishëm në mesin tonë, andaj na duhet edhe pak durim, edhe pak disiplinë e rregull që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi në fjalë. Nëse kemi kuptuar drejt dhe kemi përvetësuar mësimet e virtytet që jep agjërimi për besimtarët, atëherë duhet të jemi të durueshëm ngase agjërimi është simbol i durimit e qëndrueshmërisë, andaj na duhet durim se vërtetë durimi, rendi e rregulli janë parime të fesë sonë.

Populli ynë në vazhdimësi ka ditur që të rreshtohet drejtë, gjithherë ka manifestuar kulturë të lartë të përgjegjësisë , qoftë si individ po edhe si shoqëri. Kjo më së miri u dëshmua edhe tani me rastin e pandemisë, ku me zbatimin dhe aplikimin e udhëzimeve profesionale nga kompetentët, vërtetë treguam kulturë të lartë e përgjegjësi qytetare, dhe kështu kemi arritur të përballojmë mirë pandeminë që rrezikon shëndetin publik.

Vëllezër e motra

Ne nesër kemi festë, festë e cila vije pas përfundimit të muajit të agjërimit- ramazanit, shkaku i pandemisë nuk do kemi mundësi që të falim namazin e bajramit, andaj ju ftoj te gjithëve që të ruani karakterin festiv të bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj. Ju porosis që të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie.

Duke lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët
tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve Festën e fitër
bajramit.

Me hajr e me të mira na qoftë fitër Bajrami

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco