Prof. Anton Çeta dhe frytet e pajtimit të gjaqeve në Kosovë

Prof. Anton Çeta dhe frytet e pajtimit të gjaqeve në Kosovë

07:25, 20/05/2020

Me rastin 100- vjetorit të lindjes së tij (1920 – 2020)

Nga Don Lush Gjergji

Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papritueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme.

E tërë kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte parapërgatitja për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve gjatë vitit 1990.

Kudo që shkonim dhe kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me kujtime të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së pajtimit. Në shoqëri me Bacën Anton, siç e thirrnim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së shoqërisë dhe shoqërimit ndërnjerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet mjeshtër!

Anton Çetta ndoshta më mirë se akush prej nesh e njihte fare mirë dhe për së afërmi dhe në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes, e cila nuk ishte asgjë tjetër përpos vëllavrasje dhe përfundimisht vetëvrasje – bashkëpunim me sundimtarët e huaj.

Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thoja edhe më tepër, providenciale.

Thoshte kështu: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar…”.

Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues, Prof. Anton Çetën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali, LIRISË DHE PAMVARËSISË.

Synimi ishte i qartë, mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhe.

Ja si e përshkruante Anton Çeta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasjeje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, f. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 25-80).

Ja përshkrimi i Anton Çetës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite.

Arsyeja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çetës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvujtërisë dhe shpirtmadhësisë së popullit tonë…

Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdha…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).

Po iu kthehem pak disa kujtimeve. Në një rast ishim në rrethin e Gjakovës dhe përgatiteshim për kremtimin publik të pajtimeve të gjaqeve në Smolicë, atje ku dikur ishte “mbjell” molla e sherrit për të shkaktuar konflikte ndërfetare mes shqiptarëve katolikë dhe myslimanë. Ditë e natë ishim nëpër oda, në bisedime, propozime, përgatitje. S’kishim kohë për asgjë, as për ngrënie, as për fjetje apo pushim. Dëshira e vetme ishte: të jemi me popullin tonë dhe t’ua lehtësojmë barrën e rëndë të hak apo gjakmarrjes.

Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.

Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”

Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.

Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.

Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” në Sellagrazhd të Velezhës, komuna e Prizrenit. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “tërbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës (1 maj 1990), ku NDODHI POPULLI.

Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve! (vr. ime).

Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çeta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;
E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

Prof. Anton Çetën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vrazhta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.

Meshën e kam kremtuar i rrethuar me një mori populli nga viset e ndryshme të Kosovës, ndërsa mbi kokat tona fluturonin helikopterët ushtarak, qarkullonin taksat, dëgjohej kudo fyerja dhe sharja. Populli ishte një mendje dhe një zemre në lutje, këndonte, falënderonte Zotin, përjetonte praninë dhe dashurin e Tij në një qetësi dhe siguri që dukshëm shqetësonte armiqtë tanë.

Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo: “Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë varrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtire edhe gishtin tim në varr, që të pushojë në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë!”.

Ky gisht nuk ishte drejtuar kah të tjerët për t’i sulmuar, fajësuar, por u bë simboli i shtrirjes së dorës së pajtimit, vepër kjo pa dyshim, e pëlqyeshme para Zotit, e domosdoshme për popullin shqiptar. Me pajtimin e gjaqeve ne e përforcuam vëllazërinë tonë gjithshqiptare, krijuam kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë duke ia plotësuar testamentin e fundit Nënës Terezë.

Ajo më dorën e saj kishte shkruar këtë porosi: “Gjithmonë shpirtënisht jam e lidhun më uratë dhe në dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas shumë hjekjeve dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë atyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte…

Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem shqiptar…” (Bukuresht, 3 maj 1990).

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:

Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mira, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfat dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.
Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.
Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.
Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit.

Prof. Anton Çeta ishte dhe mbeti Njeriu i provanisë së Zotit dhe Popullit Shqiptar, ai i cili diti ta jepte “pjesën më të mirë të vetvetes” me shumë maturi, përkushtim dhe dashuri, i cili e gjeti “damarin” e popullit për një komunikim të drejtpërdrejt në odën e madhe që ishte e tërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.
“Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
                                                                                               Don Lush GJERGJI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco